Fluks dosjesh nga PD për spiunët. Sot debati në Komisionin e Ligjeve.
TIRANË- Mazhoranca nuk ka një qëndrim unik lidhur me qëndrimin që ajo do të mbajë rreth draftit të propozuar nga PD për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Krahas draftit zyrtar të PD-së, që për hir të së vërtetës ka mjaft për të korrigjuar, duke filluar nga subjektet që përjashtohen nga verifikimi i pastërtisë (deputetët) e deri tek mënyra se si do të verifikohen, në zyrën e kryesisë së Kuvendit prej ditësh ka mbërritur edhe drafti tjetër i propozuar nga deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, që deri më tani nuk po mbështetet nga klane dominuese në PD. Por së fundmi, 6 deputetë të PD-së, me nismën e deputetit Fatos Hoxha kanë punuar për t’i bërë disa ndryshime draftit fillestar të PD-së, duke përfshire në hapjen e dosjeve edhe ata persona që janë marrë me rekrutimin e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, të cilët në këtë draft cilësohen si persekutorë. Një propozim ky që strukturat drejtuese të PD-së pritet ta mbështesin, nisur edhe nga deputetët firmëtarë të kësaj nisme, që njihen si mbështetës të politikave zyrtare të selisë blu. Përmes këtyre ndryshimeve, pavarësisht dëshirës së mirë të deputetëve nismëtarë, për PD-në zyrtare është një përpjekje për të marrë mbështetjen e ish-të përndjekurve politike, përfaqësues të së cilës, nuk ishin optimistë për përmbajtjen e draftit të selisë blu. Por historia e drafteve të paraqitura nga PD, më shumë për protagonizëm sesa për të zbardhur të vërtetën, nuk mbaron me kaq. Në këtë vorbull diskutimesh pritet që të përfshihen edhe aleatet e kryeministrit Sali Berisha.
PDK
Demokristianët pritet që të mbështesin draftin e paraqitur nga deputeti Aleksandër Biberaj, duke hapur mjaft diskutime me PD-në, ose me saktë me strukturat zyrtare të kësaj të fundit. Burime nga PDK thanë dje për Shekullin se demokristianët do të shkrijnë në “një”, draftin e tyre me atë të Biberajt, duke kërkuar që të bëhen vetëm disa ndryshime të vogla që lidhen kryesisht me autoritetin që do të merret me verifikimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë. Kështu ndryshe nga Biberaj, i cili propozonte që në Autoritetin Kontrollues të Figurave, të kishte 5 anëtarë, të propozuar nga Presidenti i Republikës;Këshilli i Ministrave;Drejtori i Përgjithshëm i SHISH; grupi parlamentar më i madh i mazhorancës; grupi parlamentar më i madh i opozitës, demokristianët do të kërkojnë që vetëm njëri prej anëtarëve të propozohet nga Presidenti, ndërsa katër të tjerët t’i përkasin përkatësisht dy opozitës dhe dy mazhorancës. Sipas zyrtarëve të kësaj partie, 2 anëtarët nga mazhoranca duhet të propozohen nga PD dhe PDK, pasi, sipas tyre, përfaqësimi me një anëtar nga PR do të ishte njësoj sikur ta kishte propozuar PD. Në këtë mënyrë, në “frontin” e deputetëve të mazhorancës duket qartazi se nuk ka një qëndrim unik dhe se hapja e dosjeve më shume sesa për përmbajtjen, do të nxjerrë në pah inatet mes deputetëve, klaneve të brendshme në PD, por edhe qejfmbetjeve të aleatëve nga Partia Demokratike.
Komisioni i Ligjeve
Ashtu siç është paralajmëruar, sot pritet të diskutohen në Komisionin e Ligjeve tre draftet e paraqitura prej dy vitesh pranë kryesisë së Kuvendit. Ndërkohë që po për këtë çështje janë paraqitur disa ndryshime edhe nga deputeti i PD-së, Fatos Hoxha. Nuk dihet sesa komisioni i ligjeve, do të marrë parasysh projektligjin e deputetit Aleksandër Biberaj, për të cilin, anëtari i Komisionit të Ligjeve dhe relatori i draftit të dosjeve, Aldo Bumçi ka deklaruar se do të shikohet si çdo propozim që vjen nga çdo deputet.