Enjte, 16 Tetor 2008 05:05:09

Lexoni versionin Print

Alarm në 6 rrethe, rakia me metanol mbi normat e lejuara

Sipas studimit të ISHP-së, të gjitha mostrat e marra të rakisë në 6 rrethe kanë rezultuar me përqindje të lartë metanoli

Eglantina Bardhi
Merkure, 02 Prill 2008 10:46:00

 

Sipas studimit të ISHP-së, të gjitha mostrat e marra të rakisë në 6 rrethe kanë rezultuar me përqindje të lartë metanoli

 

 

Pijet alkoolike që prodhohen në mënyrë artizanale kanë metanol mbi normat e lejuara dhe prodhohen me enë aspak të përshtatshme. Ky fakt ndikon në mënyrë tepër negative mbi shëndetin e përdoruesve të këtyre pijeve ndaj dhe duhet të merren masa për kontrollin e tyre. Ky është përfundimi i Institutit të Shëndetit Publik, pas studimit të fundit për pijet alkoolike nga prodhuesit artizanalë. Madje të dhënat janë mjaft tronditëse pasi të gjitha mostrat e marra për studim, në 6 zonat kryesore që prodhojnë raki, kanë rezultuar me metanol mbi normat e lejuara. Studimi u krye nga specialistja Donika Boçari dhe 4 specialistë të tjerë të ISHP-së, të cilët merren me vlerësimin e cilësisë së produkteve ushqimore.

Studimi

Mostrat e pijeve alkoolike janë marrë në mënyrë rastësore nga prodhues privatë artizanalë, në fshat dhe qytet, dhe kryesisht në Shqipërinë e Mesme. Kështu, rakia sipas specialistëve ka rezultuar me metanol mbi normat e lejuara, në rrethin e Tiranës, të Durrësit, Elbasanit, Krujës, Tepelenës dhe të Fierit. Këto zona, shpjegojnë specialistët, janë përzgjedhur për të krijuar një ide të përgjithshme për përmbajtjen e metanolit dhe bakrit në raki, e cila është një nga më të preferuarat në vendin tonë. "Në fakt, rezultatet ishin tronditëse pasi të gjitha rakitë kanë një koncentrim të lartë të lartë të alkoolit etilik sepse janë raki të forta 20-21 gradë kartier",- theksojnë specialistët e ISHP-së, të cilët shpjegojnë se të gjitha këto raki mund të konsiderohen raki të forta, por krahas koncentrimit të lartë të alkoolit etilik, kanë një koncentrim shumë të lartë të metanolit mbi normat e standardit shtetëror. "Kjo tregon se, ose janë përdorur fruta me shumë pektine, pra të papjekura mirë, ose gjatë distilimit nuk janë larguar fraksionet e para të alkoolit që i përkasin metanolit",- shpjegojnë specialistët.

Pasojat

Kjo situatë sjell pasoja tepër të rënda dhe të parikuperueshme. Dëmtimet nuk kursejnë as sytë dhe as zemrën dhe në rastet më fatale, përfundojnë edhe me vdekje. Këto janë pasojat që shkaktojnë këto pije, prodhimi i të cilëve sipas specialistëve duhet të marrë fund. "Përdorimi i pijeve alkoolike në mënyrë artizanale që rezultojnë me përqindje të lartë metanoli, dëmtojnë mëlçinë, sytë dhe sistemin nervor. Këto dëmtime janë të parikuperueshme dhe kthehen në një problem shëndetësor, që po ashtu konvertohen në një kosto për individin, familjen dhe gjithë shoqërinë",- pohojnë specialistët.

ISHP: Të ndalohet përdorimi i rakisë pa kontrollin e sigurisë

Të gjitha rakitë e marrë në studim kanë metanol mbi normat e standardit tonë shtetëror duke kompromentuar kështu sigurinë ushqimore për këtë produkt. Kështu theksohet në studimin e Institutit të Shëndetit Publik, sipas të cilit, duhet të merren masa ndaj këtij problemi. "Rezultatet e këtij studimi ngrenë domosdoshmërinë për të sensibilizuar prodhuesit artizanalë dhe konsumatorët, për rrezikun që mbart prodhimi i rakisë", pohojnë specialistët e ISHP-së duke theksuar se ky studim duhet të zgjerohet për të gjitha llojet e pijeve alkoolike që qarkullojnë në treg, pavarësisht nga prodhuesi. Sipas specialistëve, kontroll i veçantë duhet ushtruar nga organet kompetente, sidomos në bar restorantet e vegjël të cilët përdorin në masë raki të prodhuara në mënyrë artizanale. Kontrolli i cilësisë së pijeve alkoolike, sidomos i përmbajtjes së metanolit, po sipas specialistëve duhet të bëhet rregullisht nga institucionet që e kanë për detyrë për të siguruar shëndetin e konsumatorit. "Duhet të ndalohet tregtimi dhe përdorimi i pijeve alkoolike pa fletë-analizat e kontrollit të sigurisë ushqimore",- bëhet e ditur në studimin e ISHP-së.

Rrethet ku rezultoi rakia me metanol

Tiranë

Durrës

Elbasan

Krujë

Tepelenë

Fier


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML