Demokristianët i kërkojnë Kryeministrit që të reflektojë për bashkëpunimin mes dy partive
TIRANË- 24 orë pas qëndrimit të heshtur dhe thuajse indiferent të kryeministrit Sali Berisha ndaj kërkesës së demokristianëve për të qenë ende pjesë e qeverisjes, kryesia e PDK-së është shprehur, përmes një deklarate zyrtare, se në qeveri erdhën shkaktarët e tragjedisë së Gërdecit. Kryesia e PDK-së e mbledhur dje herët në mëngjes citon se nga qeveria është larguar i vetmi ministër që vinte nga shtresa e ish-të përsekutuarve, ndërkohë që sipas anëtarëve të kryesisë, “në qeverisje mbahen përfaqësues politikë të partive të ekstremit të majtë, ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, apo pinjollë të persekutorëve të njohur e të denoncuar publikisht”. “Kryesia e PDK-së gjykon se ndryshimet e fundit në qeveri u bënë nën shantazhin e Gërdecit.
Ndryshimet e fundit sjellin në qeveri shkaktarët e tragjedisë së rëndë të Gërdecit, ndërkohë lënë jashtë qeverisjes ata që shëruan plagët e shkaktuara nga kjo tragjedi e rëndë e cila pritet të zbardhet nga drejtësia, duke vënë para përgjegjësisë ligjore fajtorët”,- thuhet në njoftimin zyrtar të kryesisë së PDK-së. Kryesia e PDK-së pret që Kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, të reflektojë dhe të rishikojë në të njëjtën kohë marrëdhëniet e tij me PDK-në, e cila aktualisht përbën një nga partitë kryesore të maxhorancës së djathtë. Për këtë arsye, ata ende nuk kanë dhënë një qëndrim zyrtar për daljen ose jo nga koalicioni edhe pse shumica e tyre e kanë kërkuar një gjë të tillë.
Demokristianët siguruan në të njëjtën kohë, se do të mbeten parti e qendrës së djathtë. “Qëndrimi përjashtues dhe mosvlerësimi i kontributeve të PDK-së në qeverisjen e vendit, në realizimin e reformave dhe në zgjidhjen e krizave politike, dëmton frymën e bashkëpunimit midis dy partive tona si dhe qeverisjen e kësaj maxhorance”, -thuhet në njoftimin zyrtar të PDK-së. Kryesia e PDK-së, në mbledhjen e djeshme vlerësoi kontributin e Ndokës në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe reformat e ndërmarra. “Kryesia e PDK-së nënvizoi edhe faktin se kur Shqipëria kërkon të integrohet në Europë dhe të bëhet pjesë e qytetërimit dhe e kulturës së saj, është i vetmi vend, përveç Turqisë, që qeveriset nga një qeveri e cila nuk ka në përbërjen e vet asnjë ministër të besimit katolik”, - thuhet në vendimin e kryesisë.