Beqja: Dyfishimi i pensioneve, demagogji e Berishës
Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, ka deklaruar dje përmes një konference për shtyp se me projekt-buxhetin 2009-ës, kryeministri Berisha konfirmon mosmbajtjen e premtimeve ndaj qytetarëve.
Hene, 08 Shtator 2008 10:00:00
Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, flet për premtimet e pambajtura
TIRANË- Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, ka deklaruar dje përmes një konference për shtyp se me projekt-buxhetin 2009-ës, kryeministri Berisha konfirmon mosmbajtjen e premtimeve ndaj qytetarëve. “Ka 10 ditë që Kryeministri i vendit ka filluar të joshë shqiptarët, duke deklaruar se çfarë do të bëjë në janar 2009 apo në maj 2009. E bën këtë gjë në panik elektoral, pasi e pa që shqiptarët refuzuan të pranojnë gënjeshtrat e tij për “bëmat” e 7 muajve të parë të vitit 2008 ashtu si edhe për rezultatet e 3 vjet qeverisjeje.
Kryeministri Berisha deklaroi se në maj 2009 pensionet do të rriten 10 dhe 20% dhe jo 5 apo 10% si më parë. Edhe pse pensionistët në qytet e dinë, sot, është koha t’i kujtojmë kryeministrit Berisha se vetëm nën qeverisjen e tij ka ndodhur që në vitet 2006 dhe 2007 pensionet e qytetit të rriten 5 %. Edhe pse pensionistët në fshat e dinë, sot, është koha t’i kujtojmë kryeministrit Berisha se vetëm nën qeverisjen e tij ka ndodhur që në vitin 2007 pensionet e fshatit të rriten 10%”,- tha dje Beqja.
Nënsekretari për Programin theksoi se dyfishimi i pensioneve ishte një gënjeshtër e madhe dhe se do të mbetet e tillë. “Është gënjeshtër e madhe, sepse nuk do të ketë dyfishim për 320 mijë pensionistë pleqërie dhe këta janë ¾ e numrit të pensionistëve të pleqërisë. Është gënjeshtër skandaloze për të gjithë 280 mijë pensionistët (65 % e totalit të pensionisteve të pleqërisë) në qytet, për të cilët kryeministri Berisha nuk mban as gjysmën e premtimit të tij. Është mashtrim për 100 mijë pensionistë në qytet (23 % e totalit të pensionistëve të pleqërisë) për të cilët në 4 vjet, kryeministri Berisha nuk do të ofrojë rritje mesatare vjetore më shumë se 8.3 % në vit, duke shënuar rritjen më të vogël në 18 vjetët e fundit”,- tha ai.
|