Situata alarmante ka detyruar MSH-në të bëjë apel për dhurime vullnetare. Provuam por nuk mundëm ta importojmë
Të sëmurët kronik që kanë nevojë për transfuzion gjaku po iu rrezikohet seriozisht jeta. Alarmin e ka dhënë vetë dikasteri i Shëndetësisë të cilët deklarojnë se nuk kanë më rezerva gjaku. Shkak për këtë janë bërë aksidentet në muajt e fundit duke harxhuar të gjitha rezervat e gjakut. Zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, pohon se pavarësisht përpjekjeve të shumta për të importuar gjak nga vendet e tjera kjo nuk është aspak e mundur teknikisht për vendin tonë.
Alarmi
Pacientët që anë nevojë për transfuzion gjaku në mënyrë periodike tashmë janë në mëshirë të fatit. Përballë indiferencës s njerëzve për të shpëtuar jetë dikasteri i Shëndetësisë është dorëzuar duke dhënë alarmin se jeta e këtyre pacientëve është në fije të perit. “Në 10 ditshin e fundit të gushtit, pacientët me sëmundje kronike, kanë marrë 2 herë më pak gjak, se sa ishte parashikuar të merrnin, sepse stoku aktual në spitale dhe në bankat egjakut është pakësuar”,- thekson Arben Ivanaj, duke lënë të nënkuptohet se jeta e këtyre të sëmurëve varet nga ndërgjegjësimi i njerëzve për të dhuruar gjak në mënyrë vullnetare.
Ky apel sipas tij bëhet në prag të sezonit veror, pasi dihet që vera është një periudhë gjatë së cilës dhurimet e gjakut bien për shkak të ndërprerjes së kirurgjisë së planifikuar nga e cila sigurohet një sasi e konsiderueshme stoku për bankat e gjakut në spitale, si edhe për shkak të uljes së dhurimeve vullnetare. “Kjo rritje e nevojshme dhe vazhdimi normal i kërkesave për gjak për sa i takon pacientëve me anemi kronike, e paraprirë nga ulja e sipërpërmendur e dhurimeve, bën që pamjaftueshmëria në gjak të bëhet akoma më e ndjeshme gjatë periudhës së verës”,- pohon Ivanaj, duke shtuar se garanton që gjaku që dhurohet shkon në destinacion dhe mirëpërdoret në klinikat dhe pavijonet e spitaleve.
Importimi
Të ndodhur në situatë emergjence, dikasteri i Shëndetësisë i ka përdorur të gjitha rrugët për të importuar gjak nga vendet e Bashkimit Evropian, po e kanë patur të pamundur. Këtë Ivanaj e lidh jo vetëm me koston e lartë që ka gjaku i importuar, por edhe me probleme të tjera teknike. Sipas tij kostoja e një falkoni gjaku të importuar kushton 150 euro, por, pavarësisht kësaj nuk kanë gjetur mundësinë ta importojnë nga vendet e BE-së. “Kostoja e një falkoni gjaku të importuar shkon 150 euro, ndërsa qesja e dhuruar në mënyrë vullnetare është 12 euro. Duhet të urojmë që të kemi një qese gjaku të dhuruar. Problemi qëndron jo vetëm te kostoja për ta importuar, por edhe fakti se jetëgjatësia e gjakut të dhuruar është vetëm 42 ditë”,-pohon Ivanaj.
------------------------------------------------------
Qendro: Zgjidhja duhet të shikohet tek dhuruesit pa pagesë
Zgjidhja e vetme për gjak më të sigurt është dhurimi vullnetar dhe jo ai me pagesë, nga shtresa të ekspozuara ndaj sëmundjeve infektive. Ky është apeli që bën drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Irena Qendro, e cila thekson se ka ardhur koha për më shumë ndërgjegjësim. “Kemi përjashtuar me dhjetëra raste dhurues që kanë rezultuar të infektuar me hepatite apo ndonjë sëmundje tjetër, dhe kjo ka ndodhur sidomos tek dhuruesit me pagesë pasi gjaku i tyre është më i pasigurt”,- pohon Qendro. Ndërsa sa i takon riskut për t’u infektuar nga transfuzioni i gjakut ajo thekson se ky risk nuk mund të jetë kurrë zero, pasi ekziston periudha dritare që nuk mund të zbulojë të infektuarin me anë të analizës.
----------------------------------------------------------
Prindërit e fëmijëve që kanë nevojë për gjak shprehen se iu mungon edhe siguria që kanë tek gjaku që marrin fëmijët e tyre
Prindërit: Fëmijët nuk marrin sasinë e mjaftueshme të gjakut
“Vij 3 herë në javë për t’i bërë transfuzion gjaku vajzës, por maksimumi vetëm një herë në javë mund të marrë gjak pasi mjekët thonë se nuk ka”. Kështu u shpreh njëri nga prindërit e fëmijëve që ndodhej në pavijonin e Hamtologjsë në Pediatrinë e QSUT-së. Në fakt, fatin e fëmijës së saj e kanë edhe fëmijë të tjerë që vuajnë nga talasemia apo sëmundje anemike dhe kanë nevojë të marrin gjak në mënyrë të vazhdueshme, në këtë kundërt jeta e tyre rrezikohet seriozisht. Por mungesës së gjakut ata i shtojnë edhe mungesën e besimit që kanë edhe tek ai pak gjak që marrin. “Kam shumë frikë t’i jap gjak të huaj vajzës. Kam frikë se vajza do më marrë sëmundje të rëndë se vjet një fëmijë nga Fieri vdiq nga SIDA që kishte marrë nga transfuzioni i gjakut”,- këto janë fjalët e një prindi që fëmijët e saj 7-vjeçare Emine Braka vuan nga një sëmundje për të cilën ka nevojë për transfuzion të gjakut.
Në fakt nuk është e vetmja që ka krizë mosbesimi dhe shpesh janë të detyruar t’i lënë larg transfuzionit edhe pse e kanë tepër të nevojshme. “Do të dhuroja gjakun tim deri në pikën e fundit, vetëm të mos marr gjak nga të tjerët”, shprehet një prind tjetër duke treguar qartë krizën e mosbesimit. Të mbledhur në korridoret e Pediatrisë së QSUT-së, familjarët e pacientëve kanë kërkuar që jo vetëm t'u jepet fund mungesave të gjakut, por edhe të jenë të sigurt për atë që u japin fëmijëve. “Po tmerrohemi nga frika e infektimit të gjakut përse nuk mund të jetë më serioz shteti dhe të marrë masa për t’i dhënë fund këtyre torturave që po heqim”,- pohon njëri nga prindërit.
Ndërsa mjekët pohojnë se shumë prindër nuk i sjellin fëmijët për transfuzion edhe pse e kanë të domosdoshme pikërisht për shkak të frikës që u është shkaktuar. “Duke mos bërë në mënyrë të rregullt transfuzionin e gjakut këtyre fëmijëve iu bie në mënyrë të vazhdueshme rezistenca e trupit pasi ata kanë nevojë që t’u rritet hemoglobina”,- shpjegojnë mjekët specialistë duke shtuar se çdo vonesë në marrjen e gjakut është në dëm të pacientëve.