Kreu i PS-së Edi Rama ka nisur një tur takimesh nëpër rrethe me drejtues dhe ish-drejtues socialistë
Kastriot Islami
Miratimi nga ana e kryesisë e strategjisë elektorale, i ka hapur rrugën fazës parapërgatitore për zgjedhjet e ardhshme elektorale. Sekretari socialist për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, ka shpjeguar dje në vija të përgjithshme filozofinë elektorale që do të ndjekë kjo forcë politike për të bërë mundur fitoren në zgjedhjet e ardhshme që me shumë gjasa do të mbahen gjatë muajit qershor. Islami ka bërë të ditur se në bazë të kësaj strategjie, organizimi elektoral i PS-së do të ndahet në tre faza dhe konkretisht në atë parapërgatitore tetor-dhjetor, faza trajnuese Janar –Mars dhe faza përmbyllëse e fushatës zgjedhore Prill-Qershor. “Është periudha parapërgatitore, e cila fillon në tetor dhe përfundon në dhjetor. Pra kuptohet është një parapërgatitje për organizimin elektoral të të gjithë partisë, edhe në përputhje me Kodin e ri Elektoral dhe natyrisht kjo do të zhvillohet edhe më tej, meqenëse në kod do të ketë edhe detaje të tjera. Periudha e dytë do të jetë nga 1 janari e deri në nga marsi, kur do të bëhet edhe trajnimi dhe kualifikimi i të gjitha strukturave të partive të reja në funksion të fushatës elektorale dhe natyrisht faza e tretë do të jetë fillimi i fushatës elektorale”, - Islami. Pikërisht fazës së tretë do t’i përkasin dhe zhvillimet më të mëdha politike brenda partisë, për shkak se gjatë kësaj periudhe është lënë që të zhvillohet edhe debati për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë për çdo zonë zgjedhore. “Faza e tretë do të jetë edhe faza e përzgjedhjes së kandidaturave”, - tha Islami duke shpjeguar gjithashtu edhe procedurat që do të ndiqen për të kryer këtë proces. Për përpilimin e listave të kandidatëve, Islami sqaron se do të ndiqen disa rrugë që do të bëjnë të mundur përzgjedhjen e kandidatëve më përfaqësues dhe më të besueshëm për elektoratin. Për të arritur këtë PS duket se ka programuar të përdorë të njëjtën praktikë që bëri edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar partie para dy vjetësh, duke kërkuar vlerësimin e elektoratit për secilin emër para se të bëhet renditja e tyre në listat shumëemërore. “Mendohet të përdoren disa mënyra për të marrë mendimet e votuesve të cilat ne na lejojnë për të ndërtuar një listë të kandidatëve për çdo qark me një renditje të përcaktuar dhe efikase”, - deklaroi Islami. Ndërkohë nga ana tjetër duket se PS e ka startuar fushatën përgatitore edhe në bazë. Kjo pasi kryetari i PS-së Edi Rama gjatë turit të tij nëpër rrethe në kuadër të “Dialogut me Shqipërinë”, po zhvillon edhe një sërë takimesh me drejtuesit e mëparshëm dhe ata aktuale të PS-së në çdo rreth, si dhe me të gjithë ata socialistë që kanë mbajtur poste të larta si ish-kryetar bashkishë dhe komunash, me drejtues aktualë të pushtetit vendor dhe me njerëz të tjerë që kanë influencë të djeshme në qytetet dhe fshatrat e tyre.