Shtune, 22 Nentor 2008 09:03:12

Lexoni versionin Print

Fëmija im ka nisur të "arratiset"

Ky është viti i fundit i asaj periudhe që ne pediatrit e quajmë mosha e çerdhes. Gjatë këtij viti fëmija, zhvillimin e tij psikomotor, e pasuron më tej me eksperienca të reja e gjithashtu, të gjithë elementët e zhvillimit pasurohen në tej nga dita në ditë.

Nga Dr. Shkëlqim Koçiaj
Diel, 24 Gusht 2008 10:20:00

Zhvillimi psikomotor dhe ai fizik i fëmijëve në moshën 2 deri 3 vjeç

Ky është viti i fundit i asaj periudhe që ne pediatrit e quajmë mosha e çerdhes. Gjatë këtij viti fëmija, zhvillimin e tij psikomotor, e pasuron më tej me eksperienca të reja e gjithashtu, të gjithë elementët e zhvillimit pasurohen në tej nga dita në ditë.

Të kuptuarit bëhet mjaft i përparuar. Jo vetëm që: kombinon dy a tre fjalë të ndryshme; emërton figura të kafshëve të ndryshme; ndjek e zbaton porosi të ndryshme por, ecën më tej. Gjatë këtij viti fëmija është në gjendje të mësojë emrin dhe mbiemrin e tij dhe, të përgjigjet saktë nëse ia kërkojmë një gjë të tillë. Po kështu është në gjendje të përcaktojë me emër nënën, babanë, motrën, vëllanë etj. Në shprehjet e tij fillon të përdorë shumësin, pra tani ai e ka kuptuar se veç ‘uni-t’ ka edhe ‘ne’. Fillon të ndjejë dhe të kuptojë të ftohtin dhe të ngrohtin e për më tepër aty nga fundi i vitit fillon të kuptojë analogjitë e kundërta. Nga bisedat e dëgjuara apo vështrimi i vëmendshëm i revistave të ilustruara është në gjendje të të përgjigjet se kali është i madh e miu është i vogël, apo se babi është burrë e mamaja grua etj.

Zhvillimi i lëvizjeve të mëdha përbëhet jo vetëm nga hedhja e topitme duar;qëndrimit me një këmbë për 1-2 e deri në 5 sekonda, por edhe më tej. Fëmija fillon të kërcejë në vend fillimisht pak centimetra nga toka deri sa në fund të vitit mund të kërcejë në lartësinë deri në 20 cm. Këto kërcime e bëjnë të aftë të imitojë edhe vallëzimin.

Zhvillimi i lëvizjeve fine perfeksionohet më tepër. Kështu nxjerrja e stafidhes nga shishja apo edhe tregimi i saj kryhen me shumë finesë. Ndërtimi i kullës me nëntë kuba është bërë tashmë një veprim mjaft i thjeshtë për të. Nëpërmjet kubave të tij, fillon të imitojë ndërtimin e një ure dhe të kalojë nën të ‘makinën’. Fillon që të imitojë vijën vertikale duke përdorur lapsin dhe letrën. Po ashtu është në gjendje që të kopjojë rrethin dhe, aty nga fundi i vitit, të kopjojë edhe vijën e kryqëzuar (kryqin)

Zhvillimi vetjak shoqëror shoqërohet me perfeksionimin e larjes e fshirjes së duarve; veshjen e këpucëve dhe zgjidhjen e tyre; veshjen e rrobave nën mbikëqyrjen e të tjerëve, rritjen e pavarësisë së tij, çka e bën më të lehtë ndarjen nga nëna edhe për ditë të tëra. Po kështu edhe shoqërimi me të tjerë dhe loja me ta është edhe më i gjerë, më i lehtë dhe më i këndshëm. Nga fundi i vitit fëmija ka mësuar dhe ve në përdorim edhe zbërthimin e kopsave.

Pesha mesatare trupore e një fëmije femër, nga 25 deri në 36 muajshe, mund të jetë nga 12.2 deri në 14 kg., ndërsa gjatësia mund të arrijë nga 87 deri në95.5 cm. Ndërsa për një fëmijë mashkull, për të njëjtën moshë, pesha trupore mesatare varion nga 12.8 deri në 14.8 kg., ndërsa gjatësia varion nga 89 deri në 97 cm.

Përgjigjet

Dr Çimi, kam një fëmijë 5 vjeç dhe po filloj të vërej se, ndonjëherë, më largohet nga shtëpia dhe nga shokët me të cilët luan, pa i thënë askujt, për disa kohë. Jam e shqetësuar, jo vetëm për faktin se më tremb ky largim për rreziqet e momentit por, edhe sepse nuk di ta shpjegoj këtë veprim. Ju lutem, më thoni nëse ka ndonjë problem im bir? Tatjana

E nderuar lexuesja ime! Veprimi që ka bërë ndonjëherë djali juaj, mund të klasifikohet në grupin e çrregullimit të sjelljes së fëmijëve. Ashtu sikurse është edhe gënjeshtra dhe vjedhja. Në këtë rast kemi të bëjmë me fenomenin e arratisjes. Me termin arratisje duhet të kuptojmë një largim pa leje dhe pa bërë asnjë lajmërim nga vendi ku fëmija duhet të ishte në momentin e dhënë. Kjo lloj arratisje shoqërohet me endje për orë apo edhe ditë të tëra pa asnjë qëllim të përcaktuar në shumicën dërrmuese të rasteve.

Në fakt, ky çrregullim i sjelljes së fëmijëve, ashtu sikurse edhe vjedhja e gënjeshtra, është mjaft i rrallë tek fëmijët para se të kenë mbushur moshën 6-7 vjeç. Të gjitha endjet e fëmijëve, para kësaj moshe, që nuk vihen re nga nëna nuk kanë e nuk mund të vlerësohen si një arratisje e mirëfilltë.

Arratisjet zgjatin përgjithësisht disa orë, dhe janë shumë të rralla ato që zgjatin edhe me ditë. Arratisjet mund të bëhen nga mjedisi familjar, nga kopshti, konvikti, spitali, kampi i pushimit e mbi të gjitha nga shkolla. Në pjesën dërrmuese “Të arratisurit” janë të vetëm por, mund edhe të organizohen si një grup i vogël nën udhëheqjen e një lideri. Kjo ndodh më shumë në kolektive nxënësish që jetojnë në konvikt.

Çfarë mendojnë dhe si sillen të arratisurit gjatë arratisë së tyre? Në fakt këto dy pyetje nuk kanë një përgjigje të saktë pasi ende njihen pak. Sidoqoftë, dihet se në shumicën dërmuese të rasteve arratisja nuk ka ndonjë qëllim plotësisht të përcaktuar. Pas pak kohe i arratisuri nuk di ku duhet të shkojë dhe fillon të vijë vërdallë kot së koti deri sa fillon të mendojë se ku do të strehohet. Në këto raste dekonspirohet shpejt, qoftë me veprimet e tij të dyshimta e qoftë edhe prej ankthit të tij, e kështu nuk kalon shumë kohë për ta pranuar fatin që është larguar dhe të kthehet apo të kërkojë ndihmë. Ndonjëherë, arratia e fëmijës mund të ketë një qëllim. Këtu futen arratisjet për t’u kthyer në një vend të sigurt për të, sikurse mund të jetë vendi ku është rritur apo ku kanë jetuar apo jetojnë sidomos gjyshërit e tij.

Ndër faktorët më të rëndësishëm për shfaqjen e këtij çrregullimi, ashtu sikurse edhe për të gjitha çrregullimet e tjera, duhet të përmendim ndarjen e prindërve nga njëri-tjetri. Ky faktor është prezent pothuajse në 60% të rasteve të arratisjeve të fëmijëve. Por edhe të gjithë faktorët e tjerë të mungesës së dashurisë mund të jenë shkaktarë të këtij çrregullimi. Kështu debatet e forta apo më mirë të themi grindjet familjare ndërmjet prindërve, prezenca e alkoolizmit të babait e pse jo edhe të nënës, mungesa e dashurisë për shkak të fëmijëve të shumtë apo për shkak të mbivlerësimit të njërit e nënvlerësimit të tjetrit, ndarja e hershme për arsye të ndryshme (veçan divorcit) me personazhin prindëror.

Nga të gjitha llojet e arratisjes, duhet veçuar arratisja nga shkolla sepse, jo vetëm që është shumë më e shpeshtë, por edhe për shkak të mekanizmave neurotikë që i nxitin këto arratisje. Një pjesë e fëmijëve që arratisen nga shkolla mund të kenë tendenca psikopatike, janë pak të interesuar e të motivuar për shkollën, mund të jenë pak inteligjentë apo të vuajnë nga ndonjë handikap i veçantë fizik apo mendor.

Arratisja nga shkolla ndahet në dy forma të veçanta: Ajo e fëmijëve që sapo fillojnë shkollën (6-7 vjeç), tek të cilët vërehet ankthi i ndarjes nga familja dhe ai i përballimit me kolektivin dhe jetën e re në të. Dhe ajo e fëmijëve më të rritur (10-11 vjeç), të cilët janë të përfshirë nga ankthi i shkollës, notat, detyrat, përballja me mësuesit etj.

Këta lloj fëmijësh nisen rregullisht për në shkollë, por me të mbërritur, atje fillojnë të zbehen nga ankthi dhe nuk mund të futen brenda. Disa prej tyre kthehen në shtëpi, e pranojnë ankthin para prindërve apo shtiren si të sëmurë. Disa të tjerë, sorollaten deri në kohën e mbarimit të mësimit dhe kthehen normalisht në shtëpi. Zbulimi i kësaj lloj arratisjeje bëhet vetëm kur prindërit vihen në dijeni të mungesës së fëmijës në shkollë.

Zonja Tatjana! Nga sa u mundova të shkruaj, besoj se mbeteni e kënaqur. Së pari sepse fëmija juaj ende nuk mund të klasifikohet në fëmijët me çrregullime të sjelljes. Së dyti ju tashmë mund të merrni edhe ndonjë masë për të parandaluar ndonjë mundësi për t’u shfaqur të tilla çrregullime.

Përshëndetje
   Dr. Çimi


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML