Ambasadori i Rusisë në Tiranë deklaroi dje se Shqipëria është në listën e vendeve që i kanë shitur armë Gjeorgjisë
TIRANË- Një ditë pas reagimit publik të kryeministrit Sali Berisha se Shqipëria nuk i ka shitur armë Gjeorgjisë, ashtu siç pretendohej nga ushtria ruse, ambasadori rus në Tiranë Aleksandër Prishchepov ka deklaruar se Rusia nuk e ka akuzuar Shqipërinë për këtë çështje.
Megjithatë në deklaratën e tij, ambasadori rus ka pranuar se Shqipëria është përmendur në një listë të vendeve që i kanë shitur armë, dhe se ai nuk shihte ndonjë gjë të keqe, pasi në të kundërt, do të ishin marrë veprime në rrugë diplomatike. “Ajo mund të jetë përmendur në një listë të vendeve që i kanë shitur armë Gjeorgjisë, por nuk shoh asgjë të keqe tek fakti që Shqipëria mund t'i shesë armë Gjeorgjisë, përndryshe ne do të kishim marrë veprime në rrugë diplomatike", - tha Ambasadori Prishchepov. Ambasadori rus në Tiranë tha se Shqipëria dhe Rusia janë dy vende mike dhe se shumë shpejt ai do të takohej me presidentin Bamir Topi dhe kryeministrin Sali Berisha për të diskutuar marrëdhëniet mes të dy vendeve dhe konfliktin e Kaukazit.
Pavarësia e Kosovës
Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Prishchepov, duke folur për njohjen nga Rusia të pavarësisë së Osetisë Jugore dhe Abhazisë, është pyetur disa herë dje në konferencën për shtyp se pse Rusia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, kur dihet që aty u krye gjenocid. Por ambasadori Prishchepov tha të njëjtën përgjigje të shkurtër pa asnjë lloj komenti: “Kosova është një rast i veçantë, apo jo? Ju vetë keni shkruar”. I pyetur konkretisht se pse Rusia e njohu Abhazinë kur kjo e fundit nuk u sulmua nga ushtria gjeorgjiane, ambasadori rus u përgjigj: “Ne kemi marrë të dhëna se i njëjti agresion përgatitej edhe kundër Abhazisë”. SHBA dhe shumë vende të tjera perëndimore e dënuan njohjen nga Rusia të pavarësisë së Osetisë Jugore dhe Abhazisë.
Vendet anëtare të NATO-s ripohuan dje dënimin e tyre ndaj vendimit të Rusisë për të njohur rajonet rebele gjeorgjiane të Osetisë së Jugut dhe Abhazisë dhe i bënë thirrje Moskës të bëjë një hap pas. "Këshilli i Atlantikut të Veriut dënon vendimin e Federatës Ruse për të njohur Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë dhe i bën thirrje Rusisë të anulojë vendimin e saj", bëri të ditur aleanca ushtarake me 26 vende anëtare nëpërmjet një deklarate, pasi këshilli i saj politik u mblodh në Bruksel. Në deklaratë thuhej se kjo lëvizje, që u shpall dje nga presidenti Dmitri Medvedev pas një lufte të shkurtër me Gjeorgjinë lidhur me Osetinë e Jugut, shkelte rezolutat e mëparshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me integritetin territorial të Gjeorgjisë. "Veprimet e Rusisë kanë vënë në dyshim angazhimet e saj ndaj paqes dhe sigurisë në Kaukaz", - thuhet në deklaratë.