Valentina Leskaj kërkon hartimin e një pakete të posaçme ligjore për funksionimin e medias
TIRANË- Hartimi i një pakete të posaçme ligjore për funksionimin e mediave shihet nga socialistët si e vetmja alternativë për ti dhënë fund një herë përgjithmonë abuzimeve politike me të. Duke marrë shkas pikërisht nga konflikti i fundit midis qeverisë dhe disa televizioneve, Partia Socialiste ka ripërsëritur edhe një herë dje propozimin e saj për disa ndryshime në ligjin për mediat, të cilat sipas saj arrijnë të saktësojnë qartë rastet dhe momentet kur subjektet politike apo organizatat jo qeveritare mund të kryejnë spote televizive.
“Kryetari i PS, bëri disa propozime që mund të bëhen pjesë e ligjit në proces, që saktësojnë qartë kur dhe se si subjektet politike institucionet apo OJF-të, mund të transmetojnë spote”, -tha Leskaj, duke shprehur besimin se problem i tillë do të gjejë zgjidhje dhe në ligjin për mediat që është në proces konsultimi me grupet e interesit dhe me ekspertët ndërkombëtar të Këshillit të Europës dhe OSBE-së. Ajo ka hedhur poshtë akuzat e përfaqësuesve të mazhorancës se është opozita shkaktare e vonesave të miratimit të këtij ligji, duke theksuar se menjëherë sapo të vijnë komentet nga KE do të nisë dhe një debat tjetër konsultimi me faktorët mediatik. “Pasi të vijnë edhe komentet e KE do bëjmë një tryeze me të gjithë aktorët e interesit, ekspertë që mund të japin kontribut në mënyrë që drafti të jetë me standarde”, - deklaroi Leskaj. Ndërkohë, në pritje të hartimit të ligjit, si një zgjidhje momentale e konfliktit media-qeveri, selia rozë i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga tentativa për të nënshtruar çdo lloj pushteti. “Ne i bëjmë edhe njëherë thirrje mazhorancës të mos provokojë konflikt për këtë çështje, por të zbatojë ligjin. Ne kërkojmë një reflektim të shpejtë që mund të minimizohen pasojat”, tha Leskaj.