Shtyhen punimet e Kuvendit. Komisioni për Kodin Zgjedhor e përfundon afatin në 30 Korrik
TIRANË- Dy partitë e mëdha kanë mundur që të zhbllokojnë më së fundi punën në Komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Elektorale. Me 97 vota pro dhe 1 kundër, Kuvendi ka miratuar dje propozimin e Partisë Socialiste për krijimin e një komisioni të ri parlamentar për reformën në fjalë, por kësaj here të emërtuar “Komisioni i Posaçëm për Kodin Zgjedhor”, duke shmangur në këtë mënyrë pengesën e vazhdueshme që kishin krijuar partitë e vogla në funksionimin normal të komisionit të mëparshëm. Komisioni është përcaktuar të funksionojë për një afat kohor prej 1 muajsh nga mbledhja e parë, çka bën të detyrueshme që Kuvendi i Shqipërisë, ndryshe nga sa kishte programuar më parë, nuk do t’i mbyllë punimet e këtij sesioni parlamentar në datën 15 korrik, por më 31 të këtij muaji.
Qëllimi
Komisioni do të ketë për detyrë të përgatisë amendamentet e nevojshme të kuadrit ligjor për arritjen, siç cilësohet në vendim, të standardeve në zgjedhje sipas rekomandimeve të paraqitura nga OSBE/ODIHR në raportin për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Në këtë mënyrë, ky komision do të merret me pasqyrimin apo reflektimin në Kodin Zgjedhor të të gjitha detyrimeve që lindin nga ndryshimet kushtetuese që u realizuan gati dy muaj më parë, përfshi këtu dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor. Pranë tij do të funksionojë një grup ekspertësh të cilët do të merren me përpunimin dhe përgatitjen e propozimeve konkrete që të miratohen më pas nga komisioni i posaçëm.
Vendimmarrja
Komisioni do të jetë i përbërë nga 7 anëtarë, nga një për secilin grup parlamentar, dhe do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, Fatmir Xhafaj nga Partia Socialiste dhe Ilir Bano nga Partia Demokratike. Ndryshe nga më parë, komisioni i miratuar dje nuk do të ketë më veto bllokuese nga forcat e vogla politike. Kështu, nëpërmjet këtij ndryshimi, dy partitë e mëdha kanë mundur që të shmangin pengesën që kishin krijuar deri më tani partitë e vogla, të cilat në totalin e tyre kishin të drejtën e vetos për vendimet që duhet të merrte komisioni. Kështu, sipas vendimit të djeshëm të Kuvendit, secili anëtar i këtij komisioni, përfaqëson dhe vendos në emër të të gjithë deputetëve që ka në Kuvend grupi parlamentar që ai përfaqëson. Sipas vendimit të miratuar, përfaqësues të PD-së do të kenë një peshë të barabartë me 42 deputetë që ka grupi parlamentar demokrat, ndërsa ai i PS-së do të ketë një votë të barazvlefshme në peshë me 35 deputetë që ka grupi parlamentar socialist. E njëjta gjë vlen edhe për të gjitha grupet parlamentare të tjera. Ndërkohë që mbledhja e këtij komisioni do të jetë e vlefshme kur anëtarët që marrin pjesë në to përfaqësojnë shumicën e vendeve në Kuvend. Vendimet në Komision merren kur votat pro përfaqësojnë shumicën e vendeve në Kuvend, por në çdo rast kur pro tyre kanë votuar dhe dy bashkëkryetarët. Në këtë mënyrë nëpërmjet këtij sistemi dy partitë e mëdha kanë mundur që të evitojnë pengesën bllokuese të partive të vogla, por duke ruajtur në të njëjtën kohë dhe ekuilibrin vendimmarrës mes tyre.
Vendimi për ngritjen e Komisionit
1. Ngrihet Komisioni i posaçëm parlamentar për Kodin Zgjedhor.
2. Komisioni ka për detyrë përgatitjen e amendamenteve të nevojshme të kuadrit ligjor për arritjen e standardeve në zgjedhje, mbështetur në rekomandimet e paraqitura në raportin e Komisionit Vëzhgues të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare 2005.
3. Anëtarësia e komisionit formohet bazuar në numrin e grupeve parlamentare. Çdo grup parlamentar përfaqësohet me një anëtarë në komision.
4. Komisioni parlamentar drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Demokratike dhe një nga Partia Socialiste.
5. Secili anëtar përfaqëson dhe vendos në emër të të gjithë deputetëve që ka në Kuvend grupi që ai përfaqëson. Votat përfaqësuese për secilin anëtar të Komisionit përcaktohen në pikën 7 të këtij vendimi.
6. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme, kur anëtarët që marrin pjesë në to përfaqësojnë shumicën e vendeve në Kuvend. Vendimet në komision merren kur votat
“pro” përfaqësojnë shumicën e vendeve në Kuvend, por në çdo rast, kur pro tyre kanë votuar në unanimitet të dy bashkëkryetarët e Komisionit.
7. Përbërja e komisionit dhe votat përfaqësuese janë sipas numrit të vendeve në Kuvend.
8. Pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar ngrihet grupi i ekspertëve teknikë.
9. Përbërja dhe mënyra e funksionimit të tij, përcaktohen me Vendim të Komisionit të Posaçëm Parlamentar.
10. Komisioni ushtron veprimtarinë për një afat prej një muaji nga data e mbledhjes së parë të tij.
Përbërja e Komisionit:
Ilir Bano
Fatmir Xhafa
Arjan Madhi
Engjëll Bejtaj
Ndue Shpani
Spartak Braho
Petrit Gjoni
Tritan Shehu
Spiro Peçi