Kreu i asamblesë socialiste ka injoruar dje nga Gjirokastra nismën e disa ish-socialistëve për formimin e një partie të re
GJIROKASTËR- “Partia Socialiste do të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009 e plotë dhe pa asnjë firo”. Kështu ka deklaruar anëtari i kryesisë së kësaj force politike, Gramoz Ruçi, në prag të startimit edhe pse jo zyrtar të fushatës elektorale, që sipas tij pritet të jetë një betejë mjaft e vështirë.
Deklaratat e Ruçit për mediat janë bërë nga qyteti i Gjirokastrës, ku anëtari i kryesisë merrte pjesë si i deleguar i kryesisë së partisë në mbledhjen e asamblesë së Partisë Socialiste për qarkun e Gjirokastrës, për marrjen e masave organizative për fushatën elektorale. “Jemi sot këtu për të marrë masat e duhura si dhe për të diskutuar problemet organizative në prag të fushatës elektorale.
Fushata për zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jetë një betejë tepër e vështirë, por nga ana tjetër zgjedhjet e përgjithshme parlamentare do të jenë një gur prove për hapat e mëtejshëm që do të hedhë Shqipëria drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe në NATO”, - është shprehur Ruçi. Ndërkaq, i pyetur në lidhje me nismën e ndërmarrë nga disa ish-anëtarë të Partisë Socialiste për krijimin e një tjetër force politike, që do të mbajë të njëjtin emër, Gramoz Ruci ka deklaruar se kjo gjë nuk e dëmton partinë në të cilën bën pjesë. “Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009 Partia Socialiste do të shkojë pa asnjë firo. Mua më vjen keq që nismat janë ndërmarrë nga disa persona që nuk njohin as legjislacionin për themelimin e një partie dhe që hedhin poshtë punën e tyre 18-vjeçare.
Por, nga ana tjetër, këto nisma tregojnë që kontributi i tyre në Partinë Socialiste nuk ka qenë sa duhet i sinqertë dhe në nivelin e duhur”, është shprehur më tej Ruçi. Ashtu si Ruçi edhe të 11 të deleguarit e tjerë të kryesisë kanë zhvilluar dje takime në qarqet respektive, ku dhe kanë mbledhur asambletë rajonale për të diskutuar planin e masave të miratuara pak ditë më parë.