Hene, 13 Tetor 2008 16:02:26

Lexoni versionin Print

Poliklinikat, shpërblim 1 pagë mujore për 9 mijë punonjës

Personeli i Shërbimit Shëndetësor Parësor do të përfitojë 1 muaj rrogë shpërblim për 6-mujorin e parë të këtij viti. Kjo, falë treguesve të mirë të performancës që kanë treguar mjekët në kuadër të reformës në sistemin parësor.

Eglantina Bardhi
Enjte, 10 Korrik 2008 08:46:00

 

Sipas ISKSH-së, 9 mijë punonjës të parësorit do marrin shpërblim për 6-mujorin e parë të vitit

 

Personeli i Shërbimit Shëndetësor Parësor do të përfitojë 1 muaj rrogë shpërblim për 6-mujorin e parë të këtij viti. Kjo, falë treguesve të mirë të performancës që kanë treguar mjekët në kuadër të reformës në sistemin parësor. Këtë e bëri të ditur Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, të cilët premtuan se shpërndarja e këtyre shpërblimeve do të nisë këto ditë.

Shpërblimet

Në fakt, punonjësit e shërbimeve publike janë mësuar të marrin shpërblime vetëm në fund të vitit, por për personelin e poliklinikave do të ndodhë ndryshe pasi shpërblimet do t’i marrin edhe në mesin e verës. Kështu, janë rreth 9 mijë punonjës të sistemit parësor, që do të kenë fatin që të shpenzojnë për pushimet e tyre një pagë mujore shpërblim. Sipas ISKSH-së këtë shpërblim do ta marrin mjekët e familjes, mjekët specialistë, infermierët dhe i gjithë personeli mbështetës. “Brenda buxhetit të përcaktuar nga ISKSH për Qendrat Shëndetësore, vetë qendrat do të kenë mundësi të shpërndajnë deri në 1 pagë mujore, sipas realizimit të treguesve të performancës për çdo qendër. Shpërblimi do të shpërndahet brenda pak ditësh dhe do të përfitojnë rreth 9 mijë vetë personel shëndetësor në Shërbimin Shëndetësor Parësor”,- pohojnë burime zyrtare të ISKSH-së. Sipas tyre paga bruto për mjekët në shërbimin shëndetësor parësor varion nga 37.000 lekë të reja, në 76.000 lekë, ndërsa për personelin tjetër (infermiere, sanitare, shoferë etj.) varion nga 19.000-25.000 lekë. Ndërsa fondi në total i akorduar nga ISKSH në buxhetin e qendrave shëndetësore për shpërblimin e 6-mujorit, është 270 milionë lekë të reja.

Reforma

Që nga 1 janari 2007, ka nisur të zbatohet reforma në Shërbimin Shëndetësor Parësor. Sipas ISKSH-së, për herë të parë janë krijuar qendra shëndetësore autonome, dhënëse të shërbimeve të kujdesit parësor, të cilat funksionojnë si një ekip profesionistësh të kontraktuar me sigurimin shëndetësor, kundrejt dhënies së një pakete të mirëpërcaktuar shërbimesh shëndetësore, me llogari bankare dhe status të veçantë. “Sigurimi shëndetësor lidh kontratën me përgjegjësin e Qendrës Shëndetësore dhe, nga ana tjetër, përgjegjësi i qendrës lidh kontrata individuale punësimi me çdo pjesëtar të stafit të qendrës”,- pohojnë specialistët e ISKSH-së, duke shpjeguar se kanë kontrata me 418 qendra shëndetësore në shkallë vendi, të cilat mbulojnë Shërbimin e Kujdesit Shëndetësor Parësor. Numri më i madh i këtyre qendrave shtrihet në rajonin e Elbasanit, me 52 qendra, rajoni i Fierit, me 45 qendra, rajoni i Tiranës, me 40 qendra, rajoni i Korçës, me 39 qendra, rajoni i Shkodrës, me 37 qendra, rajoni i Dibrës, me 35 qendra.

Indikatorët që duhet të plotësojnë mjekët e parësorit

Për performancën

Numri i vizitave: 12 në ditë për mjekun në fshat, 14 në qytet

Numri i të siguruarve, jo më pak se 60% e personave të regjistruar në qendër

Për cilësinë e shërbimit

Planifikimi i vizitave të të sëmurëve

Ruajtja e përqindjes së imunizimit në standardin kombëtar

Situata e përqindjes së sëmundshmërisë kronike të të sëmurëve

Rritja e sadisfaksionit të pacientëve (ankesat, pyetësorë)

Persona të vizituar për herë të parë në shifrat 60% e zonës

Vdekshmëria foshnjore dhe amtare nën mesataren e qendrës

Mesatarja e vlerës së recetës për diagnozë në nivel rajoni

Ulja e vlerës mesatare të recetës për banorë (norma vjetore e uljes 5%)

Ulja e numrit të referimeve për mjekët specialistë (norma vjetore e uljes 5%)

Pjesëmarrja e stafit në trajnimin e vazhdueshëm

Sipas specialistes së ISHP-së, Bino, mikrobi Stafilokok është gjendur edhe në sallat e Kukësit, Vlorës, Shkodrës dhe Spitalit Ushtarak

ISHP: Sallat e operacioneve, me ndotje bakteriale edhe në rrethe

Salla operacioni të infektuara me mikrobe dhe asnjë garanci për shëndetin e pacientëve. Kjo është situata në disa spitale të vendit, ku problemi i infektimit të sallave duket që nuk është vetëm i shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por edhe i spitaleve të rretheve të tjera. Kështu, shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, thekson se rezultatet e analizave flasin negativisht pasi mikrobi “Stafilokok” është prezent në shumë salla operacioni. “Salla operacionesh të infektuara janë vërejtur edhe në spitalin e Kukësit, Vlorës, Shkodrës dhe në Spitalin Ushtarak”,- thekson Bino. Sipas saj, nëse rezulton se Kardiokirurgjia në QSUT rezulton e infektuar me “Stafilokok”, pacientët duhet të largohen nga andej. Infektimi nga ky mikrob sjell temperaturë të lartë tek pacientët e operuar duke dëmtuar seriozisht shëndetin e tyre, deri edhe në humbje të jetës.

MSH: 15 pacientë drejt Ankarasë për transplantin e veshkës

Transplanti i veshkës do të operohet falas për 15 pacientë në spitalet e Ankarasë në Turqi. Kjo u miratua dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, i cili vendosi një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2008 për mbulimin e shpenzimeve për kryerjen e këtyre ndërhyrjeve kirurgjikale. Ndërkohë, dikasteri i Shëndetësisë bën të ditur se rastet janë përzgjedhur nga Shërbimi i Nefrologjisë, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si më të përshtatshëm për transplant, për të cilët në mënyrë të detyrueshme ekziston dhuruesi i organit, i cili është një familjar. “Insufiçenca Renale, ose e thënë ndryshe, paaftësia e veshkës njerëzore për të kryer funksionet e saj në organizëm, përbën një diagnoze të rëndë, e cila shkakton dhe shoqërohet me një sërë kostosh për shoqërinë duke çuar në paaftësi të shkallëve të ndryshme të pacienteve me moshë nga fëminore e deri në moshat e treta”,- shpjegojnë mjekët.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML