Kuvendi miratoi mbrëmë draftin për SHKB-në që u kontestua nga opozita
TIRANË- Ministri i ri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta do të jetë Antastas Duro. Kuvendi miratoi dje në mbrëmje me shumicë votash dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Anastas Duros në postin e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Gjithashtu Kuvendi miratoi me shumicë votash dekretin për shkarkimin e Kosta Barkës nga ky dikaster.
Në këtë mënyrë, nga sot në zyrat e kryeministrisë për çdo mbledhje qeverie, por edhe në selinë e Ministrisë së Punës do të jetë një tjetër drejtues i propozuar, po nga PBDNJ, pak ditë më parë. Kryeministri Sali Berisha zgjodhi Anastas Duron, ish-zv-Ministër i Drejtësisë në kohën e qeverisjes së majtë, duke mos pranuar kandidaturën për të cilën u zhvillua edhe debati kohët e fundit, atë të Andrea Martos.
Ky i fundit, i shkarkuar nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punës, ishte kandidati favorit nga drejtuesit e lartë të PBDNJ-së. Megjithatë, kryeministri Sali Berisha për shkaqe që ai nuk i bëri asnjëherë publike, madje as zyrtarët e PBDNJ-së, preferoi të hedhë firmën për kandidatin tjetër i cili u dekretua pa asnjë kundërshti edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Po mbrëmë, Kuvendi miratoi projektligjin "Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm", që ka objekt kontrollin e Policisë së Shtetit.
P/ligji, i hartuar nga Ministria e Brendshme, synon të kontrollojë vetëm punonjësit e Policisë së Shtetit, që nga Drejtori i Përgjithshëm i saj e deri tek nëpunësi më i thjeshtë, ndërkohë që ai nuk merret me punonjës të tjerë të administratës së kësaj Ministrie. Ky draft është kundërshtuar ashpër nga opozita për vetë kompetencat e mëdha që merr ky shërbim, ndërkohë që mazhoranca nuk mori parasysh asnjë prej sugjerimeve të kërkuara nga përfaqësuesit e opozitës.