Raporti i “Mjaft!”: Plot njëzet këshilltarë nuk kanë folur në asnjë mbledhje të Këshillit Bashkiak të Tiranës
TIRANË- Të zgjedhur për të administruar dhe zgjidhur hallet dhe problemet e qytetarëve të Tiranës, anëtarët e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit rezultojnë të jenë indiferentë ndaj kësaj përgjegjësie, por edhe shpërdorues të parave të taksapaguesve. Një fakt i tillë konstatohet nga raporti “UnëVotoj” i publikuar dje nga organizata “MJAFT!”, pas një monitorimi të hollësishëm të veprimtarisë së këtij këshilli për periudhën kohore Mars 2007-Prill 2008, nëpërmjet të cilit kërkohet t’i krijohet mundësi qytetarëve që të njihen me aktivitetin e të zgjedhurve të tyre lokalë.
Raporti
Projekti i monitorimit lokal vjen si një bazë elektronike të dhënash mbi premtimet elektorale të kandidatëve për kryetar Bashkie si dhe veprimtarinë e Këshillave Bashkiak, që ndryshe njihen si “parlamentet vendore”. Raporti i publikuar dje për Këshillin Bashkiak të Tiranës është i pari, pasi kjo organizatë pritet të publikojë më pas dhe raportet e monitorimit të Këshillave Bashkiakë në 12 Bashkitë më të mëdha të vendit. Ai përqendrohet në disa kategori, siç janë qasja e premtimeve elektorale të dy partive më të mëdha në vend, Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste me vendimet e marra në Këshillin Bashkiak të Tiranës, prezenca e anëtareve të këtij Këshilli, shtjellimi dhe analizimi i vendimeve të marra në këshill dhe një sërë sugjerimesh për përmirësimin e punës së Këshillit Bashkiak.
Konstatimet
Një nga problemet kryesore që vihet re në veprimtarinë e Këshillit Bashkiak të Tiranës është prezenca e këshilltarëve. Nga monitorimi i bërë del se mungesa e prezencës në mbledhjet e Këshillit Bashkiak është kthyer në një fenomen të zakonshëm. Madje, siç evidentohet në të ka patur disa raste në të cilat kanë munguar 30% (ndonjëherë dhe më shumë) e këshilltarëve. Fenomeni i mungesës së pranisë është më i përhapur në mbledhjen e komisioneve të punës së Këshillit Bashkiakë, veprimtaria e të cilave sipas raportit paraqet vështirësi të konsiderueshme në monitorim, pasi shfaqet mjaft e çrregullt për sa i takon pjesëmarrës dhe orarit të mbledhjes.
Një fenomen i tillë duket se është favorizuar pasi anëtarët e Këshillit Bashkiakë paguhen me një rrogë bazë prej 20 mijë lekësh të rinj, pavarësisht nëse marrin ose jo pjesë në mbledhje. Gjithashtu një pjesë e anëtarëve të Këshillit Bashkiak mbajnë njëkohësisht dhe një sërë detyrash të rëndësishme si zëvendësministra etj., çka e bënë pjesëmarrjen në këtë këshill për ta shpeshherë si të një pune angari. Listën e dhjetë këshilltarëve me prezencë më të pakët e kryeson Blendi Kasmi, aktorja Yllka Mujo, Salian Çullhaj, Milva Ikonomi, Florian Mima, Suzana Guxholli dhe për të përfunduar me kreun e KESH, Gjergji Bojaxhi. Interesant është fakti tjetër që ka të bëjë me pjesëmarrjen e anëtarëve të këtij këshilli në debate.
Pavarësisht se gjatë kësaj periudhe njëvjeçare në mbledhjet e Këshillit Bashkiak është zhvilluar një veprimtari e pasur me diskutime dhe shqyrtime të një sërë çështjesh, një pjesë e këshilltarëve nuk kanë treguar gatishmëri të përfshihen fare në këto diskutime. Toplistën e këshilltarëve “memecë” e kryesojnë Adelina Skënderi, Andrea Marto, Artan Nelaj, Edlira Haxhiymeri, Eneida Tarifaj, Erisa Xhixho, Gazmend Dibra, Luiza Xhuvani, për të përfunduar me Yllka Mujon.
MONITORIMI
PS ka mbajtur më shumë premtime se PD
Partia Socialiste dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në vitin e parë të mandatit të tij të tretë, ka arritur që të realizojë 1 të 4 e premtimeve që ka deklaruar gjatë fushatës elektorale. Konstatimin e bënë raporti i “MJAFT!”, “UnëVotoj”, i hartuar mbi punën e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit. Raporti në fjalë evidenton se për periudhën mars 2007-prill 2008, periudhë në të cilën është shtrirë dhe monitorimi, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka arritur të miratojë 20 vendime që korrespondojnë me rreth 25 për qind të premtimeve të bëra në platformën elektorale të zgjedhjeve lokale të 2007 nga kandidati i opozitës. Ndërkohë që Partia Demokratike dhe grupi i saj i këshilltarëve bashkiakë kanë mundur të përqasin vetëm 21 për qind të premtimeve me vendimet e marra gjatë një viti. Mazhoranca në Këshillin Bashkiak të Tiranës mbahet nga Partia Socialiste me 21 këshilltarë, ndërsa forca e dytë më e madhe në këtë Këshill është Partia Demokratike, me 17 anëtarë (këshilltar). Duke qenë se këto dy subjekte politike janë të vetmet që kanë paraqitur kandidatë për Kryetar Bashkie në zgjedhjet e kaluar lokale (zgjedhjet e 18 shkurtit 2007), për rrjedhojë janë të vetmet parti që i kanë paraqitur elektoratit të Tiranës platforma zgjedhore dhe premtime elektorale, dhe mbi bazën e të cilave është bërë dhe vlerësimi i realizimit të premtimeve.
Këshilltarët “memecë”
Adelina Skënderi
Andrea Marto
Armando Ruco
Artan Nelaj
Agron Jaupllari
Begator Mane
Bledi Kasmi
Edlira Haxhiymeri
Eneda Tarifa
Erisa Xhixho
Gazmend Dibra
Geront Selenica
Gent Strazimiri
Luiza Xhuvani
Laert Duraj
Megi Ajtyresa
Petraq Simo
Saemir Gjipali
Yllka Mujo
Këshilltarët me më pak prezencë
Blendi Kasmi 28/78 prezenca
Yllka Mujo 30/78
Salian Çullhaj 37/78
Milva Ikonomi 38/78
Florian Mima 39/78
Mitro Çela 40/78
Suzana Guxholli 54/78
Petrit Vargu 55/78
Agron Jaupllari 56/78
Gjergji Bojaxhi 56/78