Debat mes dy forcave kryesore politike. Opozita kundërshton kandidaturat e propozuara nga PS
TIRANË- Zgjedhja e anëtarit të ri të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit është bërë objekt i debateve të forta mes pozitës dhe opozitës në Komisionin parlamentar të Medias. Shkak është bërë përpjekja e deputetëve të mazhorancës për të futur për miratim në rendin e ditës dy kandidaturat e propozuara prej saj, Altin Ndroqin dhe Ermal Gjinajn. Opozita e ka kundërshtuar këtë nismë, duke argumentuar se kandidaturat kanë ardhur për miratim në kundërshtim me ligjin për KKRT-në, pasi janë propozime politike dhe se diskutimi dhe votimi i tyre nuk ka qenë i përfshirë në kalendarin e punimeve të komisionit.
Mbledhja Megjithëse ishin mbledhur për të diskutuar projektligjin “Për arsimin dhe formimin profesional”, anëtarët e komisionit të medias janë përfshirë në një debat të ashpër për plotësimin e vendit vakant të anëtarit të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit. Ka qenë kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, ai që ka hapur debatin me kërkesën e vet për të marrë në shqyrtim dhe për të votuar më pas dy kandidaturat e propozuara prej tij në emër të grupit, kandidatura për të cilat anëtarët e tjerë të komisionit nuk kanë pasur dijeni.
Bëhet fjalë për kandidaturën e drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Informimit në Ministrinë e Transporteve Altin Ndroqi, i cili më parë ka punuar në një sërë pozicionesh si zëdhënës i Ministrisë së Brendshme apo edhe gazetar i Rilindjes Demokratike, si dhe për kandidaturën e Ermal Gjinajt, i cili po ashtu më parë ka punuar si gazetar në gazetën Rilindja Demokratike, si dhe ka kryer një sërë detyrash të tjera në rang këshilltarësh apo specialisti në zyra shtypi. Nisur pikërisht nga jetëshkrimi i tyre profesional, deputetët e opozitës kanë shprehur se ato vijnë në kundërshtim me ligjin për mediat, i cili kërkon kandidatura jopolitike dhe të propozuara nga shoqëria civile.
Debati
Sipas kryetares së këtij komisioni Valentina Leskaj propozimet e ardhura nga PD janë në kundërshtim me ligjin dhe shkelin marrëveshjen e 9 gushtit të vitit 2006 midis PD-së dhe PS-së të arritur edhe për KKRTnë. Së pari sepse kandidaturat e sjella janë politike pasi më parë kanë punuar në gazeta partiake siç është RD dhe së dyti sepse sipas ligjit të drejtën për të propozuar kandidatura e ka shoqëria civile.
Gjithashtu Leskaj ka theksuar se procedura e ndjekur nga PD nuk plotëson normat ligjore, pasi ligji kërkon që të propozohen katër kandidatura dhe jo dy. “Të çosh nëKKRT njerëz që vijnë nga gazeta partiake qoftë kjo Rilindja apo qoftë edhe ZP mua nuk më duket normale, për shkak sepse kjo ka qenë pjesë e debatit që ne bëmë për një vit të tërë këtu. Ju s’keni qenë atëherë këtu, por ne kemi vendosur dhe kemi arritur marrëveshjen e 9 gushtit edhe për këtë çështje që kandidaturat të mos jenë politike”, - tha Leskaj.
Por, sipas Patozit, argumentet e sjella nga përfaqësuesit e opozitës nuk qëndrojnë pasi sipas tij fakti që ata kanë punuar në një gazetë partiake nuk i bënë ata domosdoshmërisht njerëz të politizuar. “Unë po ju them se për të gjetur një shoqatë apo për të gjetur një subjekt tjetër jopolitik ne nuk do ta kishim problem fare. Ne nuk deshëm ta kapnim veshin e djathtë me dorën e majtë. Por për të vërtetuar se një njeri nuk është politik se punon në një gazetë partiake po ju them se Besnik Mustafaj ka qenë gazetar i Zërit të Popullit dhe sot është deputet i Partisë Demokratike”, - tha Patozi.
Pavarësisht insistimit të deputetëve të djathtë për ti kaluar dy kandidaturat për votim, përfaqësuesit e majtë në komision kanë kërkuar që të ftohen dhe të gjitha shoqatat dhe organizatat e interesuara mediatike që të bëjnë propozimet e tyre, për të zgjedhur më pas mes tyre. Por ky propozim nuk ka gjetur mirëkuptimin e demokratëve të cilët u kanë lënë kohë deri në mesditën e sotme për të bërë edhe ata propozime të tjera shtesë dhe për ti votuar më pas në komision. Kuvendi pritet të votojë për të zgjedhur anëtarin e ri të KKRT-së, për vendin e mbetur vakant pas shkarkimit të Frano Kullit, shkarkimi i të cilit u bë pikërisht me argumentin se krijonte konflikt ligjor, pasi ishte njeri politik.