Premte, 29 Gusht 2008 08:45:20

Lexoni versionin Print

Kam nevojë për transplant!

Nuk besonte më. Në 6 vite të lodhshme, Blerta nuk ka lënë dyer të institucioneve pa trokitur, në endjen e gjatë për të ndihmuar bashkëshortin që vuan nga një infeksion i tmerrshëm në mëlçi.

Dritan Laci
Merkure, 09 Korrik 2008 08:18:00

 

Nuk besonte më. Në 6 vite të lodhshme, Blerta nuk ka lënë dyer të institucioneve pa trokitur, në endjen e gjatë për të ndihmuar bashkëshortin që vuan nga një infeksion i tmerrshëm në mëlçi. Të gjithë i kthenin krahët, ndërkohë që ajo dhe familja e saj e re kishin nevojë për ndihmë më shumë se kurrë. Por njeriu është i fortë. Gjithmonë ai rron me shpresën se do t’ia dalë mbanë. Me gjithë besimin e humbur te ndihma e institucioneve, Blerta nuk reshti së kërkuari mundësi shpëtimi. Ajo trokiti sërish, për të rikthyer edhe njëherë besimin në vetvete, se gjithçka në këtë botë është e mundur. Për gjatë gjithë këtyre viteve, nëna e dy fëmijëve nuk ka kërkuar gjë tjetër, vetëm një ndihmesë sado të vogël për të rikthyer si më parë shëndetin e bashkëshortit, i cili lëngon në shtrat, pa qenë në gjendje t’u vijë në ndihmë. Ditë më parë, Blerta kërkoi ndihmën e gazetës “Shekulli”, ndërsa jo më larg se dje, trokitën në derën e Ministrisë së Shëndetësisë për të marrë një fije shprese.

***

Sabriu, bashkëshorti i Blertës, është diagnostifikuar në vitin 2002 me Hepatit B dhe C, dy viruse të rënda që prekin mëlçinë e njeriut. Që nga ajo kohë e deri më sot, ai është i pamundur të punojë. Prej mëse dy javësh, 42-vjeçari qëndron i shtruar për të disatën herë në gjendje jo të mirë shëndetësore, në repartin e Gastro-Hepatologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ai ka këputje të trupit, dhe është i pafuqishëm për të lëvizur. Blerta na rrëfen se bashkëshorti mendohet të jetë infektuar me Hepatitet B dhe C, tri vite para se të diagnostifikohej. Kështu i kanë thënë mjekët. Në vitin 1999, Sabriu ka punuar në një shoqëri duralumini, në vendosjen e dyerve dhe dritareve, në Spitalin Infektiv në Tiranë. Këtu lind edhe dyshimi i madh që kanë mjekët dhe familjarët, të cilët hedhin hipoteza se një gërvishtje e vogël mund të jetë bërë shkak për mbartjen e infeksionit. Nga momenti i diagnostifikimit, deri më vitin 2006, babai i dy vajzave është kuruar me Interferon dhe Peginterferon, medikamente këto që luftojnë hepatitet. Por infeksioni ishte më i rëndë se ç’pritej. Ilaçet nuk arritën të luftojnë virusin. Dy vite më parë mjekët u detyruan të ndërpresin kurën, ndërkohë që nga ajo periudhë e deri më sot, Sabriu është pa ilaçe. Tashmë Sabriu mbahet me serume dhe antibiotik, ndërsa mjekët përfundimisht janë shprehur se e vetmja mundësi shpëtimi për 42-vjeçarin, është transplanti i mëlçisë.

***

Në Shqipëri, ky operacion është i pamundur. Për më keq, vendi ynë nuk ka asnjë marrëveshje bashkëpunimi me shtetet që mundësojnë kryerjen e këtij transplanti. Është kjo një histori e mësuar përmendësh, që nuk është momenti të ndalesh gjatë. Të vetmet shtete në Evropë që krijojnë lehtësirat për të kryer një operacion të tillë janë Italia, Anglia, Gjermania dhe Franca. Blerta na rrëfen se gjendja e bashkëshortit të saj sa vjen e rëndohet nga dita në ditë. Disa muaj më parë, Sabriu ka pësuar si pasojë e uljes së numrit të trombociteve në gjak, Encefalemi (paralizë) të fytyrës. Vetë mjekët janë shprehur në epikrizën që ata kanë formuluar se 42-vjeçari ka nevojë të ngutshme për transplant të mëlçisë. Por për të kryer transplantin e mëlçisë, Sabriut i duhet të qëndrojë rezident në një nga vendet që marrin përsipër ndërhyrjen e vështirë kirurgjikale. Në kërkimet e saj të vazhdueshme, Blerta ka mësuar se një nga vendet më të suksesshme në kryerjen e transplantit të mëlçisë, është Italia. Ajo është gati të japë çdo garanci për të ndihmuar bashkëshortin. Dashuria për familjen e shtyn Blertën të bëjë çdo sakrificë, në këmbim të shëndetit të bashkëshortit. “Jam gati të shes edhe shtëpinë, nëse duhet, vetëm që bashkëshorti im të bëhet mirë. Kam dërguar epikrizën në Itali, Angli, Gjermani, madje edhe në Amerikë. Të gjithë mjekët që kam kontaktuar në këto vende, më kanë kthyer përgjigje se bashkëshorti im ka nevojë për transplant. Por për të kryer një ndërhyrje të tillë, Sabriu duhet të jetë në listën e pritjes, që do të thotë se ai duhet të jetë rezident në vendin ku do të kryhet ndërhyrja”. Nëse duhet, Blerta është e gatshme, gjithashtu, të kthehet vetë në dhuruese të mëlçisë për bashkëshortin. Tanimë, transplanti i mëlçisë mund të kryhet jo vetëm me organe të marra nga kadavrat, por nëse përputhet, edhe nga dhurues të gjallë.

***

Mëngjesin e djeshëm, bashkë me Blertën, trokitëm në Ministrinë e Shëndetësisë. Duhej të qëndronim me këmbë në tokë. Mundësitë e shtetit tonë në të tilla raste, dihen. Gjithkush ka të drejtë të trokasë, punë tjetër nëse ta hapin ose jo derën. Blerta ishte e vetëdijshme për mundësitë që ka vendi ynë, aq më shumë në transplantin e mëlçisë. Nuk ishim pesimistë. Gjithmonë ka vend për besim. Në zyrën e Marrëdhënieve me Jashtë, Blerta u takua me specialisten Estinela Dashi, e cila me dashamirësinë më të madhe, i shpjegoi të gjitha rrugët e mundshme, se si mund të veprohet në rastin e bashkëshortit të saj. Por ajo që vlen të theksohet, është premtimi i dhënë nga Ministria e Shëndetësisë për dërgimin e notës verbale në Ambasadën Italiane, për kalimin rezident në këtë vend të bashkëshortit të Blertës, menjëherë sapo të bëhet gati dokumentacioni mjekësor. Në fakt, ky është edhe qëllimi i Blertës, e cila nuk kërkon gjë tjetër, vetëm të rendisë bashkëshortin në listën e pritjes së pacientëve që kërkojnë të kryejnë transplantin e mëlçisë. Tashmë, le të shpresojmë që po kaq e gatshme për të ndihmuar Sabriun të jetë edhe Ambasada Italiane në Tiranë, nga e cila varet e gjithë procedura.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML