Llogaritë e bëra e nxjerrin Partinë Socialiste fituese të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare edhe në rast se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të pranonte të bashkëpunonte me të. Kjo është bindja që shpreh kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste Valentina Leskaj gjatë një interviste për “Shekulli-n”, ku bën dhe një analizë të të gjithë zhvillimeve aktuale politike në vend, siç është projektligji për administratën gjyqësore, projektligjin për prokurorinë, statusin e deputetit, reformën zgjedhore si dhe çështjen e imunitetit të deputetit. Përsa i përket kësaj të fundit ajo thekson se nuk është imuniteti i deputetëve faktori që frenon luftën kundër korrupsionit. Pavarësisht kësaj Leskaj shprehet se socialistët janë të gatshëm të votonin edhe për ndryshimin e Kushtetutës për të kufizuar imunitetin e zyrtarëve të lartë.
Mazhoranca ka përgatitur prej kohësh dy drafte shumë të diskutueshme siç është ai për prokurorinë dhe për administratën gjyqësore, përmbajtja e të cilave është kundërshtuar jo vetëm nga opozita, por edhe nga ndërkombëtarët. Sa e cenojnë këto veprime të mazhorancës, që s’janë të pakta, gatishmërinë e opozitës për të bashkëpunuar për reformat e mëdha?
Problemi qëndron përtej dy drafteve, qëndron te filozofia dhe motivet që nxisin prodhimin e këtyre drafteve dhe te kompromentimi i procesit të reformave për arsye shpesh edhe banale, bie fjala për shkak të inatit me prokuroren e përgjithshme apo qoftë edhe me një prokuror që ka një çështje të veçantë, inateve me KLD, me ndonjë gjyqtar apo dhe me vetë presidentin e vendit. Në këto kushte ne nuk mund të bëhemi palë me një proces të kompromentuar, që nuk është i hapur, që ka për motiv inatet provinciale, që nuk mbështetet në identifikim serioz të nevojave të sistemit që nuk çon drejt një ndërhyrje të strukturuar që garanton eficencën dhe pavarësinë e sistemit. Ne bëmë përpjekje maksimale që kjo të mos ndodhte, ofruam paktin për reformën në drejtësi për të cilin kërkuam që të bëhej një proces i hapur diskutimi në Komisionin e ligjeve e jashtë tij, ku të përfshiheshin të gjithë aktorët e interesit, shoqëria civile e që ky pakt të shërbente si udhërrëfyes për reformën, gjë që nuk u bë nga mazhoranca. Ç’do ndërhyrje spontane për interesa të momentit në sistemin e drejtësisë është e papranueshme për ne. Ne e kemi të qartë se si përmirësohet sistemi, si forcohet e si pavarësohet ai dhe do ta bëjmë sapo të vijmë në qeverisje 2009.
Një çështje që duket se po merr shumë kohë duke cenuar dhe afatet ligjore është edhe reforma zgjedhore, ku duket se çështja e administrimit të zgjedhjeve po mbanë peng konsensusin midis pozitës dhe opozitës. Çfarë qëndrimi do të mbajë PS për përbërjen e komisioneve zgjedhore, numrin e anëtarëve të tyre dhe institucionet që do të gjykojnë vendimet e kontestuara? Do ketë reduktim të numrit të anëtarëve?
Reforma e Kodit elektoral ka hyrë në pikën e tij kritike, që do të thotë se nuk mund të shtyhet përtej Tetorit, ndryshe do vërë në pikëpyetje procesin dhe kjo do jetë kosto shumë e lartë për vendin. Është e vërtetë që kjo është një reformë jo e lehtë dhe ne i japim prioritet cilësisë së reformës, por afatet mund të cenojnë cilësinë e zgjedhjeve, kështu që cilësia e kodit do ta humbiste vlerën pa cilësinë e zgjedhjeve. Është e patolerueshme që edhe pas 17 vjetësh partnerët ndërkombëtarë të detyrohen të bëjnë deklarata për zgjedhjet në Shqipëri. Ne e kemi paraqitur versionin tonë. Përsa i përket numrit të komisionerëve, jemi për reduktim. Nuk mund të vazhdohet me komisione ku mblidhen 13 veta që s’kanë as vend për t’u ulur dhe e kthejnë procesin në pazar. Kjo nuk ndodh asgjëkund. Gjithsesi puna është në proces, nuk besoj se kanë vlerë detajet përsa kohë që gjërat nuk kanë marrë formë përfundimtare.
Znj. Leskaj para disa ditësh jeni shprehur se ligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë ose siç njihet ndryshe projektligji për dosjet duhet të kalojë nën ekspertizën ndërkombëtare. Pse duhet një ekspertizë e tillë dhe cilat janë dallimet tuaja në lidhje me qëndrimin e PD-së për këtë çështje?
Unë besoj se është e tepërt t’i rikthehemi kësaj çështjeje pasi e kemi bërë të qartë disa herë qëndrimin tonë lidhur me diferencat, thelbi qëndron në antikushtetueshmërinë e variantit të PD. Gjithsesi, për t’u kthyer te ekspertiza ndërkombëtare unë mendoj se është e nevojshme për vetë kompleksitetin e çështjes, për faktin që është hera e tretë që bëhet një ligj për hapjen e dosjeve. Kur po ky parlament ka bërë ligje që nuk i kanë qëndruar kohës ose që i bën vetë dhe i kthen po vetë duhet një ekspertizë jashtë tij. Kjo shërben që ligji për dosjet mos të kthehet në një histori abuzivizmi apo përdorimi. Gjithsesi e vërteta është se Kryeministri edhe me këtë draft synon më shumë, synon të godasë drejtësinë, prokuror e gjyqtar. Besoj se një ekspertizë ndërkombëtare do t’ia hiqte këtë mundësi. Çështjen e dosjeve kryeministri e ka po aq seriozisht sa ka dhe atë të dëmshpërblimit të përndjekurve. Ç’farë ka bërë për ta deri tani? Asgjë veç llafeve. Ka dhe arsye të tjera që mazhoranca e mban peng debatin politik me histori spiunësh, sposton vëmendjen nga ato që janë bërë të frikshme sot për shoqërinë shqiptare, korrupsioni dhe varfëria. Gjithsesi shqiptarët nuk mund të ushqehen me histori spiunësh kur kanë të paplotësuara nevojat bazike jetësore. Ata që janë në ndihmë ekonomike e marrin sot mesatarisht 1800 lekë në muaj, nuk ngushëllohen dot me histori dosjesh, as ata të rinj që punojnë e janë 70% në të zezë e as pensionistet që mbajnë frymën me lëmoshat e fëmijëve, as të sëmurët, as fëmijët që lypin apo trafikohen, as fshatarët që nuk mbjellin dot tokën për të siguruar bukën.
Kryeministri Berisha ka kërkuar edhe një herë ndihmën e opozitës për të miratuar ligjin për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, përfshi edhe deputetët. Do të ishit të mbështesnit një nismë të tillë duke ndryshuar edhe Kushtetutën?
Kjo është bërë një tjetër histori spekulative. Kryeministri spekulon me Imunitetin e deputetëve që në fakt nuk kanë gjë në dorë, ato i kanë imunitarët në qeveri, disa prej të cilëve janë me çështje penale, të tjerëve do t’u vijë radha, ata që kanë bërë gjynahe mbi varfërinë dhe mjerimin e njerëzve të thjeshtë, një ditë duhet të paguajnë. Mazhoranca e ka sjellë çështjen e imunitetit kur i është kërkuar imuniteti i dy ministrave si shenjë solidariteti me ta, nuk e solli kur ndryshoi kushtetuta po e përdor tani edhe si presion ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Gjithsesi, ne kemi bërë një gjest kur e dorëzuam me shkrim imunitetin tonë dhe jemi gati të ndryshojmë edhe kushtetutën, qoftë edhe që çështja e imunitetit të mos e përdoret si jorgan për të mbuluar korrupsionin e imunitarëve në qeveri.
Kryeministri ka folur këto ditë dhe për statusin e deputetëve. Cili është mendimi juaj për deklaratat e tij?
Ky është një mjerim i vërtetë, s’ka vend në botë ku kryeministri i vendit të flasë me përçmim ndaj parlamentit të vendit dhe të zgjedhurve të popullit. Ky është një rast i paprecedent kur kryeministri i sulet parlamentit, po që në rastin e personit në fjalë është e kuptueshme pse bëhet, është e kuptueshme pasi ky njeri ka dhënë prova që e ka të vështirë bashkëjetesën dhe raportet me institucionet e pavarura. Ai u është sulur me radhë institucioneve të pavarura media, prokurori, gjykatë, KLD, presidencës, e tani parlamentit.
Nuk do ta ulja nivelin e debatit deri në atë të shefit të qeverisë përsa i përket hesapeve që bëri, po natyrisht është e qartë se ai ka hall tjetër, ndaj gjithmonë gjen nga një armik për të larguar vëmendjen nga problemet, nga varfëria e korrupsioni, do që t’iu thotë shqiptarëve se ju jeni të varfër ngaqë marrin më shumë deputetët, a thua se shqiptarët nuk e kuptojnë se problemi nuk është aty. Gjithsesi kryeministri ka mbi tre vjet në pushtet, votat i ka pse nuk ka marrë një nismë. Korrupsioni që ka ndodhur në parlament është jo statusi i deputetit po miratimi i ligjit për Gërdecin dhe ky me propozimin dhe votat e qeverisë, jo me të opozitës e cila e ka kundërshtuar. Kryeministri ka një problem me filozofinë e qeverisjes për shkak se nuk ofron dot, kur nuk ndërton dot, nuk bën dot reforma të vërteta ndaj i mbetet represioni si alternativë. Vendi nuk zhvillohet me sharje e politika represive po me programe zhvilluese.
Znj. Leskaj në Kodin Zgjedhor u sanksionua Koalicioni i Përbërë. Duke ditur kundërshtimin që ka pasur LSI për këtë çështje, sa të mundur e shihni arritjen e një bashkëpunimi edhe me këtë forcë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Opsioni i koalicionit të përberë në kod nuk është as arsye dhe as motiv për të bërë koalicion me LSI. E mira e këtij sistemi është se i jep mundësi secilës forcë të marrë peshën që i takon, i heq mundësinë ç’do spekulimi apo fryrje artificiale dhe kjo është ndershmëri në politikë. PS është partia e parë në vend, është partia fituese s’ka asnjë motiv apo kompleks për të qenë e dyzuar.
Duke mbetur tek çështja e mësipërme, kryetari i PS-së Edi Rama ka deklaruar gjatë mbledhjes së fundit të kryesisë se i PS i fiton zgjedhjet edhe pa LSI-në. A ka bërë PS një përllogaritje të saktë dhe ku e bazoni këtë siguri?
Të gjitha llogaritë e bëra të çojnë në përfundimin se PS është fituese. PS do t’i fitojë zgjedhjet e vetme jo thjesht për faktin që shqiptarët nuk mund të paguajnë dhe katër vjet të tjera koston e paaftësisë dhe korrupsionit të qeverisjes aktuale, kosto që është paguar deri edhe me jetë njerëzish që nga Gërdeci deri në Bulqizë, po sepse PS ka dhënë prova të një force serioze të orientuar nga interesat e publikut, jo nga interesat e partisë, jo nga interesa të vogla meskine pushteti, por nga interesat e mëdha të vendit. Ne do fitojmë se ne shqetësohemi për njerëzit që sot janë realisht në vështirësi, ndaj po ndërtojmë një program bashkë me ta.PS ka treguar jo vetëm vullnet për t’i adresuar këto interesa, por edhe kapacitete për t’i realizuar këto përsa kohë që edhe pse në opozitë ka udhëhequr procese të rëndësishme si ai për reformat që kondicionuan ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.