Partia Socialiste ka nisur fazën e fundit të “Dialogut me Shqipërinë” ku dhe pritet që të konsultohet me qytetarët programi i ri politikë dhe qeverisës që kjo forcë politike ka tashmë në dorë. Për të patur një proces konsultimi sa më efektiv, selia rozë ka nisur konstituimin e bordeve qytetare, struktura këto krejtësisht të pavarura nga PS. Një i tillë është krijuar dje edhe në qytetin e Fierit, gjatë mbledhjes së parë të të cilit ka marrë pjesë edhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.
Gjatë këtij takimi kryetari i PS-së u shpreh se, të tilla mekanizma bëjnë që në programin e qeverisë të futen problemet e vërteta që ka shoqëria. “Është koha që politika të mos qëndrojë e ndrydhur dhe e deformuar brenda kostumit të ngushtë të politikanit, por njerëzit e zakonshëm bashkë mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme”, u shpreh Rama. Ai ka deklaruar gjithashtu se Bordi i Dialogut me Shoqërinë, do të jetë një urë mes partisë dhe shoqërisë. “Bordi i Dialogut me Shoqërinë, është një urë mes partisë dhe shoqërisë, mes partisë, e cila është një organizatë me strukturë dhe rregulla të caktuar dhe shoqërisë, e cila ka në gjirin e vet plot mbështetës e simpatizantë, por që shpesh herë gjendet në një hendek mes tyre dhe partisë.
Është detyra e partisë të bëhet pasqyrë e shoqërisë dhe në këtë sens ne kemi nevojë të jashtëzakonshme për të gjithë kontributet e njerëzve. Na takon ne t’i gjejmë rrugët për t’i marrë këto kontribute, duke ruajtur lirinë, pavarësinë e çdo individi që dëshiron të kontribuojë në një mënyrë të caktuar, por nuk dëshiron të rreshtohet për një kohë më të gjatë se sa ai moment”, - u shpreh Rama. Ky bord nuk është një organizatë më vete, por një rrjet qytetar, i cili do të funksionojë në mënyrë të pavarur, autonome nga Partia Socialiste. Ai do të ndihmojë dhe nxisë PS-në për të hartuar një alternativë me mendime dhe ide.