Qeveria ka miratuar Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë. Përcaktohet masa e zhdëmtimit në rast vdekjeje të pasagjerëve nga aksidentet
Jeta e një njeriu në Shqipëri vlen afërsisht 100 mijë dollarë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë vendim të posaçëm për përcaktimin e çmimit të jetës së një personi, por kjo është shuma që ka caktuar qeveria si masë dëmshpërblimi për çdo individ që humb jetën gjatë një aksidenti ajror. Ky është një nga risitë që sjell Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë që ka marrë pëlqimin e Qeverisë dhe që ditët në vijim pritet të kalojë për diskutim dhe më pas për miratimin në Kuvend.
Kodi
Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacionit në bashkëpunim me një sërë institucionesh të fushës së aviacionit civil vendase dhe të huaja kanë hartuar Kodin Ajror, si akti më i rëndësishëm ligjor që do të bëjë organizimin e fushës së transportit ajror. Në 153 nenet e këtij projekt-kodi krijohen bazat ligjore të të gjithë veprimtarisë së kësaj fushe, si operimit ajror dhe aeroportual, i shërbimeve kryesore dhe ndihmëse të aviacionit, krijimi dhe funksionimi i strukturave të institucioneve dhe të industrisë së aviacionit, si dhe përdorimit të hapësirës ajrore shqiptare.
Projekti i paraqitur parashikon në radhë të parë transformimin e Drejtorisë së Aviacionit Civil në Autoritetin e Aviacionit Civil si një agjenci shtetërore me statusin e një ndërmarrjeje publike, por me buxhet dhe politikë të vet të pagave. Detyrë kryesore e kësaj agjencie do të jetë licencimi dhe certifikimi i transportuesve ajrorë si dhe inspektimi i zbatueshmërisë së detyrimeve ligjore që do të lindin nga ky projekt.
Nëpërmjet këtij kodi përcaktohen për herë të parë në mënyrë të qartë edhe procedurat dhe mënyra e vendosjes së tarifave dhe çmimit të këtij transporti. Kryesisht përcaktimi i çmimeve i lihet tregut, por duke vendosur si një klauzolë të veçantë ndërhyrjen e ministrit për të vendosur apo rregulluar ato konform vlerës reale. Drafti i paraqitur jep zgjidhje për mënyrën e veprimit edhe për raste të veçanta siç është edhe shfrytëzimi i avionëve civilë për transportim armësh dhe municionesh ushtarake.
Megjithëse në pikën 1 të nenit 43 të tij, operatorëve që veprojnë në këtë fushë nuk u lejohet të transportojnë armë dhe municione, në pikat e mëpasme lihet e hapur mundësia që me vendim të Agjencisë së Aviacionit Civil, aviacionet civile mund të shfrytëzohen edhe për këtë qëllim. Kështu në pikën e dytë të këtij neni është përcaktuar se “municionet e luftës duhet të ruhen në avion në një vend të paarritshëm nga pasagjerët gjatë luftimit si dhe ato të jenë të pambushura”.
Dëmshpërblimi
Duke u bazuar në përvojën dhe praktikën europiane në fushën e aviacionit civil, hartuesit e këtij projekt-drafti i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë dhe rasteve të aksidenteve dhe dëmtimeve fizike dhe materiale të pasagjerëve gjatë udhëtimit. Në një kapitull të veçantë bëhet në mënyrë të detajuar përcaktimi i të gjitha hapave që nga investigimi dhe dëmshpërblimi për të gjitha pasojat që vijnë nga incidentet apo aksidentet ajrore.
Për këtë qëllim, në projekt është parashikuar ngritja e një strukture të re që merr kompetencat e prokurorisë dhe që për detyrë do të ketë investigimin e incidenteve të renda në fushën e aviacionit civil, strukturë që do të jetë në varësi direkte të Këshillit të Ministrave. Ndërsa sipas nenit 122 përcaktohet se operatori i avionit është përgjegjës për dëmet e shkaktuara në rast vdekjeje ose dëmtimi trupor të një personi ose për dëmtimin e pronës së tij.
Kështu, në rast vdekjeje të një personi kompensimi përfshin koston e trajtimit mjekësor, të ardhurat e munguara të viktimës së aksidentit gjatë trajtimit mjekësor deri në çastin e vdekjes dhe koston e funeralit, të cilat i rimbursohen personit që është i detyruar të mbulojë këto shpenzime. Ndërsa në rast se viktima e aksidentit ka detyrime financiare ndaj një personi të tretë, sipas detyrimeve ligjore personi përgjegjës për kompensimin është përgjegjës edhe për shlyerjen e këtyre detyrimeve, të cilat viktima parashikohej t’i shlyente gjatë jetës së vet.
Në rastet e vdekjes dhe të dëmtimeve trupore përgjegjësia e operatorit është e kufizuar e minimalisht deri në 100 mijë SDR (Njësi monetare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, vlera e së cilës llogaritet sipas metodës së vlerësimit të këtij fondi dhe që është e përafërt në vlerë me dollarin amerikan). Gjithashtu transportuesi është përgjegjës edhe për dëmtimet e shkaktuara nga vonesat në transportimin ajror të pasagjerëve, vlera e së cilës kufizohet deri në 4100 SDR. Në kod përcaktohet gjithashtu se operatori është përgjegjës edhe për dëmet e shkaktuara në rast shkatërrimi ose humbjeje të bagazheve. Në këtë rast vlera e dëmshpërblimit kufizohet vetëm në 1000 SDR.