Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve kërkon miratimin e ligjit përmes një procesi konsensual, transparent e ligjor
TIRANË- Çështja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit dy ditët e fundit ka marrë një rrjedhë krejt tjetër. Pas tërheqjes së demokratëve nga miratimi i njëanshëm të draftit të tyre, janë socialistët ata që kanë hedhur dje një hap konkret për zhbllokimin e situatës së ngërçit që është vënë re gjatë diskutimit të kësaj nisme ligjore në Komisionin e Ligjeve, duke propozuar hartimin e një projektligji të ri konsensual me kontributin e të gjitha forcave politike. Për arritjen e këtij qëllimi, selia rozë ka dalë dje me ide të re, atë të krijimit të një komisioni të posaçëm parlamentar i cili duhet të punojë për të realizuar një projektligj të ri nga e para. Propozimi është bërë nga nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i cili duke folur para medias ka theksuar nevojën që ky ligj duhet të jetë në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Europës për dënimin e krimeve të komunizmit. “Vlerësojmë se ky projektligj duhet të ruajë frymën e rezolutës së Kuvendit dhe të respektojë parimet e Rezolutës së KE. Për të reflektuar këtë frymë parimore, për të siguruar një proces sa më transparent e konsensual, për të mundësuar hartimin e një ligji të standardeve europiane, ne propozojmë ngritjen e menjëhershme të një grupi pune ad-hoc kuvendor me përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare”, - u shpreh Xhafaj. Gjithashtu PS vlerëson si shumë të nevojshme që pjesë e këtij procesi të bëhet edhe faktori ndërkombëtar, i cili duhet të asistojë Kuvendin e Shqipërisë në hartimin e këtij ligji sipas standardeve dhe eksperiencës së vendeve të zhvilluara që e kanë kaluar një fazë të tillë spastrimi nga e shkuara komuniste. Sipas Xhafës është shumë e nevojshme që në këtë proces të ftohet që të marrë pjesë edhe Këshilli i Europës, si dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE). “Është shumë e nevojshme që hartimi i ligjit të ri duhet të bëhet edhe me asistencën ligjore të Këshillit të Europës e të OSBE-së. Ne mirëpresim dhe e vlerësojmë pozitivisht shprehjen e angazhimit të këtyre institucioneve ndërkombëtare shumë të respektuara për të ofruar ekspertizën e tyre ligjore në këtë proces”, - shtoi më tej Xhafaj. Sipas tij, falë kësaj ndihme dhe këtij angazhimi, përmes një procesi transparent, çështja e dosjeve mund të mbyllet përfundimisht si një moment i shkëputjes totale nga e shkuara. “Miratimi i ligjit nëpërmjet këtij procesi konsensual, transparent e ligjor, do të kontribuojë gjithashtu të mbyllë përfundimisht këtë debat që vazhdon për vite të tëra të konsiderohet instrument politik në duart e disa politikanëve të frymës së vjetër të mbajtur peng ndaj së kaluarës, të paaftë për t’ju zgjidhur shqiptarëve çështjet e së tashmes dhe të ardhmes së tyre”,- tha Xhafaj. Për këtë arsye, socialistët kanë ftuar edhe mazhorancën që të heqë dorë nga demagogjia dhe të mos mbajë më peng të ardhmen e shqiptarëve nëpërmjet shantazhit me të shkuarën. Megjithatë Xhafaj nuk ka bërë të qartë nëse socialistët do i qëndrojnë idesë për hapjen e plotë të arkivave të periudhës komuniste, ashtu siç edhe propozoi nënkryetari i grupit socialist Arben Isaraj gjatë mbledhjes së fundit të Komisionit të Ligjeve apo do të pranojnë dhe një projektligj për hapjen e dosjeve, por ku të pasqyrohen vërejtjet e tyre përsa i përket çështjes së papajtueshmërisë së mandatit dhe dosjeve që do të jenë objekt verifikimi. Realisht janë pikërisht këto dy çështje që kanë mbajtur peng konsensusin gjatë diskutimit të projektligjit në Komisionin e Ligjeve.