Merkure, 03 Dhjetor 2008 09:36:20

Lexoni versionin Print

Pakti, PD-PS jo hetim kandidaturave të Topit

Mazhoranca ka hequr dorë nga nisma e saj për të dubluar Presidentin e Republikës në të drejtën e tij për të përzgjedhur kandidatët për anëtarë të institucioneve kushtetuese.

Fejzi Braushi
Enjte, 03 Korrik 2008 08:17:00

 

Mazhoranca ka hequr dorë nga nisma e saj për të dubluar Presidentin e Republikës lidhur me hetimin e kandidaturave

TIRANË- Mazhoranca ka hequr dorë nga nisma e saj për të dubluar Presidentin e Republikës në të drejtën e tij për të përzgjedhur kandidatët për anëtarë të institucioneve kushtetuese. Qëndrimi kundërshtues i opozitës, por edhe oponenca e gjetur brenda radhëve të vetë demokratëve, ka bërë që Partia Demokrate të ndryshojë pozicion në lidhje me sanksionimin në Rregulloren e Kuvendit, të së drejtës për të hetuar kandidaturat e propozuara nga kreu i shtetit për postet e larta kushtetuese, përfshi këtu dhe për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Fryma lëshuese në këtë drejtim është vënë re dje në mbledhjen e paradites së Këshillit Parlamentar për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku pozita dhe opozita duket se kanë mundur që të përafrojnë qëndrimet e tyre drejt një drafti të integruar për ndryshimet në Rregullore. Kështu, palët kanë arritur, falë edhe propozimit të grupit të ekspertëve, të bien dakord parimisht për përmbajtjen e draftit që do t’i paraqitet seancës për miratim edhe sa i përket nenit 111 të Rregullores, nen i cili përcakton dhe mënyrën e procedimit parlamentar për dhënien e pëlqimit të Kuvendit për dekretet e Presidentit. Drafti i integruar përmban një ndryshim thelbësor sa i përket pikës 6 të këtij neni, ku dhe hiqet në mënyrë përfundimtare përkufizimi për t’i dhënë Kryetarit të Komisionit të Ligjeve të drejtën për të kërkuar informacion shtesë nga organet e specializuara shtetërore, lidhur me të shkuarën e çdo kandidature. Këshilli ka rënë dakord që ky përcaktim që përmban drafti i amendimeve të paraqitura nga nënkryetari i Kuvendit, Fatos Beja, të ndryshojë duke përcaktuar të drejtën që ka çdo anëtar i komisionit për të kërkuar vetëm informacione zyrtare nga institucionet përkatëse për kandidaturat që do të propozohen nga Presidenti. Siç bëjnë të ditur anëtarët e këtij komisioni, ky përkufizim i ri ka të bëjë vetëm me informacione zyrtare, siç mund të jetë dëshmia e penalitetit, bilanci i deklarimit të pasurisë etj., por jo informacione të klasifikuara, siç mund të jenë të dhënat që mund të ketë SHISH, apo dhe Prokuroria. Përfaqësuesit e djathtë në këtë këshill janë pajtuar me argumentet e paraqitura nga deputetët opozitarë dhe ai i PBDNJ-së, Spiro Peçi, se këto institucione, si SHISH apo dhe Prokuroria, në bazë të ligjit, mund të japin informacion vetëm kur e kërkon Presidenti i Republikës apo Kryeministri, por në asnjë rast kur një gjë të tillë e kërkon Kryetarja e Kuvendit dhe aq më keq akoma Kryetari i Komisionit të Ligjeve. Ndërkohë, një tjetër ndryshim që është miratuar në parim me konsensus ka të bëjë me përcaktimet e qarta të rasteve të kandidaturave që vijnë si propozime të kreut të shtetit dhe ato që vijnë si propozime të Këshillit të Ministrave. Megjithatë, në mënyrë përfundimtare Këshilli do të votojë për këto ndryshime vetëm sot, pas seancës plenare. Këshilli ka vijuar mbledhjen e tij edhe gjatë pasdites së djeshme, ku ka reflektuar në Rregulloren e Kuvendit të gjitha detyrimet teknike që lind nga ndryshimi i Kushtetutës përsa i përket mocionit ndaj Kryeministrit dhe zgjedhjes së Presidentit. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së sotme, këshilli pritet të marrë dhe në shqyrtim një propozim shtesë për ndryshimin e Rregullores së ardhur nga deputeti socialist, Fatmir Xhafaj.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Thaçi: Kosova e përkushtuar në rrugën drejt BE-së

02/12/08 18:28:00 | "Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që..

Rinisin protestat në Kosovë. Qytetarët kundër planit 6-pikësh

02/12/08 15:51:00 | Qytetarët kosovarë kanë protestuar sot kundër Palnit 6-pikësh..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML