Sanitaret e QSUT-së kanë protestuar dje para Drejtorisë për pushimin e tyre. Drejtoria: Janë të tepërta në punë
Reforma në Qendrën më të madhe Spitalore në vend ka rënë mbi kategorinë më të varfër të punonjësve, që janë sanitaret. Kështu, rreth 45 sanitare kanë marrë lajmin se duhet të largohen nga puna për shkak të shkurtimeve që duhet të bëhen në këtë sektor. Por këtë lajm ato e kanë përjetuar shumë keq, duke theksuar se me ato rroga mbajnë familjen dhe se do t’u drejtohen protestave, për të mbajtur vendet e punës. Ndërsa zëdhënësi për shtyp i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Alvi Bajramaj ka shpjeguar se këto vende punë janë të tepërta ndaj dhe do të bëhen shkurtime në sektorin sanitar, me rreth 112 vende pune.
Sanitaret
Vendim i padrejtë dhe aspak njerëzor. Kështu e kanë quajtur sanitaret vendimin e Drejtorisë së QSUT-së për largimin e tyre nga puna, të cilat janë mbledhur në orët e para të mëngjesit para kësaj drejtorie duke kërkuar të drejtat e tyre. “Kam burrin pa punë, jam pa shtëpi dhe më duhet të mbaj fëmijët me bukë. Ku të mbytem unë tani që do më lënë pa punë?”,- theksoi njëra nga sanitaret duke theksuar se do të kërkojë të drejtën e saj deri në vdekje, për nxjerrjen në rrugë që po i bëjnë me pa të drejtë. Ndërsa njëra nga koleget e saj, theksoi se ka 20 vjet punë në QSUT si sanitare dhe reforma nuk ka asnjë arsye që të bjerë mbi të, madje, ajo akuzoi Drejtorinë e QSUT-së se këtë largimin e tyre nga puna po e kërkojnë vetëm për të sjellë të njohurit në vend të tyre. “Jam 4 persona në shtëpi dhe jetojmë me këtë rrogë. Për këtë reformë nuk është në dijeni as Kryeinfermierja, as Shefi i Pavionit, dhe ne na vjen fleta për t’u larguar. Kuptohet që këta po e bëjnë për të na hequr ne dhe për të sjellë njerëzit e njohur të tyre, pasi nuk është e vërtetë që sanitaret janë të tepërta në spital”,- theksoi sanitarja.
Drejtoria
Zëdhënësi i QSUT-së, Alvi Bajrami sqaron se struktura e miratuar nga Ministria e Shëndetësisë parashikon shkurtime të vendeve të punës. “Në Drejtorinë e QSUT-së ka ardhur struktura e miratuar nga Ministria e Shëndetësisë për suprimimin e vendeve të punës të disa sanitareve. Ato kanë qenë tepër në shërbimet ku punonin dhe shefat e sektorëve të aktiviteteve mjekësore në Spitalin “Nënë Tereza” në bashkëpunim me shefat e shërbimeve, po bëjnë gati emrat e tjerë”,- pohon Bajramaj. Sipas tij, përveç Imazherisë dhe Kirurgjisë, reforma pritet të përfshijë edhe sektorë të tjerë, çka do të çojë në 112 numrin e sanitareve që do të largohen nga puna. Duket që reforma e QSUT-së po bie pikërisht mbi personelin më të varfër pasi paga e sanitareve është rreth 15 mijë lekë të reja në muaj.
45 sanitare kanë marrë njoftim dje nga Drejtoria e QSUT-së për të lënë vendet e punës.
15 mijë lekë të reja në muaj paguhet mesatarisht një sanitare në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”.