Buxhet i ulët, administratë e paqëndrueshme dhe mbi të gjitha mangësi të theksuara të formimit profesional të mjekëve të rinj. Madje edhe projektligji, i cili parashikon që spitalet të futen në skemën e Sigurimeve Shëndetësore shihet me dyshim sa i takon zbatueshmërisë dhe efekteve që do të sjellë. Këto janë problemet kryesore që po mundojnë sistemin shëndetësor në vendin tonë. Kështu, shefi i shërbimit të Neurokirurgjisë, Prof.Mentor Petrela në një intervistë për gazetën “Shekulli” shpjegon hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë emergjente për të ndryshuar situatën.
Në projektligjin që pritet të kalojë në Këshillin e Ministrave parashikohet që spitalet të futen në skemën e Sigurimeve Shëndetësore. A mendoni se sistemi ynë është gati për këtë ndryshim, dhe efektet që do të sjellë kjo skemë?
Sistemi i Sigurimeve Shëndetësore do, së pari, faturën e shërbimeve. Sistemi i sigurimeve në spital nuk do sjellë mrekullitë, pasi nuk do të jetë ai që do të shërojë të sëmurët, por ai do të jetë vetëm rregullator i mekanizmit që spitalet të funksionojnë më mirë dhe ai që është kontribuues t’i shërbehet me korrektësi. Kështu, që të shërbesh korrekt, sistemi i sigurimeve duhet të kërkojë faturën. Lind pyetja, nëse është në gjendje gjithë administrata shëndetësore që të nxjerrin në fund të kartelës edhe një faturë për të gjitha shërbimet, duke filluar që tek portieri e deri tek kostoja e fletës së një kartele. Pra, ky sistem kërkon një administratë me kulturë ekonomike që sigurimet të angazhohen. Pyetja lind a e kemi ne këtë administratë? Sigurisht që jo. Deri më sot, më tepër ka patur fjalë dhe slogane politike sesa unitete të mirëfillta që të përgatisin këtë faturë në mënyrë reale. Kjo do shkollë, do njerëz.
Ju thoni se problemi qëndron tek mungesa e specialistëve në administratë?
Në fakt, nuk është vetëm ky problemi që mundon sistemin shëndetësor. Megjithatë, mund të them se njerëzit ne i kemi patur por ndryshimet në administratë vazhdimisht i kanë hequr të drejtën edhe dikujt që mund të ketë patur ndonjë shkëndijë për të realizuar reforma të dobishme për futjen e spitaleve në skemë. Pra, nuk besoj se aktualisht të kemi njerëz që të përgatisin dhe të punojnë kartelën nga ana e shifrës.
A mendoni se buxheti i vogël për Shëndetësinë, është ndër shkaqet kryesore për situatën problematike në sistemin shëndetësor?
Një industrialisti gjerman, kur i thanë që kë kapitalin, mjetet dhe njerëzit, dhe i duhej të zgjidhte njërën nga këto, ai zgjodhi njerëzit. Problemi mendoj se fillon tek njerëzit dhe natyrisht ka të bëjë edhe me buxhetin. Me buxhet 3 për qind në vit, nuk mund të pretendohet të ketë mjekësi. Këtë nuk e kam thënë unë, por e kanë thënë organizma ndërkombëtare shumë të rëndësishme. Merrni shembull vendet rreth e rrotull. Njerëzit duhet të jenë të qartë se nuk ka si të ketë mjekësi të mirë në Shqipëri kur harxhohen 80 euro për frymë, bashkë me bashkëpagesën që bëjnë të sëmurët, kur në Greqi kjo shumë është 1900 euro, në Itali rreth 2800 euro dhe në Slloveni është 1800 euro. Pra problemi është se mungojnë njerëzit mungojnë dhe aparaturat. Pra, mendoj se dy janë anët negative për shëndetësisë, që është sistemi administrativ që çalon dhe mungesa e buxhetit dhe me gisht tregohet personeli mjekësor, i cili nuk është përgjegjës fare. Ka gjynahet e veta për një pjesë, por nuk është ai përgjegjësi për këtë.
Petrela:
Asnjë qeveri nuk ka treguar seriozitet në formimin e njerëzve
Profesor Mentor Petrela shpjegoi se si mund të rregullohet sistemi shëndetësor në vendin tonë. Këta ai e filloi pikërisht nga formimi i specialistëve. “Së pari, duhen njerëz. Por formimi i njerëzve ka kosto pasi ata nuk formohen menjëherë. Njerëzit duhet t’i përgatisësh me dekada. Në këtë drejtim nuk ka patur seriozitet në asnjë qeveri. Pra nuk janë harxhuar para nga qeveria për këtë drejtim”,- pohon Petrela. Ndërkohë ai shpjegon se për të ilustruar këtë fakt mori shembull Fletoren Zyrtare të kohës së Zogut, të viteve ’38. Në këtë Fletore kishte rreth 100 specialistë që studionin për mjekësi me paratë e tyre jashtë shtetit dhe 98% ishin nga buxheti i Qeverisë së Zogut. “Në atë kohë në fakt nuk ka patur universitet, por bëheshin specializime jashtë. Sot ka universitet, por duhet të ekzistojë një buxhet që të dërgojë specialistë në mjekësinë respektive të vendeve të zhvilluara. Kjo nuk ka filluar. Pra unë jam me parimin që më intereson njeriu, por jo milionat e miliardat”,- thekson Petrela.