TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka përshëndetur dje ratifikimin e marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë për një regjim të liberalizimit të plotë të lëvizjes së qytetarëve të dy vendeve, duke plotësuar kështu procedurat parlamentare reciproke për hyrjen në fuqi të saj. “Presidenti i Republikës së Shqipërisë e përshëndet këtë akt të Parlamentit të Maqedonisë dhe shpreh besimin e tij të plotë se aplikimi i kësaj marrëveshjeje do të japë produkte të konsiderueshme pozitive për shtetasit e të dy vendeve tona. Presidenti i Republikës e konsideron këtë marrëveshje si reformën më të thellë në sistemin e lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitaleve dhe të mirave materiale midis vendeve tona, si fryt i përpjekjeve tona integruese dhe si pjesë e rëndësishme e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor”,- thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.
Lëvizja e lirë, sipas presidentit Topi, është guri i provës së lirisë, së demokracisë, i çlirimit përfundimtar nga izolimet ideologjike, hapi i njohjes së ndërsjellë të popujve të Ballkanit Perëndimor, dhe ndarja përfundimtare nga paragjykimet nacionaliste e etnike. “Presidenti Topi, i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për rëndësinë e një marrëveshjeje të tillë midis dy vendeve tona, i vëmendshëm ndaj interesit dhe ndjeshmërisë së qytetarëve, të publikut dhe të medias për këtë çështje, u angazhua seriozisht në çastet kulmore të bisedimeve për të dhënë produktin që qytetarët e të dy vendeve gëzojnë sot”,- thuhet në qëndrimin zyrtar.