Diel, 14 Mars 2010 20:18:00

Lexoni versionin Print

Karta, ndëshkime kush nuk i merr

Të gjithë shtetasit që deri në datën 28 qershor të vitit 2009 mbushin 18 vjeç, do të përballen me sanksione të forta, në rast se brenda prillit të ardhshëm nuk kanë aplikuar për të marrë letërnjoftimin elektronik.

Fejzi Braushi
Premte, 09 Janar 2009 08:35:00

Ministria e Brendshme shpalli dje sanksionet, që do të rëndojnë mbi qytetarët, në rast se nuk aplikojnë për pajisjen me karta identiteti

TIRANË- Të gjithë shtetasit që deri në datën 28 qershor të vitit 2009 mbushin 18 vjeç, do të përballen me sanksione të forta, në rast se brenda prillit të ardhshëm nuk kanë aplikuar për të marrë letërnjoftimin elektronik. Ministria e Brendshme, nëpërmjet numrit dy të saj, Ferdinand Pone, ka bërë të ditur një listë të gjatë masash shtrënguese, që do të ndërmarrë shteti, për të detyruar shtetasit me të drejtë vote që të pajisen patjetër me kartë identiteti.

Megjithëse këto masa mund të përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut, pasi synojnë të kufizojnë një sërë shërbimesh, zëvendësministri i Brendshëm i ka justifikuar ato me faktin se, pajisja me mjete identifikimi është një detyrim ligjor për çdo shtetas shqiptar.

Aplikimi

Procesi i pajisjes me kartë identiteti do të nisë natyrisht me fazën e aplikimit për të marrë kartë identiteti dhe pasaportë biometrike nga qytetarët. Çdo shtetas që ka këtë detyrim ligjor, do të duhet fillimisht të paraqitet pranë filialeve të postës ose pranë zyrave të financës së njësive vendore, për të bërë pagesën e faturës prej 12 mijë lekësh të vjetra, si vlerë për koston e prodhimit të kartës dhe, më pas, me mandatpagesën do të paraqitet në zyrat regjistrimit pranë bashkive, komunave apo njësive bashkiake përkatëse.

Pikërisht në zyrat e regjistrimit, që do të jenë të shpërndara në të gjitha njësitë vendore, qytetari do të kryejë procesin e dhënies së shenjës së gishtit, fotografimit dixhital, si dhe do të japë firmën elektronike, të cilat do të jenë të stampuara në kartë. Me kryerjen e këtyre detyrimeve qytetari që ka bërë aplikimin do të presë në shtëpi njoftimin për marrjen e letërnjoftimit elektronik.

Sanksionet

Afrimi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe sanksionimi në Kodin Zgjedhor i detyrimit ligjor për të votuar vetëm me karta identiteti dhe pasaporta, ka detyruar qeverinë që të vendos një sërë penalitetesh, për të detyruar qytetarët që të angazhohen në këtë proces. Zëvendësministri Ferdinand Pone, duke iu referuar vendimit të Këshillit të Ministrave të një dite më parë, ka zbardhur të gjitha sanksionet, me të cilat do të përballen të gjithë shtetasit shqiptarë me të drejtë vote, në rast se nuk bëjnë aplikimin për kartë identiteti.

Në këtë mënyrë, qytetarët që nuk aplikojnë për t’u pajisur me letërnjoftim, nuk do të përfitojnë një sërë shërbimesh si, marrjen e rrogave ose shpërblimeve për të gjithë personat e punësuar në administratën dhe institucionet publike, pagesa dhe shpërblimet për pensionistët, pagesa për ndihmë, përkrahje sociale apo çdo lloj ndihme tjetër ofruar nga institucionet publike, qendrore dhe vendore.

Gjithashtu, sanksione janë vendosur edhe për të rinjtë, të cilët kryejnë një shkollë, qoftë gjimnaz apo shkollë të lartë, të cilët nuk do të mund të futen në provimet e fundvitit dhe regjistrimin në vitin shkollor/akademik pasardhës për të gjithë ata që ndjekin studimet në shkollat e mesme dhe të larta, apo që do të kërkojnë të marrin pjesë në konkurse apo gara të ndryshme të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Masat detyruese do të shtrihen dhe në një sërë fushash dhe shërbimesh të tjera, siç është pajisja me pasaportë jashtë shtetit, shërbimet e ndryshme në zyrat e gjendjes civile, lëshim ose rinovim të lejeve, autorizimeve, licencave nga organet e pushtetit qendror/vendor.

Në vendimin e qeverisë përcaktohet, gjithashtu, se këta shtetas nuk do të lejohen të dalin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, nuk do të mund të aplikojnë dhe pajisen me certifikatë pronësie nga ana e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme apo dokumentin “Leje drejtimi automjeti” dhe kolaudimin e tyre, etj.

Vendimi i Këshillit të Ministrave u ka rekomanduar institucioneve të pavarura, Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike, që të ndjekin të njëjtat procedura për shërbimet që ato ofrojnë, normojnë me afat deri në 15 prill/30 prill 2009.

Për të pajisur çdo shtetas me të paktën një dokument identifikimi, vendimi ka përcaktuar se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u dërgon jo më vonë se data 31 janar 2008 të gjitha bashkive, komunave, njësive bashkiake, listën përkatëse të shtetasve me të drejtë vote, që nuk janë të pajisur me pasaportë. Njësia përkatëse e bën listën publike dhe njofton shtetasit e kësaj liste për të aplikuar me përparësi për letërnjoftim.


Shërbimet që mohohen

Pagesa ose shpërblime për të gjithë personat fizikë të punësuar në administratën dhe institucionet publike, nëse nuk kanë aplikuar deri më 25 shkurt 2009.

Pagesa apo shpërblime për pensionistët, nëse nuk kanë aplikuar deri më 25 mars 2009.

Pagesa për ndihmë, përkrahje sociale apo çdo lloj ndihme tjetër ofruar nga institucionet publike, qendrore dhe vendore, nëse nuk kanë aplikuar deri më 30 prill 2009.

Pranimi në provimet e fundvitit dhe regjistrimin në vitin shkollor/akademik pasardhës, për të gjithë ata që ndjekin studimet në shkollat e mesme dhe të larta, nëse nuk kanë aplikuar deri më 30 mars 2009.

Për të gjitha kategoritë e tjera që nuk kanë aplikuar deri më 1 shkurt 2009, do të ndalohet pajisja me pasaportë për jashtë shtetit.

Shërbimi në zyrat e gjendjes civile.

Lëshimi ose rinovimi i lejeve, autorizimeve, licencave nga organet e pushtetit qendror/vendor.

Dalja jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Aplikimi dhe pajisja me certifikatë pronësie nga ana e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe lëshimi i dokumentit “Leje drejtimi automjeti” dhe kolaudimin e tyre.

Lëshimi i vërtetimeve dhe dokumenteve të tjera të ngjashme me to, nga administrata gjyqësore

Shërbimi noterial

Shpërndarja e karburantit pa akcizë për fermerët

Shërbimi nga zyrat e Alba-Postës

Për shërbimet e parashikuara nga pikat 5 e në vazhdim, afatet fillojnë të zbatohen nga 1 shkurti 2009.


PS-ja shprehet skeptike për premtimin e qeverisë për shpërndarjen në ditë të mbi 20 mijë kartave

Islami: Kartat të shpërndahen falas

TIRANË- Për të rikuperuar kohën e humbur me vonesat në procesin e pajisjes së qytetarëve me mjete të sigurta identifikimi, të domosdoshme për të votuar në zgjedhjet e ardhshme, Partia Socialiste i propozon mazhorancës që shpërndarja e letërnjoftimeve elektronike të bëhet falas për të gjithë qytetarët.

Propozimi ka ardhur nga sekretari socialistë për çështjet elektorale, Kastriot Islami, i cili, duke evidentuar problemin e kohës së pamjaftueshme për pajisjen e të gjithë shtetasve me të drejtë vote me karta identiteti, në emër të PS-së, i ka sugjeruar qeverisë që të aplikojë këtë skemë, si mundësia e vetme për të angazhuar vullnetarisht qytetarët për t’u bërë pjesë e procesit.

Islami deklaron se në rast se do pranohet një variant i tillë, shtohen mundësitë për pajisje maksimale të shtetasve me këtë dokument, duke bërë të mundur që të arrihet standardi i kërkuar nga ndërkombëtarët për mënyrën e votimit.

Por, për socialistët nuk është vetëm problemi ekonomik që e vë në dyshim përfundimin e këtij procesi brenda qershorit, pasi sipas Islamit, njësitë vendore dhe zyrat e regjistrimit të ngritura për përballimin e këtij procesi, nuk kanë përvojën dhe kapacitetin e duhur për përballimin e fluksit që pritet të shkaktohet në këtë drejtim. Në këtë mënyrë, ai shprehet skeptik për premtimin që ka dhënë Ministria e Brendshme për shpërndarjen në ditë të mbi 20 mijë kartave.

Gjithashtu, një problem më vete në këtë drejtim mbetet edhe fakti se qeveria është treguar e paaftë edhe në sensibilizimin e qytetarëve me procedurat që duhet të ndjekin për marrjen e kartës dhe pasaportës biometrike. “Qytetari nuk e ka të qartë se ku do të paraqitet radhën e parë, radhën e dytë dhe radhën e tretë. Mesatarisht, i bie që çdo njësi do të prodhojë 40 karta në ditë. Duhet një kalendar shumë i qartë. Banori duhet të dijë se kur do të shkojë ta tërheqë atë”,- shprehet Islami.


---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Reagojnë përfaqësuesit e shoqërisë civile. Procesi është pozitiv por sanksionet lënë shteg për abuzim

"Sanksionet, po shkelen të drejtat e njeriut"

TIRANË- Autoritetet e Ministrisë së Brendshme po planifikojnë një fushatë të vërtetë “ndëshkimore” për të gjithë ata që bëjnë gabimin të mos marrin kartë identiteti brenda afatit të përcaktuar nga qeveria. Sanksionet përfshijnë privacione nga më të ndryshmet, por mohimi i së drejtës për të marrë pensionin, si dhe ai për t’u arsimuar për çdo qytetar që s’ia del dot të marrë një kartë identiteti, konsiderohet si teprim absurd nga aktivistë të ndryshëm socialë në vend.

Ata besojnë se t’i heqësh të drejtën për të marrë pensionin një të moshuari që s’ka marrë kartë identiteti brenda një date automatike të caktuar nga autoritetet, është shkelje e të drejtave të njeriut. Sipas shoqatave aktiviste, pagesa e pensionit është shpërblimi për kontributin e qytetarit gjatë gjithë jetës së tij në shoqëri dhe jo vlerësim i durimit për të mbajtur radhë për një certifikatë para sportelit të gjendjes civile.

Gjithashtu, edhe refuzimi i të drejtës për t’u regjistruar në universitet ose në provimet e shkollës, nëse qytetari s’është pajisur me kartën në fjalë brenda afatit, konsiderohet nga shoqatat e të drejtave civile si një shtrëngim i pakuptueshëm. Me Kushtetutë, askush në Republikën e Shqipërisë nuk mund të privohet nga e drejta për dije, për asnjë arsye.

“Një vendim që lë shteg për abuzime dhe cenon të drejtat dhe liritë e njeriut”. Këtë deklaratë, thuajse të përbashkët, kanë bërë dje dy prej drejtuesve të shoqatave në mbrojtje të lirive të njeriut. Drejtoresha Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vasilika Hysi dhe drejtoresha Ekzekutive e Grupit të të Drejtave të Njeriut, Elsa Ballauri, kanë reaguar dje ndaj masave ndëshkuese, të cilat do të ndërmarrë qeveria për të gjithë ata persona që nuk aplikojnë në zyrat e gjendjes civile të pushtetit vendor, për t’u pajisur me karta identiteti.

Drejtoresha e Grupit të të Drejtave të Njeriut, Elsa Ballauri, tha se “nëse këto masa nuk do t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve për pajisjen me karta identiteti, atëherë kemi të bëjmë me cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit”. Ballauri thotë se shoqata që ajo drejton do ta monitorojë këtë proces, ndërkohë që deri më tani, masat e publikuara, sipas saj, vetëm se lënë shteg për abuzime, megjithëse vlerëson nismën e qeverisë me pajisjen e shqiptarëve me karta identiteti.

“Frika mund të jetë nëse ka mundësi shteti të krijojë shërbime të tilla, ku çdo individ të kryejnë brenda afateve të caktuara aplikimet, apo do të përballet me radhë të gjata dhe pamundësinë për të zbatuar detyrimin që e ngarkon ligji? Nëse jo, atëherë mund të ketë risk për të shkelur dhe dhunuar të drejtat e njeriut”,- thotë Ballauri.

Por, krejt të kundërtën të thotë Vasilika Hysi, Drejtoresha Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Më shumë se sa procesi, për të shqetësuese janë grupmoshat që do të penalizohen nëse nuk aplikojnë për t’u pajisur me karta identitetit. Sipas Hysit, masat e publikuara janë tejet ekstreme dhe cenojnë të drejtat e individit. “Kufizimi i një të drejte nuk mund të shkojë deri aty sa të cenojë të drejtat themelore të ekzistencës së tij, siç është heqja e pensionit.

Ky proces duhet të shoqërohet me lehtësira, sidomos për ata persona me aftësi të kufizuar apo edhe ato që janë jashtë shtetit”, - thotë Hysi. Sipas saj, procese të tilla në vendet ndërkombëtare janë shoqëruar me gjoba dhe jo me penalizime që bien ndesh me të drejtat dhe liritë themelore të individit, siç është cenimi i pensionit apo edhe e drejta e shkollimit.


KSHH

Hysi: Në disa raste shkelen të drejtat e njeriut

Pajisja me kartë identiteti është një e drejtë e detyrë dhe kjo është e padiskutueshme. Ligji mund të ketë edhe sanksione. Në një proces të tillë shumë vende përdorin gjobe si sanksion. Këto sanksione të deklaruara nga qeveria janë një farë gjobe por jo në lekë. Personalisht do të isha për një sensibilitet më të madh të këtij procesi, se sa në ndërmarrjen e masave kaq ekstreme.

Në këto sanksione janë përfshirë edhe pensionistët,apo nuk parashikohen arsyet e bojkotit të këtij procesi. Vendimi nuk merr parasysh rastet objektive të mosparaqitjes për t’u pajisur me karta identiteti. Mund të ndodhë që një person mund të jetë i sëmurë apo të ndodhet jashtë shtetit. Në rastet e tilla, vendosja e këtyre sanksioneve është shkelje e të drejtave të njeriut.

Pra, kufizimi i një të drejte të një personi, nuk mund të shkojë deri aty sa të cenojëtë drejtat themelore, siç është cenimi i ekzistencës së tij, e kam fjalën për mospagesën e pensioneve. Ky proces duhet të shoqërohet me lehtësira, apo edhe me një shoqatë sensibilizuese. Rregullorja mund të keqpërdoret dhe lë shteg për abuzime.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML