Ministrja Bregu: Kishim programuar mbylljen në qershor, por do zgjasë deri në vjeshtë
Greqia dhe Gjermania po mbajnë “peng” hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Kjo për shkak se të dyja këto vende nuk kanë ratifikuar ende një marrëveshje të tillë, çka do t’i hapte më pas rrugën zbatimit të saj në terren. Një fakt i tillë është bërë i ditur dje nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu e cila gjatë një komunikimi mediatik, ka theksuar se miratimi edhe prej këtyre dy shteteve do t’i jepte fund një procesi të gjatë ratifikimesh nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Megjithëse nuk ka bërë të qartë se cila është arsyeja që këto dy shtete mike nuk e kanë ndërmarrë një hap të tillë deri më tani, ministrja Bregu ka shprehur siguri se ato do ta bëjnë atë brenda muajit shtator. “Ndryshe nga sa kishim programuar, nuk u arrit që brenda muajit të qershorit të shkuar ne të përfundonim procesin e ratifikimit të MSA-së me të gjitha vendet anëtare të BE-së. Kjo për shkak se Parlamenti Grek dhe ai Gjerman nuk e kanë ndërmarrë ende një hap të tillë. Por ne kemi marrë garanci nga këto dy shtete që në fillim-vjeshtën e ardhshme të kemi dhe ratifikimin e saj edhe prej tyre”,- tha ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Por megjithatë duket se puna për përfundimin e këtij procesi ka mbetur edhe tek Franca, e cila edhe ajo nuk e mbyllur këtë procedurë formale. Por ministrja Bregu shprehet se përsa i përket rastit të Francës, kjo çështje është drejt përfundimit, pasi marrëveshja është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve të Parlamentit dhe pritet që brenda pak ditëve të kalojë dhe në Senat. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit midis BE-së dhe Shqipërisë u miratua në 11 Qershor të 2007.
F.Braushi