Kryeministri Berisha s'jep përgjigje për situatën e krijuar. "Çështjen do ta shikoj me përparësi"
TIRANË- Ka mbajtur vetëm shënime, pasi nuk ka mundur të japë një përgjigje për ankesat në bllok të deputetëve, lidhur me mungesën e energjisë elektrike dhe ujit në zonat e tyre elektorale. Deputetët e Partisë Demokratike, në mbledhjen e shkurtër të grupit parlamentar i janë ankuar dje Berishës për mungesën e stërzgjatur të dritave dhe ujit. Të nxitur edhe nga situata e krijuar në Tiranë, vërejtja e tyre, si rrallëherë, ka qenë e sinkronizuar në një kërkesë të përbashkët: Kur do të ketë drita dhe ujë? Edhe pse drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergji Bojaxhi deklaroi se prurjet kanë qenë mesatare ndërsa importet kanë qenë të larta, situata flet krejt ndryshe. Ndaj deputetët kanë ngritur zërin për mungesën e dy elementeve elementare të jetesës. Nuk kanë diskutuar as për dekretet e Topit, madje as për vendimin e kryeministrit Berisha, të deklaruar në fillimin të mbledhjes, për buxhetin suplementar prej 300 milion dollarësh.
Kësaj here deputetëve pak u kanë interesuar ngjarjet politike, duke u përqendruar vetëm në situatën aktuale të krijuar jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera të vendit. Por, kryeministri Sali Berisha nuk ka pasur një përgjigje. Duke u shprehur se çështjen do ta shikojë me përparësi, Kryeministri nuk ka shtuar gjë tjetër, duke e lënë këtë çështje në kuadrin e ankesave, që me situatën e krijuar do të shtohen jo pak. Kufizimet e energjisë elektrike, që po kryhen në pikun e temperaturave të larta, kanë sjellë në fakt edhe një krizë të furnizimit me ujë. Çështja në fjalë ka qenë objekt i bisedave mes deputetëve demokratë edhe pa filluar mbledhja e grupit parlamentar të PD-së, të cilët duke përfituar edhe nga prania e ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, kanë kërkuar një informacion konkret mbi situatën e krijuar. Por kjo nuk ka ndryshuar asgjë, sa kohë që të njëjtën çështje, ata ia parashtruan edhe Kryeministrit, duke dalë nga mbledhja e grupit sërish pa përgjigje