Një nga hartuesit e draftit, Alfred Cako flet për dosjet. “Bashkëpunëtorët ilegalë vullnetarë kanë qenë në total rreth 300 mijë”
TIRANË- Nisma ligjore për verifikimin e pastërtisë së figurës për zyrtarët e lartë, ose siç njihet ndryshe nisma për hapjen e dosjeve të “Spiunëve” të ish-Sigurimit të Shtetit, nuk do të ketë një efekt të gjerë dhe të pritshëm. Kjo për faktin se shumica e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve, qofshin këta vullnetarë apo të punësuar nga Sigurimi i Shtetit, me kalimin e viteve janë zhdukur nga vetë të implikuarit në to. Nga 300 mijë që ka qenë numri i bashkëpunëtorëve ose spiunëve, sot në arkivat e Ministrisë së Brendshme dhe ato të Shërbimit Sekret llogaritet të ekzistojnë dosjet e jo më shumë se 60 mijë prej tyre. Një fakt të tillë e bën të ditur një nga ekspertët dhe hartuesi i njërit prej tre drafteve që sot është rezervuar në Kuvend për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit, ish-deputeti Alfred Cako, i cili tregon për “Shekullin” kategoritë e dosjeve, sipas mënyrës që janë krijuar ndër vite.
Dosja
Në fondin e Arkivave Shtetërore ekzistojnë dy lloj dosjesh: ato të personit që gjurmohej dhe dosjet e atyre që i vëzhgonin, të cilat Cako i cilëson përkatësisht si dosjet e “engjëjve” dhe “djajve”. Dosja e ish-bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit ose e survejuesit, që do të jetë dhe objekt e kësaj nisme ligjore, përbëhet nga një sërë materialesh të skeduara në lidhje me aktivitetin që kryente gjithsecili prej të rekrutuarve apo të punësuarve nga shërbimet sekrete të pushtetit komunist. Në to përveç identitetit të plotë të bashkëpunëtorëve përfshihen edhe identitetet e koduara apo siç njihen ndryshe pseudonimet e tyre, si dhe të gjitha korrespondenca që ata kanë mbajtur me organet e posaçme shtetërore për aktivitetin e tyre operativ në terren. Cako shprehet gjithashtu se nga informacionet e marra rezulton se kategoria e “djajve” përbëhej jo vetëm nga të punësuarit apo bashkëpunëtorët vullnetar, por edhe nga një pjesë e mirë e atyre individëve që më parë kanë qenë viktima të kësaj veprimtarie dhe të cilët sot, sipas tij, vazhdojnë të militojnë në politikë, duke mbajtur shpeshherë edhe poste të larta publike. Kategoritë
Dosjet e “spiunëve” të cilat kërkohen të hapen, ndahen në disa kategori, duke u bazuar tek mënyra e bashkëpunimit të vetë individit. Pra, sipas Cakos, kemi dosjet e bashkëpunëtorëve vullnetarë, ato të punësuarve në terren dhe dosjet e punonjësve legalë të Sigurimit, ose siç njihen ndryshe, rezidentë. Kështu, ai bën të ditur se “punonjës legalë të Sigurimit deri në vitin 1989, kanë qenë rreth 1000 punonjës dhe këtë vit u shtuan edhe 100 të tjerë. Ndërsa rezidentët dhe bashkëpunëtorët ilegalë vullnetarë kanë qenë në total rreth 300 mijë. Sot mendohet se kanë mbetur të kartelizuara rreth 60 mijë dosje, ku numri më i madh mund t’i përkasë atyre njerëzve pa ndonjë peshë politike.
Cako shprehet se shumë bashkëpunëtorë kanë qenë aktivë edhe në fazat e dënimit në hetuesi dhe për këtë ka përsëri materiale në arshivat përkatëse. Ligji Cako-Ndoka, si një prej tre drafteve të depozituara në Kuvend, synon të hapë vetëm dosjet e të zgjedhurve në nivel të parë (Kuvend) dhe nivel lokal, deri tek anëtarët e këshillave bashkiakë (jo komunalë). Nëse këta ish-bashkëpunëtorë kërkojnë edhe përkundër pranimit ligjor të hapjes së tyre të dosjeve për publikun, ata janë të lirë të garojnë për t’u zgjedhur, dhe projektligji nuk i pengon dot se kjo është një e drejtë kushtetuese, por ju bën skanerin.