Ish-guvernatori, apel Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë për marrjen e masave
“Në Shqipëri ende nuk është kuptuar thelbi i krizës financiare që po trondit gjithë botën. Këtu qeveria pret reagimin e FMN-së dhe ka vetëm eufori nga mosprekja e Shqipërisë nga kriza”- Apeli është i Shkëlqim Canit, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë, i cili për të disatën herë, është ndër të paktët zëra që këshillon se Shqipëria nuk e ka luksin të mos vlerësojë situatën dramatike që po kalojnë financat botërore. I ftuar në një bashkëbisedim informal me gazetarët në Institutin Shqiptar të Medias, z. Cani këshilloi Bankën e Shqipërisë dhe qeverinë që të jenë aktive në këto kohë të vështira, si dhe parashtroi disa prej rreziqeve me të cilat do të përballet vendi në të ardhmen e afërt.
Sipas z. Cani politika që po ndjek Banka e Shqipërisë nuk është ajo që i duhet vendit dhe ajo duhet të jetë transparente me publikun dhe të ngrejë pa vonesë grupe pune për të vlerësuar situatën. Duke dashur të mos bashkohet me zërat që përpiqen të mbjellin panik në mesin e popullatës së ndjeshme për pasojat që mund të ketë kriza financiare tek kursimet private të depozituara nëpër banka, ish-guvernatori vuri theksin te pasojat që do të ketë ekonomia shqiptare në tërësi, nga recesioni në ekonomitë evropiane.
Pikësëpari Shqipëria, që ka një të tretën e popullsisë emigrante,e cila jeton në vendet e prekura nga kriza, do të përjetojë një zvogëlim të remitancave (parave që sjellin emigrantët në vendlindje), që llogariten në rreth 900 milionë euro në vit, sepse ata do të duhet të përballen me krizën në vendet ku jetojnë.
Rënia e rritjes ekonomike në Europë, që sipas Canit në vitin 2009 do të jetë rreth 0.4 për qind, do të ketë pasoja te eksportet shqiptare atje. Do të jetë një pjesë e rëndësishme e asaj që fiton Shqipëria e cila ka rreth 750 milionë euro eksporte në vit në tregun europian, me minerale, naftë bruto, tekstile apo këpucë me material porositësi. Eskportet shqiptare do të goditen edhe nga rënia e ndjeshme e çmimit të lëndëve të para.
Viti 2009 është edhe një vit i vështirë për Shqipërinë, jo vetëm pse do të jetë një vit elektoral, por sepse qeveria shqiptare do të marrë kredi tregtare, duke mos përfituar më nga kreditë e buta dhe me terma afatgjatë. Duke e konsideruar sistemin bankar në Shqipëri si të sigurtë dhe me shumë pak gjasa për të përfunduar në krizë, ish-guvernatori Cani nuk shprehu të njtëjtën konsideratë edhe për institucionet e shumta siguruese në vend, të cilat nuk janë serioze në raport me klientët dhe është një pikëpyetje e madhe se sa risigurohen ato.
Për sa u përket kredive të konsumatorëve, z. Cani shfaqi shqetësimin se vazhdimi i krizë financiare do të shtrenjtojë kredinë në valutë, përballë një leku gjithnjë e më të dobët. Dhe nuk është pak, por janë rreth 200 miliardë lekë kredi të dhëna në valutë nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri.