Bregu: Fazlliç ishte në takim si biznesmen
Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, doli dje në një konferencë për shtyp për të mbrojtur punën e Tom Ridge, që, sipas saj, është atakuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama.
Hene, 13 Tetor 2008 09:05:00
TIRANË- Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, doli dje në një konferencë për shtyp për të mbrojtur punën e Tom Ridge, që, sipas saj, është atakuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Në fakt, ky i fundit i pyetur pikërisht për këtë çështje, ka deklaruar dje për mediatse nuk e ka përmendur dhe as nuk hyn në horizontin e vëmendjes së tij. Ajo që në fakt ka ngjallur reagime ka qenë prania e Damir Fazlliç në një mbledhje të sigurisë kombëtare të para dy viteve.
E pyetur mbi statusin e Damir Fazlliç në këtë takim, Bregu, duke iu referuar njoftimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, ka deklaruar se në këtë takim Këshilltari Tom Ridge shoqërohej nga biznesmeni Fazlliç. Bregu është pyetur mjaft mbi këtë pikë, por përgjigja e saj ka qenë e njëjtë. Madje takimin e dy viteve më parë, ajo e ka cilësuar thjesht një “workshop”.“Zoti Fazlliç ka shoqëruar zotin Ridge në takimet e tij edhe në workshopin, i cili është zhvilluar dhe për të cilin ju pyesni”,- tha ajo.
Për të njëjtën çështje, Zëdhënësja e qeverisë mohon të ketë përplasje mes dy ministrive, konkretisht Ministrisë së Brendshme e Drejtësisë me Prokurorinë. “Unë nuk e di të ketë një përplasje. Di që tashmë ka dy deklarata zyrtare mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë. Është një çështje në hetim dhe unë nuk mund të shprehem për çështje që janë nën hetim”,- tha ajo.
|