Drejtuesi i Lëvizjes “G99” flet për vizitën e zhvilluar në Gjermani dhe problemet që u ngritën
Z.Veliaj, së fundi, ju dhe z.Rama keni qenë tepër aktivë në opozitën brenda vendit, por ju kemi parë duke dubluar fort qeverinë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare? Pse kjo taktike?
Opozita e sotme është jo vetëm më qytetare, por dhe me profesioniste. Ndaj kemi filluar që përpara ndërrimit të pushtetit me zgjedhjet e Qershorit të konsolidojmë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Duam me çdo kusht të evitojmë praktikën e deritanishme amatoreske të marrëdhënieve me jashtë, kur një qeveri mendonte si një çetë e papërgatitur vetëm ditën pas zgjedhjeve për botën atje tej.
Opozita ka qenë në Bruksel për të argumentuar qartë nevojën për kandidimin e Shqipërisë në BE brenda këtij viti, në SHBA për të lidhur urat me administratën e ardhshme të Shtëpisë së Bardhë, së fundi në Spanjë, Itali e Gjermani për të ‘rrëmbyer’ praktikat më të mira të qeverisjes Europiane, për të vazhduar me partnerët në Angli, Irlandë dhe vendet Skandinave.
Kjo opozitë nuk ka as kompleks inferioriteti e as habi ballkanike ndaj të huajve, i çmojmë si partnerë e i vlerësojmë për idetë – në dallim nga ata që rreshtojnë qeverinë e shtabin si fëmijët e viteve ‘80 në kohet kur vinte dikush nga jashtë me një petë çamçakëzi. Do injektojmë në programet tona të gjitha idetë që tashmë kanë funksionuar gjetiu, e do bëjmë të pamundurën për ta pasur përmirësimin e imazhit të Shqipërisë një prioritet.
Cili ishte qëllimi i takimit tuaj me zv. Kancelarin dhe ministrin e Jashtëm gjerman Frank Walter-Steinmeier? Për çfarë u diskutua? A keni informuar zotin Steinmeier në lidhje me situatën në Shqipëri dhe skandalet e fundit të zotit Berisha?
Fillimisht kemi prezantuar synimin e opozitës shqiptare për të aplikuar për statusin e kandidatit nëse do i besohej nga publiku të drejtonte vendin në 2009. Shqipëria nuk mund te mbetet një enklave jo europiane. Pas Maqedonisë e Kroacisë, statusi i kandidatit po bëhet realitet për Serbinë e Malin e Zi. Qeveria e ardhshme nuk do të ketë kompleks inferioriteti ndaj fqinjëve dhe do të aplikojë menjëherë për statusin e kandidatit brenda 2009-ës.
Së dyti, unë kam një përkushtim personal, ndoshta dhe për shkak të moshës, për ta bërë liberalizmin e vizave një realitet për të rinjtë dhe studentët. Projekti pilot me Ministrinë e Jashtme Gjermane “Udhëtim në Europë” që filloi teksa drejtoja ende MJAFT-in qe një sukses total. 100%e studentëve shqiptarë janë kthyer brenda afateve, për të provuar se nuk ka më potencial emigrimi ilegal tek të rinjtë shqiptarë.
Sot të gjithë trafikantët e kapur gëzojnë viza Schengen shumëvjeçare me disa hyrje-dalje, kurse një student ende ëndërron perëndimin pas hekurave refuzuese të ambasadave, ju kërkoj të bëni më të mirën në fuqinë tuaj për ta ndryshuar këtë realitet. Morëm premtimin e Steinmeierit për të konsideruar rritjen për kuotat e bursave dhe vizave për të rinjtë dhe studentet shqiptarë. Ky është lajm i shkëlqyer për adoleshentët e 20-vjeçarët shqiptarë. E treta, dhe më e vështira, është t’u përgjigjesh pyetjeve për korrupsionin familjar të zotit Berisha.
Një europiani i vjen mendja vërdallë nga rrjeti i djemve, vajzave baxhanakëve e kunetërve që menaxhojnë Republikën tonë. Faktet i dini vetë. Na mbetet vetëm të insistojmë që skandalet e familjes Berisha nuk janë imazhi i vërtetë i Shqipërisë, se ka rreth 700,000 mijë familje të tjera që besojnë se me punë të ndershme e kurajo civile janë tashmë europianë të denjë.
Cili ishte mendimi i palës gjermane në lidhje me skandalin e trafikut të armeve dhe represionet që po bëhen nga qeveria mbi mediat dhe institucionet e pavarura?
Steinmeier kërkoi të informohej më tej për përfshirjen e qeverisë në tregtinë e armëve si dhe shprehu shqetësim për lirinë e medias në Shqipëri pas gjobave që pasuan fushatën elektorale të filluar tashmë nga Berisha me spotet propagandistike. Ramë dakord se këto çështje përbëjnë shqetësim të vërtetë për vlerat europiane dhe morëm premtimin se do të ngriheshin për diskutim në mbledhjen e radhës së ministrave të jashtëm të BE-së.
G99 ka dorëzuar tashmë një listë me shqetësimet dhe skandalet e ditëve të fundit për t’u marrë parasysh në takimin e BE-së duke nënvizuar se imazhi i qeverisë Berisha, nuk është imazhi i Shqipërisë së vërtetë. Me këtë akt i tregojmë Berishës se opozitën shqiptare do ta ketë pas kudo që të lindë nevoja për të thënë të vërtetën aty ky shkëlqimi i tij i rremë na skuq faqen. Do të vazhdojmë të mobilizojmë mediat dhe qeveritë e huaja të na ndihmojnë në ekspozimin e këtij sharlatani. Vërtetë kemi një skenar Haitian të Duvaljesë, me një Papa Dok Berishën, Bebi Dok fëmijët e tij, etj. Por kjo Komedi – aspak – Hyjnore, s’ka pse të vazhdojë më gjatë.
Kemi mësuar se pala gjermane do t’i ofrojë opozitës shqiptare ndihmë në zgjedhjet e vitit 2009. Mund të na thoni ndonjë detaj më shumë nga kjo çështje?
Funksionarë të SPD-së tashmë kanë filluar shkëmbimet me opozitën për programin dhe fushat specifike. Fondacioni “Friedrich Ebert” është gjithashtu lehtësues brilant i shumë prej forumeve të ideve opozitare që ngjizen në Shqipëri. Këto marrëdhënie vetëm do t’i forcojmë teksa afrojnë zgjedhjet. Ndihma po na vjen nga mbi një duzinë demokracish të zhvilluara, një tregues i qartë se jo vetëm ne, por gjithë bota e zhvilluar mezi pret largimin e sovjetit të fundit që qeveris Tiranën. Sot kemi gjithë kurajon, pasionin e ndihmën për ta ndryshuar këtë vend. E duam shumë Shqipërinë për ta lënë në dorë të Berishës apo shpk-ve private që bëjnë opozitën e opozitës. Lajmi i mirë është se kanë mbetur dhe vetëm 250 ditë përpara se kjo agoni të mbarojë.
Për vizat
Sot të gjithë trafikantët e kapur gëzojnë viza Schengen shumëvjeçare me disa hyrje-dalje, kurse një student ende ëndërron perëndimin pas hekurave refuzuese të ambasadave, ju kërkoj të bëni më të mirën në fuqinë tuaj për ta ndryshuar këtë realitet. Morëm premtimin e Steinmeierit për të konsideruar rritjen për kuotat e bursave dhe vizave për të rinjtë dhe studentet shqiptarë. Ky është lajm i shkëlqyer për adoleshentët e 20-vjeçarët shqiptarë
Për situatën në vend
E treta, dhe më e vështira, është t’u përgjigjesh pyetjeve për korrupsionin familjar të zotit Berisha. Një europiani i vjen mendja vërdallë nga rrjeti i djemve, vajzave baxhanakëve e kunetërve që menaxhojnë Republikën tonë. Faktet i dini vetë. Na mbetet vetëm të insistojmë që skandalet e familjes Berisha nuk janë imazhi i vërtetë i Shqipërisë, se ka rreth 700,000 mijë familje të tjera që besojnë se me punë të ndershme e kurajo civile janë tashmë europianë të denjë.