Hene, 06 Tetor 2008 18:23:37

Lexoni versionin Print

Lajmëtari i SIDA-s: Nuk është fundi, jeta vazhdon

Infektimin e konsiderojnë si vrasësin që po sjell vdekjen. Kjo vdekje do të jetë e “turpshme” dhe familjarët do të mendojnë se si do e justifikojnë në sytë e botës. Këtu mbaron gjithçka, më mirë të kishin vdekur.

Eglantina Bardhi
Merkure, 16 Korrik 2008 08:04:00

 

Psikologu pranë Klinikës Ambulatore të SIDA-së, Banushi tregon për reagimet e të infektuarve në momentin që marrin lajmin

Infektimin e konsiderojnë si vrasësin që po sjell vdekjen. Kjo vdekje do të jetë e “turpshme” dhe familjarët do të mendojnë se si do e justifikojnë në sytë e botës. Këtu mbaron gjithçka, më mirë të kishin vdekur. Dilema dhe udhëkryqe të tjera mundojnë pacientin që merr lajmin se rezultati i analizave e kanë nxjerrë të infektuar me virusin HIV/AIDS. Por kujt i bie mbi supe komunikimi i një lajmi kaq të kobshëm dhe si mundohet ai t’ua përcjellë atyre. Cilat janë taktikat që përdor për t’ua bërë dhimbjen sa më të lehtë dhe për t’u thënë se ky nuk është fundi por jeta vazhdon. Kështu, psikologu në Klinikën Ambulatore për Virusin HIV/AIDS, pranë Shërbimit Infektiv, Vilson Banushi tregon për “Shekullin” përballjen me pacientët e infektuar nga kjo sëmundje dhe si reagojnë ata kur e kuptojnë se janë të prekur nga virusi. Është i pari që po realizon këtë detyrë në vendin tonë dhe duket që barra është tepër e rëndë.

Lajmi i infektimi

Është pjesa më e vështirë me të cilën ndeshet personeli shëndetësor. Madje duhet të studiosh të gjitha karakteret dhe kategoritë e njerëzve, për të gjetur mënyrën më të mirë që t’u komunikosh se ata janë infektuar me HIV/AIDS. Kjo është detyra e psikologut të parë dhe të vetëm në shërbimin e Klinikës Ambulatore të SIDA-së, Vilson Banushi, i cili tregon eksperiencat e tij me personat që tashmë kanë marrë sëmundjen vdekjeprurëse. “Në bindjen time, kam një postulat dhe ky postulat është që pacienti duhet të kurohet nëpërmjet komunikimit”,- thekson ai duke shpjeguar se nuk ka një recetë për të gjithë pacientët se si duhet t’u komunikohet lajmi se janë të infektuar me sëmundjen e shekullit. Informacionin se janë të infektuar ai mundohet që në fazën e parë të mos ua përcjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë pasi kjo do të ishte shokuese për ta, ndërsa në faza të tjera padyshim që atyre do t’u thuhet e vërteta. Në këtë mënyrë, psikologu pohon se në fillim u thotë se kanë një sëmundje të ngjashme me virusin HIV/AIDS. Apo në raste të tjera, kur pacientit i shkojnë ta vizitojnë tre bluza të bardha njëkohësisht dhe të diskutojnë me terma shkencore, në mënyrë që ai ta kuptojë se sëmundje e tij është serioze. “Kam patur një rast kohët e fundit, që ishte shumë i informuar. Zgjodha t’i them pas analizës se në 99 për qind është Pozitiv, por ka edhe 1 për qind shpresë që mund të jetë Negativ. Kjo e bënte pacientin që ta mbante gjallë dhe jo në gjendje të rënduar e të binte në gjendje shoku”,- pohon ai.

Reagimi

Heshtje. Kërcim nga karrigia ku janë ulur në mënyrë të pavetëdijshme. Lot pa fund, të shoqëruara me trishtimin e vdekjes, por shpesh edhe agresivitet. Këto janë disa nga reagimet e personave që marrin lajmin se janë të infektuar me virusin HIV/AIDS. Psikologu Vilson Banushi pohon se ndeshet nga situata shumë të vështira dhe të papritura përballë pacientëve. “Pacientët në momentin që janë të infektuar me SIDA, në mënyrë absolute, nga njerëz me humor dhe të qeshur, kthehen në njerëz të cilët e vuajnë tmerrësisht këtë lajm. Dikush përjeton ankth. Dikush ndien keqardhje për veten. Por ka raste që kanë kaluar edhe në depresion, apo në gjendje ankthi të rënduar. Sigurisht që këtyre u duhet t’u kushtohet më shumë kohë”,- shpjegon psikologu.

Sipas psikologut paraqiten shumë të infektuar që janë të martuar. Mundohemi të shpëtojmë familjarët

“Të infektuarit nuk u tregojnë familjarëve dhe partnerëve”

Për pacientin për të cilin konstatohet që është pozitiv, mendojmë për familjarët e tyre. Janë pikërisht ata më të rrezikuarit, nëse nuk e dinë. E nëse nuk e kanë marrë virusin, duhet të nxitojmë që të shpëtohen. Kështu shprehet psikologu në Qendrën Ambulatore të Virusit HIV/AIDS, në Spitalin Infektiv, Vilson Banushi, i cili thekson se në përgjithësi pacientët e infektuar kërkojnë ta mbajnë të fshehtë sëmundjen e tyre e të mos u tregojë për sëmundjen familjarëve dhe partnerëve. “Fakti që nuk pranojnë t’ua thonë, ndodh se ata mendojnë se pasoja të tjera do t’u shkaktohen. Këto pasoja janë, braktisa e tyre nga partnerët apo familjarët, apo edhe pasoja të tjera sociale dhe ekonomike”,- pohon Banushi. Të ndodhur përballë kësaj situate, psikologu pohon se detyrë kryesore u del që pas seancave të njëpasnjëshme të këshillimeve t’i bindin që t’ua thonë familjarëve. “Problemi është se pavarësisht që i infektuari mund të tregojë kujdes të madh për të ruajtur pjesëtarët e tjerë të familjes, janë këta të fundet që nuk ruhen ndaj të infektuarit, pasi nuk e dinë. Ky lloj infeksioni, problemet më të mëdha i shkakton pikërisht ndaj familjes”,- pohon psikologu. Ndërkohë ai pohon se pacientët që kanë qenë pasivë, që do të thotë se infektimi nuk ka qenë për faj të tyre, por e kanë marrë nga partneri janë më të shumtë ata që janë të ekspozuar ndaj një jete seksuale shumë aktive, pasi këta të fundit i dinë risqet dhe mbrohem më shumë. “Numri i pacientëve që janë të martuar, janë më të shumtë se të tjerët dhe këta nuk kanë patur një përgjegjësi minimale për të kryer marrëdhënie seksuale të mbrojtura. Puna është më e madhe ndaj këtyre pacientëve, pasi në lojë është familja”,- thekson ai.

Të infektuarat me HIV, ëndërr që të kenë fëmijë

Janë të infektuara me virusin vdekjeprurës HIV/AIDS, por nuk duan të heqin dorë nga ëndrra për të qenë nëna. Madje interesohen të dinë të rejat e fundit të shkencës, nëse i kanë mundësitë për të lindur fëmijë të shëndetshëm për t’i patur trashëgimtarë. Kështu, psikologu pohon se shumë paciente e pyesin nëse i kanë mundësitë që fëmija të mos marrë infeksionin në mënyrë vertikale. “Në mënyrë kategorike u këshilloj që në momentin që kanë dalë Pozitiv, të heqin dorë nga ëndrra për të lënë trashëgimtarë. Ka statistika në botë që thonë se nëse shtatzënia ndiqet në mënyrë rigoroze nga mjekët specialistë, edhe mund të lindë një trashëgimtar që nuk është Pozitiv, por kjo nuk është e sigurt, aq më tepër në vendin tonë”,- thekson psikologu, duke shtuar se kjo ëndërr nuk mund të bëhet realitet.

Ja çfarë ofron Shërbimi i Psikologjisë

Shërbimi i Psikologjisë për personat e infektuar me HIV/AIDS ka filluar nga 1 Dhjetori i vitit 2007 pranë klinikës Ambulatore në Spitalin Infektiv. Kjo klinikë ka qëllim që të ofrojë këshillim, testim vullnetar për të gjithë personat që kanë nevojë për të bërë testin e HIV/AIDS, por edhe për t’u ofruar atyre një mbështetje psiko-sociale nëse këta pacientë rezultojnë Pozitiv. Nëse rezultojnë Negativ, atëherë u këshillohet që të kryejnë marrëdhënie seksuale të sigurta. Këshillimi para testit, ka si synim të ofrojë informacion rreth HIV/AIDS, pasi është ky shkaku kryesor që u krijon shumë paragjykime vetë pacientëve. Pas testimit, personat që rezultojnë pozitivë u mundësohen disa seanca me psikologun, e cila kalon në faza të ndryshme.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML