Republikanët shprehen pro formulës, ndërkohe sugjerojnë që koalicioni të jetë vetëm i djathtë
TIRANË- Republikanët janë partia e parë e koalicionit qeverisës që shprehen në mbështetje të koalicionit të përbërë. Edhe pse asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga PD, PR i paraprin qëndrimit të saj se është në mbështetje të një formule të tillë. Nënkryetari i Partisë Republikane, Neritan Alibali, tha dje se është në interes të të gjitha partive si të vogla ashtu dhe të mëdha, nga të dy krahët e spektrit politik shqiptar që të futen, në zgjedhje mbi bazë koalicionesh.
Madje nënkryetari i republikanëve duke iu referuar fenomenit të Dushkut, aq të dukshëm në zgjedhjet e 2005-ës, deklaroi dje se ligji i ri do të jetë një dushk në favor të partive të mëdha. Në qëndrimin e tij publik, Alibali ka bërë edhe njëherë të qartë qëndrimin e PR-së se ajo nuk do të shkrihet me Partinë Demokratike, pasi nuk është një parti e dalë prej saj dhe se secila ka fizionominë e saj politike. “Partia Republikane nuk është parti e dalë nga PD, dhe është një forcë politike që ka fizionominë e saj, luftën e saj, historikun e saj” ,- tha Alibali.
Megjithatë nënkryetari i PR-së shprehet pro mundësisë së shkrirjes së disa partive të djathta me PD-në, një lëvizje që në fakt do t’i leverdiste jo pak PR-së për të qenë ndër të vetmet aleate të PD-së në koalicionin e përbërë, nga ku përfitimet do ishin edhe më të mëdha. Megjithatë, nënkryetari i PR-së ka një shpjegim publik për këtë çështje teksa mbështet fenomenin në fjalë. Ai sqaron se me shkrirjen e disa partive, koalicioni i përbërë do të ishte më kompakt dhe në fund të fundit do të përfaqësonte më së miri një koalicion me përfaqësues të interesave të grupimit të djathtë. “PR ka qenë gjithmonë që forcat politike, grupimet e interesit të cilat janë shkëputur dikur për arsye të rrethanave politike historike, të bashkohen me PD-në në mënyrë që koalicionet që do të bëhen të mos jenë koalicione të shumë partive, por të jenë koalicione që janë më përfaqësuese të interesave të grupimit të djathtë”, -tha ai.
Në vijim të deklaratës së tij, Alibali ka shpjeguar se koalicioni i përbërë është i mirë për faktin se brenda koalicionit ka një skeptër partish të djathta të cilat përfaqësojnë interesat e grupeve të ndryshme të interesit që jetojnë brenda të djathtës. Përmes një deklarate të tillë, republikanët kanë lënë të kuptojnë se në këtë koalicion nuk duhet të ketë vend për parti të majta si ajo e Partisë Agrare Ambientaliste apo edhe ndonjë parti tjetër që rëndom mirëpriten nga kryeministri Sali Berisha për interesa politike.
-------------------------------------------------------
Me koalicionin e përbërë eliminohen partitë inekzistente
Koalicioni i përbërë,avantazhet e formulës
TIRANË- Në rast se në Kodin e ri Zgjedhor do të bëhet një rregullim nga ai i vjetri për koalicionin e përbërë, atëherë votuesit në fletën e votimit, krahas koalicionit, zgjedhin edhe partinë. Në fletën e votimit do të jetë e shënuar koalicioni përkatës dhe brenda saj do të radhiten të gjitha partitë anëtare të koalicionit me kutitë përkatëse përbri. Zgjedhësi në kutinë e votimit vendos shenjën te njëra nga këto parti anëtare të koalicionit.
Duke bërë këtë zgjedhje, ai ka votuar automatikisht për partinë që dëshiron, por edhe për koalicion pjesë e së cilës është kjo parti. Në këtë rast, llogaritjet e vendeve në Kuvend, kryhen në dy faza: fillimisht, llogariten vendet e fituara nga koalicioni mbi bazën e votave të fituara nga i gjithë koalicioni dhe më tej vendet e fituara nga koalicioni i shpërndahen çdo partie në përbërje të tij, sipas votave të fituara nga secila parti.
Në këtë mënyrë në Kodin e ri Zgjedhor pritet që të ketë një riformulim të nenit që flet për koalicionet zgjedhore në të cilën pritet që të citohet: “Dy ose më shumë parti politike të regjistruara në KQZ,mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor, duke paraqitur 35 ditë përpara datës së zgjedhjeve, marrëveshjen përkatëse të koalicionit ku partitë përbërëse të tij do të paraqiten në votimin veçmas në fletët e votimit dhe me listat e tyre të kandidatëve”. Në këtë mënyrë, ashtu siç janë shprehur edhe përfaqësues të PS-së, kombinimi i sistemit proporcional-rajonal me koalicionin e përbërë do të krijojë mundësi që politika shqiptare të pastrohet një herë e mirë nga partitë virtuale.