Vartësi i drogës, M.D., nga Durrësi tregon historinë e tij. Si shkatërrova jetën time dhe të prindërve
Fytyrë e verdhë dhe trup që mbahet në një skelet të gjatë prej kockash, i cili dridhet si një gjethe peme që është duke rënë. Ndërsa zërin e ka aq të ulët, sa duhet ta pyesësh më shumë se 2 herë për të dëgjuar se çfarë thotë. Madhe droga e ka katandisur deri në atë pikë sa edhe sytë i janë mbuluar nga rrema gjaku të kuq, aq sa është vështirë t’ia dallosh ngjyrën e kaltër. M.D., është 22 vjeç dhe ka nisur të jetë përdorues i drogave që kur ishte 15 vjeç e tashmë duket se e ka të pamundur të ndahet nga droga. Duke pranuar të tregojë historinë e tij tek Qendra “Aksion Plus” dhe të japë mesazh për të gjithë bashkëmoshatarët e tij, ai thekson se droga është e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një personi.
Sa vjeç jeni dhe kur keni filluar të përdorni drogë për herë të parë?
Jam 22 vjeç dhe drogën e fillova kur isha vetëm 15 vjeç. Në fillim e nisa me hashash, por pas një viti kalova në heroinë.
Cila ishte arsyeja që vendosët të përdorni drogë?
Ishte kurioziteti, kur e mora për herë të parë. Por shumë shpejt u bëra vartës, sidomos kur fillova heroinën.
A ishte e vështirë për t’i siguruar këto lëndë?
Sa më shumë e përdor, më e vështirë bëhet. Çmimet çdo ditë po rriten. Policia po gjurmon spaçatorët (shpërndarësit) dhe arsyeja tjetër është se nuk po siguroj dot lekët. Nëse kur isha 15 vjeç u thoja atyre të shtëpisë se më duhen 5 mijë lekë se do ha picë me shoqërinë, tashmë, ata e dinë se unë marr drogë e këto gënjeshtra nuk më ecin më.
Kur vendosët të linit drogën?
Këtë e vendosa para 3 vitesh, kur më vdiq edhe babai. E kuptova shumë mirë hallin që kishte zënë familjen dhe mua. Jam penduar shumë e nuk kam më forcë t’u kërkoi ndjesë njerëzve të mi të cilëve u shkatërrova jetën.
Në momentin që nuk keni mundur të siguroni paratë për drogën, si ia kenë bërë?
Unë personalisht, kam arritur që t’ia dal duke e marrë kokainën në Durrës pak më lirë dhe duke e shitur në Tiranë pak më shtrenjtë. Me paratë që fitoja, blija drogën për ta përdorur vetë.
Kjo do të thotë se ju keni bërë edhe rolin e shpërndarësit të drogës. Policia iu ka ngacmuar ndonjëherë?
Jo, unë asnjëherë nuk kam patur probleme me policinë. Kam shumë shokë që janë aktualisht në burg. Ndoshta unë kam shpëtuar disa herë, pasi jam edhe me studime në Itali dhe zhdukem sa andej-këtej. Të gjithë shokët e mi e kanë nga një eksperiencë me policinë.
Cili është mesazhi që do t’i përcillni moshatarëve të tu?
Rrini sa më larg drogës. Ajo shkatërroi jetën time dhe të prindërve të mi. Nëse bëhesh vartës i saj, mendo se je drejt fundit dhe është pothuajse e pamundur për t’u kthyer pas.
Sulaj: Qytetet e vogla, në hartën e përdoruesve të drogës
E ndërsa thekson se shtrirja e fenomenit po shihet tek femrat, ai thekson se edhe qytet e vogla tashmë janë në listën e zezë të përdoruesve. “Nëse më parë fenomeni ishte më shumë i përhapur në Tiranë, Durrës apo Shkodër, tashmë është shtrirë në të gjitha qytetet e vendit si në Berat, Laç, Sarandë e Gramsh, ku në të këtë të fundit, mendohet se rreth 50 për qind e të rinjve përdorin drogë”,- thekson Sulaj, duke shtuar se kjo është tepër shqetësuese pasi përhapja në shumë zona e bën shumë të vështirë kontrollin dhe rehabilitimin e këtyre përdoruesve. Ndërkohë ai shpjegon disa nga arsyet, të cilat fillojnë me kuriozitetin e të rinjve për të provuar këtë kënaqësi. Zihni Sulaj thekson se, një nga arsyet e rritjes se konsumatoreve të drogës, është mungesa e motivimit dhe shmangia nga rrjedha normale e shoqërisë. “ Mendoj se mungon modeli pozitiv i individit nga ana e institucioneve shëndetësore, por dhe nga ana e medias. Një model pozitiv ku të droguarit të mbështeten dhe të gjejnë arsye për të lënë drogën”,- pohon Sulaj. Sipas tij, të rinjtë sot e kanë të vështirë të gjejnë punë, kanë probleme ekonomike, divorcet e prindërve kanë shumë të bëjnë në nisjen e drogës, ndërsa tek vajzat ndikojnë dhe problemet e dashurisë.
a
Sipas mjekut të “Aksion Plus” vetëm 20% e vartësve të drogës i kthehen normalitetit
Sulaj: Fenomeni në rritje
Vartësit, vjedhje dhe prostitucion për të siguruar drogën
Rrugë pa kthim. Madje kjo rrugë i dërgon në destinacionin më fatkeq, që as nuk mund ta kishin menduar. Degradim deri në ushtrim prostitucioni vetëm për të përfituar pak nga pluhuri i bardhë, që në këmbim të kënaqësive të momentit u shkatërron jetën. Ky është rezultati që përfitojnë pjesa më e madhe e personave që përdorin drogë. Doktori Kareman Harxhi, i cili prej 3 vitesh pret përdoruesit e drogës pranë Qendrës “Aksion Plus” për t’i trajtuar me metadon, thekson për gazetën “Shekulli” se vetëm 20 për qind e tyre arrijnë t’i kthehen normalitetit, ndërsa pjesa tjetër mbeten vartës të drogës pavarësisht përpjekjes së madhe për ta lënë atë. Ndërsa shefi i shërbimit të Toksikologjisë, Zihni Sulaj, tregon panoramën e këtij fenomeni dhe aktivitetin e shërbimit të vetëm publik me 15 shtretër që pret mijëra të droguar nga i gjithë vendi. Ndërsa 25-vjeçari J.P., i cili po trajtohej në këtë qendër, tregoi se si kishte rënë pre e drogës dhe përpjekjet që po kalon ai për ta lënë vesin e mallkuar.
Degradimi
Bëhen vartës të drogës e për ta siguruar atë bëjnë gjithçka. I transformon jo vetëm nga ana fizike, por edhe në karakter. Kështu u shpreh profesor Kareman Harxhi, i cili theksoi se në shumicën e rasteve, vartësit e drogës jo vetëm që nuk mund ta lenë atë por degradohen deri në atë pikë, sa nuk njohin më asnjë normë e moral. “Nga praktika jonë 3-vjeçare vetëm 20 për qind e të trajtuarve i janë kthyer jetës normale, ndërsa pjesa më madhe e kanë rifilluar përsëri drogën pasi e kanë patur të pamundur për ta lënë atë pavarësisht përpjekjeve të mëdha që kanë bërë”,- pohon Harxhi. Sipas tij, droga tek këta persona ka lënë shumë pasoja, duke i transformuar ata edhe sa i takon karakterit, pasi bëhen të ashpër duke krijuar probleme me familjen dhe shoqëri. “Kulmi i sjelljes së tyre arrin deri tek veset e këqija, që nga vjedhjet, mashtrimet e deri tek prostitucioni vetëm për të siguruar lekët për të marrë drogë”,-pohon Harxhi. Ndërsa vartësi i drogës J.P., i cili po trajtohet pranë “Aksion Plus” me metadon, thekson se është prej 5 vitesh përdorues i rregullt i drogës dhe se po bën maksimumin për ta lënë atë. “Dikur e nisa të pi hashash për kuriozitet dhe kënaqësia më shtyu të përdor edhe heroinë. Tashmë jam i varur prej heroinës dhe po vuaj deri në vdekje për ta lënë, por duket se më ka mposhtur”,- thotë ai.
Përhapja
Tragjike, por e vërtetë. Përdoruesit e drogës po shtohen gjithnjë e më shumë, ndërsa strukturat shtetërore nuk marrin asnjë masë për frenimin e këtij fenomeni. Që në kohën kur u krijua Qendra e Toksikologjisë, pranë Spitalit Ushtarak, ka mbetur e vetmja me 15 shtretër. “E kam theksuar gjithmonë se fenomeni po kthehet në tragjedi për mijëra të rinj dhe familjarë, ndërkohë që mungojnë strategjitë për rehabilitimin e tyre”,- thekson Sulaj. Sipas Zihni Sulajt, përdoruesit e drogës fillojnë nga moshat minorene 15 vjeç e deri tek të rriturit rreth të 45-ve. “Që nga krijimi i saj, kjo qendër ka pritur rreth 15 mijë përdorues droge ndërkohë që numri i tyre është shumë herë më i lartë, pasi j të gjithë paraqiten për ndihmë mjekësore”,- pohon Sulaj duke shtuar se vetëm për periudhën janar-qershor të këtij viti janë trajtuar 1500 persona që marrin drogë.