Diel, 12 Tetor 2008 20:26:18

Lexoni versionin Print

Personat që nuk dëgjojnë, operacione për të sjellë dëgjimin

Sipas ministrit Ndoka, së shpejti, për herë të parë në vend do të realizohet implanti koklear. Radovani: Është i rëndësishëm dhe i shtrenjtë

Eglantina Bardhi
Enjte, 31 Janar 2008 11:41:00

Sipas ministrit Ndoka, së shpejti, për herë të parë në vend do të realizohet implanti koklear. Radovani: Është i rëndësishëm dhe i shtrenjtë

Personat që nuk dëgjojnë ose kanë dëmtim të rëndë nga veshët, do kenë mundësinë të dëgjojnë. Për herë të parë, pritet të realizohet implanti koklear në Shqipëri, çka e mundëson shërimin e këtyre personave. Ky projekt pritet të realizohet nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me kompaninë austriake "Medel". Sipas ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, implanti koklear do të jetë një arritje shumë e rëndësishme për shëndetësinë shqiptare dhe do të kthejë në normalitet jetën e dhjetëra pacientëve, që deri tani janë mjekuar me metoda tradicionale pa mundur që t'ua kthejë atyre dëgjimin. Ndërkohë shefi i Shërbimit të ORL-së pranë Qendrës Spitalore Universitare, Pjerin Radovani pohon se në vendin tonë ka shumë persona që kanë nevojë për këtë operacion. Por nga ana tjetër ai është shumë i kushtueshëm, rreth 50 mijë Euro dhe nuk dihet nëse do të jetë i rimbursueshëm nga shteti.

Operacioni

Implanti koklear një ndërhyrje kirurgjikale për individët që kanë humbur dëgjimin, e parealizuar më parë në Shqipëri, do të kryhet së afërmi në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë. Kështu, doktor Pjerin Radovani shpjegon se ky operacion është me rëndësi ekonomike, por edhe biologjike, pasi është e vetmja shqisë që zëvendësohet. "Po ta krahasojmë këtë operacion me transplantimin e veshkës, duhet një përgatitje e madhe si për marrësin ashtu dhe për dhënësin, ndërsa për implantimin koklear mjafton një operacion pa ndonjë përgatitje të madhe të kushteve, por këtu duhet të dihet me saktësi niveli i dëgjimit të pacientit",- shpjegon Radovani. Kostoja e lartë e trajtimit të një personi që nuk dëgjon, shkon deri në 11 mijë Euro në vit dhe kjo, sipas Radovanit, mund të rikuperohet vetëm përmes kryerjes së implantit koklear, i cili kushton rreth 50 mijë euro në vendet e Bashkimit Europian. "Operacioni dhe aparatura kushtojnë rreth 30 mijë euro dhe rreth 20 mijë euro të tjera shkojnë për edukimin logopedik (mësimi i të folurit). Sipas projektit me "Medel" pritet që aparaturat të jepen me çmim të ulët, por nga ana e saj, Ministria e Shëndetësisë mund ta përfshijë këtë shërbim edhe në skemën e rimbursimit",- tregoi Radovani. Sipas tij, për kryerjen e mësimit të të folurit, në Shqipëri janë përgatitur logopedët e parë. Ai tha se ekipi i mjekëve në ORL është i plotësuar nga ana teknike, ajo që do të kryhet është specializimi i tyre për disa shërbime më specifike.

Rastet

Aktualisht në vendin tonë, bazuar në depistimet e kryera gjatë periudhës 2001- 2006 (financuar nga BE dhe qeveria italiane në 20 mijë persona), lindin me shurdhësi të thellë 3- 4 fëmijë, për 1000 lindje. Kështu u shpreh doktor Pjerin Radovani, duke theksuar se ky rezultat është dyfish më i lartë krahasuar me vendet e zhvilluara, ku ka 1- 2 fëmijë me shurdhësi të thellë. "Nga pikëpamja ekonomike, sot në vendet e Bashkimit Europian janë mbi 55 milionë njerëz që vuajnë nga problemet e dëgjimit, nga format e moderuara deri te më të rëndat. Ndërsa kostot e këtij handikapi llogariten deri në 195 milionë euro në vit",- pohon Radovani, i cili ritheksoi rëndësinë e realizimit të implantit koklear edhe në vendin tonë.

3 në 4 fëmijë, për 1000 lindje, ka në vendin tonë me shurdhësi të thellë

1 në 2 fëmijë, për 1000 lindje, kanë vendet e zhvilluara me shurdhësi të thellë


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML