Sekretari për programin flet për shitjen e energjisë nga kompania serbe “Rudnap”
TIRANË- PS është përqendruar e gjitha në zbardhjen e aferave të serbo-boshnjakut, Damir Fazlliç në Shqipëri. Sekretari për Programin në PS, Andis Harasani, ka deklaruar dje se mjafton vetëm një shembull, ai i furnizimit të vendit me energji elektrike për të kuptuar, sipas tij, mekanizmin e përdorur për të rrjepur qytetarin dhe për ta privuar atë nga shërbime jetike. “Berisha premtoi se në 2005 do të garantonte furnizimin me energji elektrike të zonave turistike, se në 2006 do të garantonte furnizimin 24 orë me energji të të gjithë vendit, se në 2007 Shqipëria do të fillonte të eksportonte energji. Dhe çfarë ndodhi? Miqtë e mikut qeveritar Fazlliç, kompania serbe Rudnap në 2006, shiti energji në Shqipëri me 30 deri në 35 për qind më shtrenjtë. Arriti të shesë energji, kur ndryshe nga sa thotë ligji i prokurimeve publike, nuk kishte asnjë eksperiencë të mëparshme në Shqipëri. A thua se konsulenca dhe referencat e shkëlqyera legale të firmosura në zyrën e Argitës, vlenin më shumë se ajo që kërkon ligji”,- tha Harasani. Deputeti i PS-së shtoi se Shqipëria ende njeh terrin, pavarësisht se KESH-i është groposur drejt falimentit. “Sepse ajo ç’ka mungon në arkën e shtetit, ndodhet në xhepat e miqve dhe të afërmve të kryeministrit, ndodhet në Qipro, aty ku ndodhen dhe llogaritë personale të disa prej ministrave të tij”,- tha ai. Harasani ka kundërshtuar edhe qëndrimin e dy ministrive ndaj organit të akuzës. “Në të gjithë situatën e krijuar, Partia Socialiste vlerëson si një përpjekje të poshtër rreshtimin e dy ministrive nga më kryesoret të kabinetit, Ministrisë së Brendshme dhe atë të Drejtësisë, në të njëjtin front e përballë Prokurorisë së Përgjithshme, me synimin për vënien nën kontroll të hetimit dhe shmangien e tij nga zbardhja e të vërtetës”,- tha ai.