Kryebashkiaku Rama dhe kryeministri Berisha kanë replikuar dje për investimet publike në Tiranë
Investimet publike janë bërë shkak për një përplasje të re mes pushtetit qendror dhe atij vendor në Tiranë. Kreu i qeverisë, Sali Berisha dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kanë thyer qetësinë politike të gushtit dhe kanë replikuar dje në distancë në lidhje me përgjegjësitë dhe detyrimet që ka secili prej tyre në zhvillimin e kryeqytetit. Berisha nga Lapraka, ku inauguroi një kanalizim të ujërave të zeza dhe Rama nga Porcelani ku merrte pjesë në përurimin e punimeve të ndërtimit të një rruge dytësore në këtë lagje, kanë “thumbuar” njeri-tjetrin për moskryerjen e detyrave të tyre.
Debatin e ka nisur kryeministri Sali Berisha, i cili duke vijuar përurimet e tij në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, ka akuzuar kryebashkiakun Edi Rama për moskryerje të investimeve në Tiranë dhe mashtrim të qytetarëve. Sipas tij megjithëse qeveria ka akorduar fonde të konsiderueshme për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave në kryeqytet, ende bashkia nuk ka arritur që t’i realizojë ato. “Janë 2.2 miliardë lekë kredi e marrë nga qeveria shqiptare për shkollat e Tiranës, kurse kryetari i Bashkisë me korrespondencë akoma s’ka dorëzuar me shumë se tre të tilla dhe përpiqet t’ua shesë për të reja, shkollat e vjetra që i bojatis me bojërat që preferon vetë”, - u shpreh Kryeministri gjatë fjalës së rastit.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili duke iu përgjigjur edhe interesit të medias për këto akuza, ka bërë të qartë se motoja e tij është të merret me punë dhe jo me fjalë. Megjithatë, ai nuk ka ngurruar që t’i kujtojë kundërshtarit të tij politik se problemet e Tiranës zgjidhen duke menduar dhe punuar për të dhe jo duke bërë shfaqje me punët e të tjerëve. I pranishëm në fillimin e punimeve në rrugën “Sadik Petrela”, një nga rrugët e planifikuara për t’u bërë pjesë e këtij projekti, pikërisht në Njësinë Bashkiake Nr.3, Rama u shpreh: “Besoj që sot ishte rasti që Kryeministri të ishte këtu dhe të mos kuturisej pas një kanali ujërash të zeza, sepse mbeti duke shkuar pas komunave e bashkive për të marrë ndonjë punë mbi vete, sepse punët qeveritare, e shikoni të gjithë vetë si po shkojnë. E ka marrë “ferra uratën” punën e kësaj qeverie”, - tha Rama.
Ndërkohë, duke u përqendruar tek puna e bashkisë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në kryeqytet, Rama ka bërë të ditur se, “sot (dje) starton projekti i ri për 62 rrugë të përcaktuara në bazë të dëgjesave publike të realizuara në të gjitha komunitetet e kryeqytetit. Kështu, me këto rrugë ne rrisim ndjeshëm cilësinë e jetës në të gjithë njësitë bashkiake, duke i dhënë mundësi mijëra banorëve që të mos ecin më mbi baltë”.