Vizita fiktive dhe sorollatje të pacientëve, duke i detyruar ata të paraqiten sa më shpesh tek mjeku. Kështu, rritja e numrit të vizitave, që është një ndër 10 indikatorët që ndikon në rritjen e pagave të mjekëve të poliklinikave, ka stimuluar këtë situatë. Të ndodhur përballë faktit që 16 vizita në ditë nuk mund të realizohen nga të gjithë mjekët, drejtuesit e poliklinikave rekomandojnë që ky indikator ose të hiqet fare, ose të ulet numri i vizitave. Ndërsa drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Mëhill Gecaj, pohon se nuk ka qenë dakord me indikatorin e numrit të vizitave që në fillim pasi stimulon vizitat fiktive. Ndërkohë burime zyrtare pranë Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, theksojnë se numri i vizitave 16 për qytetin dhe 13 për fshatin, është mesatarja për qendër shëndetësore dhe kjo shihet në total, duke u marrë mesatarja e qendrës shëndetësore.
Vizitat fiktive
Është cilësuar si një ndër indikatorët që do të stimulojë mjekët për rritjen e rrogës, por ky indikator në disa raste është bërë stimul që të shënohen vizitat fiktive. Kështu, drejtoresha e Poliklinikës nr.5 në Njësinë nr.10 në Tiranë, Valentina Dudushi, thekson se në poliklinikën e saj një pediatër e ka të pamundur të plotësojë 15 vizita në ditë, pasi në atë zonë ka shumë pak fëmijë. Ndërsa drejtori i Poliklinikës nr.7 në Njësinë nr.11, Gjelosh Nikollaj, thekson se numri i vizitave nuk duhet të merret si indikator për rritjen e pagave pasi kjo stimulon vizitat fiktive. "Treguesi i vizitave, i cili është një ndër treguesit e performancës për të përfituar mjekët rritje page, në njëfarë mënyre stimulon vizitat fiktive. Për këtë rast, dua të theksoj se është pandershmëri profesionale dhe nuk mund të quhen mjekë",- thekson Nikollaj. Sipas tij, kontrolli në mënyrë rigoroze i vizitave nëse janë fiktive apo jo, nuk mund të realizohet pasi kjo shpesh mbetet edhe në ndërgjegjen e vetë mjekëve.
Propozimi
Numri i vizitave, si një ndër 10 indikatorët e performancës, duhet të hiqet ose të paktën të jetë më pak se 16 vizita në ditë. Ky është propozimi i mjekëve dhe drejtuesve të poliklinikave, të cilët kanë dhënë argumente të ndryshme për këtë. Sipas tyre nuk është sasia e vizitave, por cilësia e dhënies së shërbimit, ajo që tregon aftësitë e mjekëve. "Nuk duhet të jetë numri i vizitave tregues për mjekët e familjes. Është cilësia e shërbimit ndaj pacientit ajo për të cilën mjekët duhet të preokupohen",- thotë drejtuesi i Poliklinikës nr.7, Gjelosh Nikollaj. Sipas tij, fakti që poliklinikat janë në një gjendje të mjerueshme sa i takon kushteve, ndikon gjithnjë e më shumë në uljen e numrit të vizitave në poliklinika. Ndërkohë ai pohon se shumica e poliklinikave nuk kanë laborator të përshtatshëm për të kryer analiza, apo edhe mjete të tjera për ekzaminime dhe kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të vizitave në mënyrë artificiale në spitale. Gjithashtu, ai pohon se numri i vizitave për mjekët duhet t'i përshtatet normës botërore, e cila është 6 deri në 8 pacientë në ditë. Sipas tij, kjo normë duhet të krahasohet me sistemin parësor të vendeve të tjera dhe jo me krahasimin e numrit të vizitave në spitale.
Gecaj: Indikatori i numrit të vizitave duhet rishikuar
Nuk kam qenë në grupin e punës që vendosi si një ndër indikatorët për rritjen e rrogave të mjekëve të parësorit numrin e vizitave, por dhe jam shprehur kundra këtij indikatori që në fillim. Kështu u shpreh drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Mëhill Gecaj, i cili theksoi se numri i vizitave nuk mund të merret si indikator për rritjen e pagave të mjekëve të poliklinikave, pasi nuk është ky element që tregon aftësitë dhe punën reale të mjekut. "Mendoj se është cilësia e shërbimit ajo që duhet t'u ofrohet pacientëve dhe të stimulojë mjekët për një rrogë më të mirë. Mendoi se një indikator i tillë stimulon nga ana e mjekëve vizitat fiktive, ndaj jam shprehur kundra që në fillim",- thekson Gecaj. Në këtë mënyrë ai propozon që ky indikator të mos merret në konsideratë, ose të paktën numri i vizitave të jetë më pak se 16 vizita, sidomos për qendrat shëndetësore që kanë numër të vogël banorësh. Indikatori nuk duhet të merret në konsideratë, ose të paktën të ulet numri i vizitave. Ndërkohë këta ai e argumentoi edhe me faktin se një mjeku, për të realizuar një vizitë në mënyrë cilësore, duke u bazuar në normat botërore i duhet të paktën 25 minuta dhe se sa më i lartë të jetë numri i vizitave brenda një dite, aq më shumë bie cilësia e shërbimit ndaj pacientëve.
ISKSH: Vendosja e indikatorëve për të stimuluar mjekët
Vendosja e numrit të vizitave 16 për qytetin dhe 13 për fshatin është mesatarja për qendër shëndetësore, që do të thotë se për bazë merret mesatarja e qendrës shëndetësore në total. Kështu u shprehën burime zyrtare të ISKSH-së, sipas të cilëve pretendimi i mjekëve të ndryshëm dhe sidomos pediatrëve se nuk mund të realizojnë 16 vizita në ditë, mund të rregullohet brenda qendrës shëndetësore. "Duhet të theksojmë se ideja është për të stimuluar atë që punon më shumë dhe jep shërbim më të mirë, pasi pagën bazë e marrin të gjithë mjekët edhe nëse nuk plotësojnë numrin e vizitave",- pohojnë burime zyrtare të ISKSH-së. Sipas tyre, kjo është një normë e marrë nga Banka Botërore, e cila është standarde për vende që kërkojnë të japin një shërbim shëndetësor parësor sa më cilësor. "Në vendet e tjera kjo normë është 20-25 vizita në ditë, ku dita e punës është 8 orë, për 5 ditë në javë",- pohojnë burime zyrtare të ISKSH-së duke shtuar se është konvertuar në kushtet tona, kur shërbimi jepet në 6 ditë të javës dhe në 6 orë e 40 minuta, që korrespondon me 13-16 vizita në ditë.
Indikatorët që duhet të plotësojnë mjekët e parësorit
Për performancën
Numri i vizitave: 13 në ditë për mjekun në fshat, 16 në qytet
Numri i të siguruarve, jo më pak se 60% e personave të regjistruar në qendër
Për cilësinë e shërbimit
Planifikimi i vizitave të të sëmurëve
Ruajtja e përqindjes së imunizimit në standardin kombëtar
Situata e përqindjes së sëmundshmërisë kronike të të sëmurëve
Rritja e sadisfaksionit të pacientëve (ankesat, pyetësorë)
Persona të vizituar për herë të parë në shifrat 60% e zonës
Vdekshmëria foshnjore dhe amtare nën mesataren e qendrës
Mesatarja e vlerës së recetës për diagnozë në nivel rajoni
Ulja e vlerës mesatare të recetës për banorë (norma vjetore e uljes 5%)
Ulja e numrit të referimeve për mjekët specialistë (norma vjetore e uljes 5%)
Pjesëmarrja e stafit në trajnimin e vazhdueshëm