Çfarë përfiton PDR me bashkimin e strukturave të saj me ato të PD-së. Ja postet për të cilat po negociohet
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha e ka thuajse gati skemën se si do të integrojë sërish në Partinë Demokratike të larguarit vite më parë që janë pjesë e Partisë së Genc Pollos. PDR është eksperimenti i parë brenda të djathtës në iniciativën për të shkrirë partitë e vogla, një domosdoshmëri kjo e lindur në mënyrë të veçantë nga ligji i ri për zgjedhjet e qershorit 2009-të.
Burime zyrtare pranë PDR-së kanë deklaruar për gazetën “Shekulli” se në parim është rënë dakord që 3 nga eksponentët e PDR-së do të jenë në kryesinë e selisë blu, ndërsa 6 deri në 7 përfaqësues të saj në Këshillin Kombëtar. Bëhet fjalë pikërisht për kryetarin e kësaj partie, Genc Pollo dhe dy nënkryetarët, Tritan Shehu dhe Enno Bozdo, për të cilët po negociohet që, pas një viti, të jenë anëtarë të kryesisë së PD-së.
Format sesi mund të garantohet prania e tyre në kryesinë e kësaj partie, janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga emërimi i tyre si sekretarë të partisë, ç’ka garanton futjen e tyre automatikisht në kryesinë e partisë e deri tek ndryshimet në statut. Edhe pse zyrtarët e lartë në PDR shprehen të sigurt për funksionimin e skemës së re, nga ana e Partisë Demokratike ende nuk ka një përgjigje zyrtare se si do të arrihet shkrirja mes tyre. Ndërkohë, muajt në vijim janë koha e riorganizimit të Partisë Demokratike, e cila në bazë do të funksionojë me 12 degë në po kaq qarqe të vendit.
Ky proces do të shoqërohet edhe me përfaqësimin në këto degë, kundrejt një kuote të caktuar të PDR-së. Lidhur më këtë të fundit, zyrtarët e lartë të PDR-së shprehen skeptike për mundësinë e një bashkëpunimi mes njerëzve të tyre dhe PD-së, kjo edhe për shkak të një të kaluare aspak frytdhënëse mes dy partive. Megjithatë, ndryshimet e reja që pritet të ndodhin në fund të muajit Tetor, pritet të nxjerrin ne pah realisht se sa do të jetë i mundur një bashkëpunim i tillëmes dy partive.
Deri më tani negociatat kanë vijuar në rang kryetarësh dhe nënkryetarësh mes dy partive, ndërkohë që ato pritet të behën konkrete vetëm pas testimit të bazës së dy partive, me saktë asaj demokrate, për të cilën reformatorët shprehen skeptikë. Prej kohësh, nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu, është shprehur se reformatorët janë të hapur për të gjetur forma të reja bashkëpunimi me PD-në, gjithmonë e më të ngushta, përfshi këtu dhe një bashkim të plotë të dy forcave politike. “Në këto periudha të qeverisjes së përbashkët dhe të një koalicioni me PD-në, gjithmonë e më tepër ka një afrim dhe sinkronizim të programeve, formave të organizimit dhe bashkërendimit të luftës politike”, - është shprehur Shehu. Nënkryetari i PDR-së ka nënvizuar prej kohësh se mes drejtuesve të lartë të dy partive ka një zhvillim ngjarjesh drejt një bashkëpunimi të mëtejshëm, që, sipas tij, i mbetet që ta konfirmojë zyrtarisht vetëm PD.