Hetuesit gjermanë po merren me çështjen e Ramadanit dhe Osmanit. Dyshohet se bëjnë pjesë në mafian ballkanike
TIRANË- Ortakët me të cilët kunati i ministrit Lulëzim Basha ka vendosur të kryejë biznes prej dy vjetësh janë nën hetimin e organeve të specializuara gjermane. Madje, Ministria e Brendshme gjermane ka arritur të dërgojë çështjen në gjykatë ku, Abdilgafar Ramadani, bashkë-ortaku i Damir Fazlliç, është nën cilësinë e personit nën hetim në gjendje të lirë për një nga aferat më të rënda në Maqedoni.
Sipas mediave gjermane, personi për të cilin punonte kunati i ministrit Basha, është shpallur person “non grata”. Ndërsa dy persona të tjerë, bashkëortakë të Abdilgafar Ramadanit, janë të dyshuar si pjesë e një grupi të fuqishëm ballkanik që kontrollojnë trafikun e prostitucioni, drogës dhe janë të përfshirë në aferat korruptive.
Abdilgafar Ramadani në Shqipëri njihet vetëm ortak i firmës “SRF Devolpens” së ndërtuar nga Damir Fazlliç dhe drejtuar nga Erion Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Por në Maqedoni dhe në Gjermani bashkëpronari i Fazlliçit është tepër i njohur. Dhe kjo jo për shkak të punës së tij, menaxher sportiv, por për shkak të përfshirjes së tij në afera që po heton nga drejtësia. Emri i Abdilgafar Ramadanit rezulton të jetë i përfshirë në një nga aferat më të rënda qe mediat gjermane dhe ato maqedonase e quajnë si simbol i manipulimeve dhe korrupsionit në Ballkan.
Nga një kërkim i thjeshtë në internet do të mësosh se personi, firmën e të cilit drejtonte Erioni Isufi, prej dy vjetësh është nën hetim nga drejtësia gjermane dhe i përfshirë në një nga skandalet më të rënda në Gjermani. Hetimet për menaxherin sportiv në Maqedoni, i njohur me emrin Fali, kanë nisur që në vitin 2006 pas “zhdukjes” së një milion eurove nga Banka Popullore e Laufenburg. Sipas mediave gjermane, menaxheri së bashku me dy ortakë të tij kishte mundur të siguronte një projekt për ndërtimin e një ndërtese të madhe në Shkup.
Ky objekt me sipërfaqe prej 35,000 metrave katrorë gjendet përballë stadiumit të qytetit. Ndërkohë që dy ortakët e Ramadanit në Gjermani, Burim dhe Bashkim Osmani, janë të arrestuar me akuzën e evazionit fiskal. Në Hamburger ka nisur një proces gjyqësor për të zbardhur errësirën e ndërtimeve ballkanase me ndihmën e Bankës Popullore të Lauenburg-ut. Gjatë gjyqit, Ramadani ka shpjeguar se si është përfshirë në këtë proces dhe se si së bashku me Bashkim Osmaninkishin marrë një kredi prej një milion euro nga Banka Popullore e Laufenburg-ut.
Duke iu referuar burimeve të Shërbimit të Fshehtë gjerman (BMD), mediat bëjnë me dije se vëllezërit Osmani janë të dyshuar edhe si pjesëmarrës të grupeve kriminale të trafikut të drogës dhe të prostitucionit. Dy muaj pasi Damir Fazlliç krijon firmën e tij në Shqipëri, Abdilgafar Ramadani arrin të posedojë 50 % për qind të aksioneve ndërkohë që administratori i saj ështëkunati i Lulëzim Bashës që aso kohe ishte Ministër i Transporteve dhe Telekomunikacionit.