Dy muaj pas krijimit firma “SRF Devolpens” ndryshoi pronar. Menaxheri Ramadani përfiton 50 % të aksioneve
TIRANË- Krijimi dhe më pas shitja e aksioneve duket se ka qenë mekanizmi i thjeshtë i përfitimit të Damir Fazlliç në Shqipëri. Të paktën kjo rezulton nga shqyrtimi i tërë dokumentacionit të firmave që krijuara përgjatë 3 vjetëve të Fazlliçit në Tiranë. Megjithëse asnjë prej këtyre firmave nuk ka asnjë aset dhe aktivitet tregtar, njeriu më i përfolur në Ballkan arrin të përfitojë thjeshtë nga shitja e aksioneve të firmave që administratorë të vetëm kanë Erion Isufin, kunatin e Ministrit Basha. E njëjta skemë është përdorur edhe për firmën ,“SRF Devolpens” ku dy muaj pas krijimit të saj zotërues i 50% të aksioneve bëhet një menaxher sporti, Abdilgafar Ramadani. Por i vetmi njeri që nuk ndryshon në të pesë firmat e Fazlliç të krijuara në Shqipëri është Erion Isufi.
Firma
Zyrat në katin e 7 të Kullave Binjake, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, aty ku edhe është adresa e një prej firmave të Damir Fazlliç janë të mbyllura. Askush nuk di asgjë për djalin 30-të vjeçar që për një kohë shumë të shkurtër arrin të bëhet menaxher i 5 firmave të krijuara me urgjencë të madhe në shtator të vitit 2005. Ndërsa përpjekjet për të realizuar një takim me “administratorin” e Fazlliçit janë të dështuara. Erion Isufi nuk pranon të bëjë asnjë koment, qoftë edhe për zhdukjen e 1.7 milion eurove nga shitja e aksioneve të një prej firmave që ai drejtonte.
Megjithëse në bazë të dokumentacionit transferta prej 1.7 milion eurove është i vetmi dokument zyrtar ku Fazlliç ka firmosur, duket se pikërisht tek shitja e aseteve qëndron dhe mjeshtëria e një prej personave më të akuzuar në media. Të njëjtën praktikë, Fazlliç ka ndjekur edhe me firmën “SRF Devolpens” që administrohej nga Isufi.
Në bazë të dokumenteve të Regjistrit Kombëtar të Bizneseve rezulton se dy muaj pas krijimit të firmës së tij, në shtator të 2005, Fazlliç vendos të shesë 50% të kuotave të firmës objekti i së cilës ishte operimi në tregun e pasurive të paluajtshme duke zhvilluar projekte ndërtimi dhe të zhvillimit urban, shitblerje dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme, dhënien e konsulencës ekonomike tregtare dhe financiare për ndërmarrjet por edhe tregtimin, import-eksportin dhe magazinimin e mallrave të ndryshëm.
Më datë 14. 11. 2005 Damir Fazlliç vendos t’i shesë gjysmën e kapitalit fillestar, prej 1 milion lekësh të vjetra, maqedonasit i njohur si menaxher sportiv Abdilgafar Ramadani me banim në Berlin. Por transfertat e Fazlliç nuk kanë fund. Po në të njëjtën datë shitet edhe “Virtu Acquistions”. Abdilgafar Ramadani ka blerë 45 % të aksioneve të kësaj firmë ndërsa shtetasi gjerman Jorgen Rober posedon 10. Në këtë datë ndryshon edhe selia e zyrës së firmave. Nga adresa e kunatit të ministrit Lulzim Basha selia e firmës shpërngulet tek Kullat Binjake përballë kryeministrisë.
Këto janë ndryshimet e vetme të firmave që brenda një ditë ndryshojnë edhe pronarë. Por përgjatë këtyre tre vjetëve, i pandryshueshëm ka qenë vetëm administratori shqiptar i këtyre tre firmave, Erion Isufi. Në mars të vitit 2005, vjen në Shqipëri, për të punuar si koordinator i KOP-it, nga ku më vonë do të mbante dhe barrën e organizimit të shtabit elektoral të kandidatit për deputet Lulëzim Basha. Pikërisht në kohën që Basha vendoset Ministër i Transporteve dhe i Telekomunikacionit, kunati i shndërrohet në një nga administratorët më të suksesshëm duke menaxhuar në të njëjtën kohë 5 firma që vetëm emrat kanë të ndryshëm.
FIRMAT E KRIJUARA NË SHQIPËRI, NË PRONËSI TË DAMIR FAZLLIÇ
Firma: CROWN ACQUISITIONS
E regjistruar më 20 shtator të vitit 2005
Administrator: Erion Isufi(deri më 4 qershor 2007)
Më 9 korrik 2007 firma i shitet kompanisë qipriote: “ALTARIA RESEARCH LIMITED” Kompania vazhdon të jetë e regjistruar në emër të Fazlliç
Adresa: Rr. Shilasi Dishnica, Pallati 2/4
Firma: VIRTU ACQUISITIONS
E regjistruar më 19 shtator 2005
Administrator: Erion Isufi
Adresa: Rr. Shilasi Dishnica, Pallati 2/4
Më 14 nëntor 2005 dy shtetas gjermanë(Abdilgafar Ramadani dhe Jurgen Rober) blenë 55 për qind të aksioneve, ndërsa adresa e firmës u zhvendos në selinë e re në . Dëshmorët e Kombit, Kulla 2, kati VIII(E njëjtë me DF TRADE LIMITED)
Firma: SRF DEVELOPMENTS
E regjistruar më 19 shtator 2005
Administrator: Erion Isufi
Adresa: Rr. Shilasi Dishnica, Pallati 2/4
Më 12 dhjetor 2005 shtetasi gjermanë Abdilgafar Ramadani bleu 50 për qind të aksioneve, ndërsa adresa e firmës u zhvendos në selinë e re“Dëshmorët e Kombit”, Kulla 2, kati VIII (E njëjtë me DF TRADE LIMITED)
Firma: DF TRADE LIMITED
E rregjistruar më 9 janar 2006
Administrator : Damir Fazlliç
Vazhdon të jetë aktive
Adresa: Bulv. “Dëshmorët e Kombit”, Kulla 2, kati VIII
Firma: ALPHA
E regjistruar më 10 shtator 2007
Administrator: Damir Fazllic
Firma është rregjistruar me prokurë të posaçme nga Av. Joana Qeleshi
Eksperte kontabël është caktuar Znj. Shpresa Breçani
Adresa: Bulv. Bajram Curri, pranë Aviacionit
Firma: ROMPETROL
Në pronësi të një grupi ortakësh shqiptaro-rumunë
Zoti Fazlliç është zgjedhur në vitin 2007 anëtar i këshillit mbikëqyrës