Zyrtarët thonë se kufizimet e ditëve të fundit në të gjithë vendin janë shkaktuar nga remontet në transmetim e shpërndarje
Burime konfidenciale bëjnë të ditur se konsumi i madh i shkaktuar nga vapa ka vënë në vështirësi rrjetin
Zyrtarë të sistemit energjetik shqiptar bënë të ditur dje se vendi po vuan disa kufizime në furnizim, të cilat "janë shkaktuar nga remontet në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes", por nuk dhanë garanci për furnizim të rregullt me drita. Drejtori i Përgjithshëm i KESH, Gjergj Bojaxhi deklaroi se situata energjetike është shumë e mirë. Prurjet kanë qenë mesatare ndërsa importet kanë qenë të larta. Sipas Bojaxhi: "KESH do të furnizojë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes me të gjithë sasinë që ka nevojë dhe që i lejon rregullorja. Ne do të marrim masat e nevojshme për të siguruar me energji klientët tanë".
Ndërkohë, popullata në Bathore, Allias, Babrru e zona të tjera të Tiranës, njofton se kufizimet e dritave kanë filluar në masë dhe me orë të zgjatura. Autoritetet njoftojnë se shkak për këto kufizime kanë qenë remontet, por burime konfidenciale bëjnë të ditur se remontet janë vetëm pjesërisht shkaku i kufizimeve dhe se arsyeja kryesore është rritja e madhe e konsumit nga kondicionerët në kryeqytet si dhe debalancimi i rrjetit nga rritja e konsumit në zonën bregdetare. Me temperatura deri në 35 gradë, sasia e energjisë së konsumuar, rritet ndjeshëm. Në të njëjtën kohë, energjia e disponueshme nga importi kufizohet kryesisht për shkak të kërkesës së lartë në tregun grek të energjisë, prej nga është rruga ku kalon 70% e energjisë së importuar të vendit. Parashikimi i motit flet për temperatura të larta edhe për këtë javë, si dhe për zbutje të temperaturave nga e shtuna.
Ekspertët mendojnë se furnizimi i rregullt në pjesën e dytë të vitit është një mision pothuajse i pamundur. Vetë Bojaxhi ka deklaruar më herët se KESH ka nevojë të marrë 9.78 lekë për kËh nga konsumatori në mënyrë që të garantojë furnizim 24 orë, në një kohë që tarifa aktuale është vetëm 8.1 lekë. Sipas vlerësimeve të KESH, diferenca mes çmimeve dhe kostos nënkupton kufizime të mëdha të energjisë elektrike. KESH pritet të dalë me 135 milionë euro humbje gjatë këtij viti. Gjatë vitit të kaluar, kompania shpenzoi 39 miliardë lekë, nga të cilat 24 miliardë qenë fatura e importit të energjisë. Të ardhurat qenë vetëm 26 miliardë lekë, gjë që nënkupton humbje në masën 13 miliardë lekë.
Ndryshim konsumi
Gjatë dekadës së mëparshme, konsumi i energjisë në Shqipëri varej përgjithësisht nga i ftohti. Konsumi tipik shqiptar në vitin 2000 qe 16 milionë kilovat/orë në ditë vere dhe 22 milionë në ditë dimri. Por gjatë viteve të fundit, ulja e ndjeshme e çmimeve për kondicionerë si dhe zgjerimi i sektorit të turizmit, ka sjellë konsum të lartë gjithashtu edhe në verë. Në zonën e Durrësit, Vlorës e Sarandës, konsumi gjatë verës është shpesh më i lartë sesa konsumi në dimër. Rreth 70% e energjisë së faturuar konsumohet në Ultësirën Perëndimore të vendit, zona më e prekur nga vapa e këtyre ditëve. I gjithë sistemi energjetik shqiptar e ka të vështirë të përballojë konsum më të lartë sesa 22 milionë kilovat në ditë.
Ndarje përgjegjësie
Zonat e prekura nga kufizimet gjatë ditëve të fundit janë rajone suburbane, të njohura edhe më herët për normën e ulët të pagesave të energjisë elektrike. Këtë vit, KESH nuk ka më të gjitha përgjegjësitë për furnizimin me energji. Një kompani e re, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka për detyrë të furnizojë konsumatorin, ndërsa KESH do të jetë prodhuesi dhe importuesi i energjisë elektrike, por jo shitësi. OSSH, e cila brenda këtij viti pritet të privatizohet, do të jetë përgjegjëse për humbjet e energjisë elektrike dhe për faturat e mospaguara.