Grupi socialist ka vënë në dispozicion dy numra telefoni ku dhe mund të bëhet denoncimi i rasteve të reja të parcelave me misër “shterp”
Angazhimi i Partisë Socialiste në mbrojtje të fermerëve të dëmtuar nga skandali i misrit “shterp” nuk do të mbetet thjesht në kuadrin e deklaratave. Selia rozë ka bërë të ditur dje nëpërmjet deputetit Taulant Balla ndërmarrjen e një nisme të posaçme ligjore me qëllim zhdëmtimin financiar të të gjithë atyre fermerëve që janë prekur nga pasojat e këtij skandali.
Partia Socialiste do kërkojë në kuvend miratimin e një ligji me anë të të cilit të detyrojë qeverinë të dëmshpërblejë fermerët e dëmtuar nga fara e misrit. “Dua të siguroj, se Grupi parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë do të ndërmarrë të gjitha iniciativat ligjore që do të garantojnë dëmshpërblimin e të gjitha familjeve fshatare të dëmtuara”, - tha Balla. Ndërkohë PS ka akuzuar qeverinë si fajtore për këtë situatë dhe e cilëson si të patolerueshme faktin që asnjë institucion nuk ka marrë asnjë masë për evidentimin e dëmit të shkaktuar.
Sipas Ballës qeveria është përgjegjëse pasi ka lejuar shpërndarjen e kësaj fare në tregun shqiptar. “Kjo situatë është shkaktuar nga mungesa e veprimit dhe kontrollit të institucioneve shtetërore, është shkaktuar për shkak të korrupsionit aktiv të individëve me pushtet politik, që nga pronari i kompanisë, tek ministri e deri tek kryeministri”- shtoi më tej Balla.
Ndërkohë për të krijuar një panoramë më të qartë të vatrave të prekura nga ky skandal Partia Socialiste vuri në dispozicion dy numra telefoni 042 223 408 dhe 0683400044, ku fermerët mund të denoncojnë çdo rast të ri të ngastrave të mbjella me misër që s’prodhon. “Në mungesë të plotë të ndërgjegjësimit dhe të reagimit të institucioneve shtetërore, Partia Socialiste e Shqipërisë njofton të gjitha familjet fshatare, të dëmtuara nga kjo katastrofë e misrit pa kokrra, duke filluar nga dita e sotme kemi vendosur në dispozicion dy numra telefoni: 042 223 408 dhe 0683400044, ku i kërkojmë të gjithë të dëmtuarve të deklarojnë sasinë e tokës së mbjellë me këtë farë misri. Mbi bazën e të dhënave të mbledhura nga deklarimet e vetë fshatarëve, specialistët tanë, do të përllogarisin dëmin e shkaktuar në total si dhe dëmshpërblimin që i takon çdo familjeje”, - deklaroj deputeti socialist.