Zgjedhjet e 2009-ës, Gjinushi takim me Milon
Dikur tepër kritik ndaj njëri- tjetrit, por interesi i përbashkët, që e majta të shkojë e bashkuar në zgjedhjet e 2009-ës, ka bërë që dje në mesditë kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi dhe ai i PDS-së, Paskal Milo, të zhvillojnë një takim pas shumë kohë polemikash.
Enjte, 28 Gusht 2008 09:38:00
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, zhvilloi dje një takim me kryetarin e PDS-së Paskal Milo
TIRANË- Dikur tepër kritik ndaj njëri- tjetrit, por interesi i përbashkët, që e majta të shkojë e bashkuar në zgjedhjet e 2009-ës, ka bërë që dje në mesditë kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi dhe ai i PDS-së, Paskal Milo, të zhvillojnë një takim pas shumë kohë polemikash. Kryetari i PSD-së, Gjinushi tha dje pas takimit të zhvilluar se gjatë negociatave po bisedohet që e majta të hyjë në mënyrë sa më të bashkuar, me qëllim që të rrisë rezultatin e saj që në 2009-ën të fitohen zgjedhjet.
Këtij qëllimi duket se i është bashkuar edhe kryetari i PDS-së, Paskal Milo, i cili prej disa ditësh po përcjell mesazhe bashkëpunimi me Partinë Socialiste. “ Për të maksimizuar votën e së majtës,mbetet për të diskutuar në të ardhmen dhe me aktorët e tjerë të politikës së majtë, gjithmonë me synimin për të shkuar sa më të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”,- tha Milo pas takimit të zhvilluar.
Kryetari i PDS-së, pas disa kontakteve që ka zhvilluar me kryetaren e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, pret që në fund të kësaj jave të zhvillojë një takim edhe me kryetarin e PS-së, Edi Rama, menjëherë pas kthimit të këtij të fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri më tani PS ka rënë parimisht dakord me socialdemokratët, ndërkohe që pritet që në të ardhmen të kenë negociata konkrete lidhur me çështjet e rëndësishme, që do të përfshijë Kodi Zgjedhor.
PSD ka pranuar ofertën e PS-së për të dalë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me një koalicion të përberë, formulë kjo që u kundërshtua publikisht nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Ky i fundit duket se po humbet dita-ditës edhe aleatët e tij, pasi Milo prej ditësh po lëshon sinjale bashkëpunimi me PS-në, ndërsa kryetari i PAD-së, Neritan Ceka është në mëdyshje të madhe për t’u shkrirë me Partinë Demokratike, si e vetmja mënyrë me sa duket për të mbijetuar në politikën shqiptare.
|