Pavioni i Kardiokirurgjisë në QSUT, ka dalë jashtë funksionit prej 4 ditësh. Pacientët e infektuar në gjendje të rëndë
Kardiokirurgjia
Sallat e operacionit në pavionin e Kardiokirurgjisë në QSUT, kanë rezultuar në tejndotura nga ana mikrobiologjike. Kjo ka shkaktuar rëndimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve që janë operuar në këto salla. Laboratori Bakteriologjik konstatoi praninë e mikrobit të Stafilokokut në sallën e operacionit. Kirurgu i këtij shërbimi, Arben Baboçi pohon se sallat e operacionit janë jashtë funksionit prej 4 ditësh për shkak të mikrobeve. Ndërsa familjarët e pacientëve ankohen për situatën e krijuar dhe kërkojnë të merren masa emergjente.
Sallat me mikrobe
Sallat e operacionit u kanë “dhuruar” mikrobin stafilokok, duke iu rrezikuar seriozisht jetën. Kështu, pas kryerjes së operacionit 4 pacientë janë infektuar me Stafilokok. Njëri prej tyre është transportuar në sallën e reanimacionit në gjendje shumë të rëndë. Kirurgu i zemrës, Arben Baboçi pohon se në sallat e operacionit është gjendur një ngarkesë më e madhe se zakonisht me mikrobe. “Nuk është hera e parë që ndodh kështu dhe sipas rekomandimeve të laboratorit, bëhet mbyllja për disa ditë e sallës së operacionit dhe sterilizimi i plotë i saj me metodat përkatëse”,- pohon kirurgu, duke shtuar se sallat janë jashtë funksionit prej 4 ditësh dhe se po presin t’u vijnë përgjigjet nga laboratori për gjendjen e sallave të operacionit pas sterilizimit. Sipas tij, në bazë të kësaj përgjigjeje, për të cilën shpresojnë se do të jetë pozitive, mendojnë se do të fillojnë punën. Ndërkohë, qendra e infeksioneve spitalore ka dezinfektuar sallat dhe po kryen mbjelljen e nevojshme të mostrave deri në zhdukjen e infeksionit, në mënyrë që të japin afatin se deri kur mund të fillojnë të funksionojnë sallat e operacionit.
Stafilokoku, shkakton rritjen e temperaturës pas operacionit dhe në disa raste ai është vdekjeprurës. Një pacient ka humbur jetën 2 ditë më parë në këtë pavion, por nuk dihet nëse kjo ka ardhur për shkak të këtij infeksioni.
Pacientët
Të revoltuar dhe tepër të zhgënjyer janë ndier të afërmit e pacientëve nga situata e krijuar në sallat e operacionit. Kështu, ata tregojnë se si të afërmit e tyre kanë rënë pre e infeksioneve spitalore, duke iu rrezikuar jetën. “Kunati im ka më shumë se 10 ditë që është operuar dhe ende është në gjendje shoku. Vetë kirurgu i zemrës që e operoi, deklaroi se infeksionin e ka marrë në spital”,- pohon njëri nga të afërmit e pacientëve të infektuar, duke shtuar se mjekët u kanë thënë se është infeksion i rëndë dhe nuk kanë çfarë t’i bëjnë. Ndërkohë ata theksojnë se kërkojnë që të dalë përgjegjësia nga Drejtoria e Spitalit të QSUT-së dhe nga Ministria e Shëndetësisë. “Përse nuk dezinfektohen sallat e operacionit para se të operohet pacienti? Kjo është skandaloze dhe nuk besojmë se ndodh askund”,- pohuan të afërmit e pacientëve.