Sekretari organizativ reagon ndaj situatës politike dhe rritjes se kriminalitetit
TIRANË- Sekretari Organizativ në PS, Blendi Klosi, ka deklaruar dje se shteti është i paaftë që të mbrojë qytetarët e tij dhe të luftojë korrupsionin. “Retorikës së kryeministrit më të paaftë të pluralizmit shqiptar mbi gjoja luftën me tolerancën zero kundër këtyre fenomeneve dhe ndërtimin e një shteti të fort tashmë i ka dalë boja. Këtë fakt e kanë konstatuar dhe e prekin çdo ditë qytetarët shqiptarë, që në jetën e tyre të përditshme u duhet të përballen me të gjitha format e mundshme të korrupsionit qeveritar, por e kanë konstatuar dhe vazhdojnë ta konstatojnë vazhdimisht edhe partnerët tanë ndërkombëtar që monitorojnë zhvillimet demokratike në Shqipëri.
Rasti më i fundit është raporti i FMN-së. Sipas këtij raporti, vendi vazhdon të renditet shumë ulët në nivelin e zbatimit të “Ligjit dhe Rendit”. Është 10 pikë më ulët se vendet me të ardhura të pakta, 20 pikë më ulët se mesatarja e gjithë vendeve të botës, dhe është gati sa gjysma e vendeve, që janë bërë anëtare të BE tani së fundmi apo shumë më keq se Kroacia, vend që kërkon të hyjë në BE”,- tha Klosi. Sekretari organizativ shtoi se në vend janë rikthyer vrasjet me snajper, silenciator dhe me maska. “Bima që mbjellin më shumë shqiptarët mbetet hashashi dhe shteti ka zona ku akoma nuk arrin të jetë prezent. Pas vitesh sigurie dhe qetësie u rishfaqën kusarët që sulmojnë autobusët me turistë. Për t’i vënë kapakun kësaj situate bëhemi pjesë e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, por të mbuluar me imunitet diplomatik dhe me autoveturat e shtetit shqiptar”,- tha Klosi.