Ministria Godo pohon se do të monitorohet procesi i tenderimit. Sektori privat do funksionojë sipas standardeve
Korrupsioni në shëndetësi mbetet një fenomen për të cilin të gjithë jemi të vetëdijshëm se ekziston, në nivele e forma të ndryshme. Auditimi i rreptë e i vazhdueshëm i të gjitha proceseve tenderuese e prokuruese, si dhe të marrëdhënieve midis sektorit publik e atij privat do të përbëjnë bazën e luftës kundër korrupsionit. Kështu u shpreh ministria Anila Godo në analizën 7- mujore të dikasteri të Shëndetësisë, e cila tregoi strategjinë e saj për të luftuar korrupsionin. Ndërkohë ajo u tregua tepër e ashpër edhe ndaj sektorit privat duke e cilësuar atë si sektor të dalë jashtë kontrollit.
Korrupsioni
Sfidë të vështirë për të mbajtur nën kontroll korrupsionin që ka pushtuar shëndetësinë. Këtë sfidë Anila Godo e sheh sidomos tek procesi i tenderimeve ku në emër të shëndetësisë është abuzuar me miliona lekë. « Do të bëhet kontroll i vazhdueshëm i të gjitha proceseve tenderuese prokuruese”, thekson Anila Godo, duke shtuar se do kërkohen e do gjenden rrugë e mekanizma për të mbyllur shtigjet e korrupsionit e për të prerë fijet e rrjetat e tij. Ndërkohë ajo shpjegon sfida të tjera për t’i vënë fre korrupsionit, do të jenë politikat më të mira të pagave, përdorimi më me efektivitet i të ardhurave dytësore, ndryshimi i mekanizmit të financimit të shërbimeve shëndetësore dhe ndërhyrje reformuese në sektorin farmaceutik.
Sektori privat
Sektori privat në shëndetësi është jashtë kontrollit dhe ai duhet të funksionojë vetëm nëse plotëson standardet. Kështu ministria Godo shpjegon se sektorin privat e konsideron si të komplementar me atë publik, por rezulton se ky sektor akoma nuk është nën kontroll. « Funksionojnë mjaft kabinete dhe klinika mjekësore si dhe janë duke u hapur disa spitale private. Duhen përcaktuar qartë standardet për akreditimin e strukturave private, marrëdhëniet dhe mundësitë e konvencioneve midis tyre dhe sektorit publik, që do mund të ofronin shërbimet e munguara », pohon Godo. Sipas saj po organizohen grupe pune që në Qendrën Spitalore Universitare « Nënë Tereza » është privatizuar shërbimi i kuzhinës, është kontraktuar ai i hotelerisë dhe me një projekt të Bankës Botërore po punohet për konsulencë për privatizimin e shërbimeve ndihmesë spitalore. Impakti i pritshëm sipas saj është pozitiv, por duhen monitoruar sektorët e privatizuar.
------------------------------------------------------------
Godo : Prioritet skema e sigurimeve në spitale
Reforma spitalore, sipas skemës së Projektit pilot me spitalin e Durrësit përbën prioritet. Kështu u shpreh ministria Godo, e cila thekson se lidhur me skemën e sigurimeve të kujdesit shëndetësor po punohetpër konsolidimin e financimit të kujdesit parësor,me qëllim përdorimin me sa me eficencë të fondeve.
« Reforma spitalore, sipas skemës së Projektit pilot me spitalin e Durrësit përbën prioritet. Gjatë muajit shtator, një grup punë i përbashkët (Ministra e Shëndetësisë dhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor) do hartojë bazat e kësaj reforme që deri nëfund të vitit apo më parë do diskutohen në një këshill të gjerë të personaliteteve të institucionevetë përfshira », -pohon Godo
Petrela: Sigurimet nuk do na nxjerrin nga kriza
Sigurimet shëndetësore në spital nuk është se do nxjerrin sistemin shëndetësor nga kriza nëse nuk bëhet më parë informatizimi. Kështu u shpreh shefi i Neurokirurgjisë, profesor Mentor Petrela, i cili thekson se kjo është treguar edhe me eksperiencën e spitalit të Durrësit. “Fjalët se do të fusin sigurimet në spitale mendoj se janë kot se sigurimet nuk shtojnë lekë. Sigurimet do të aplikohen mirë vetëm nëse do të futet sistemi i informatizimit ku për çdo shërbim që merr pacienti të jetë i regjistruar”, pohon Petrela. Sipas tij edhe eksperienca e Durrësit në të cilën janë futur sigurimet është me fonde të humbura dhe është për t’u riparë“Kur dikush vjen në spital dhe merr një mall duhet të jetë e regjistruar. Këtë nuk e ka as spitali i Durrësit. Pra Godo ka sfidë edukimin dhe ngritjen e informatimit në mënyrë që të mos punojmë më me buxhete të humbura”,- thekson Petrela.
Godo: Cilësia e shërbimeve në spitale lë për të dëshiruar
Cilësia e shërbimeve të ofruara si dhe performanca e spitaleve lenë mjaft për të dëshiruar. Kështu u shpreh Anila Godo duke theksuar se buxheti për shëndetësinë është i pamjaftueshëm, por këtij fakti i shtohen edhe mjaft mangësi në menaxhimin e shërbimeve shëndetësore. «Një menaxhim i ngathët e i papërgjegjshëm çoi në mungesën e thellënë medikamente, reagente, materiale konsumi për arsye të mosidentifikimit si duhet të nevojave e kërkesave, herë dhe pa një analizë reale të gjendjes aktuale të tyre, duke krijuar edhe stoqe e vonesa të pajustifikuara në prokurim, me kosto shëndetësore e financiare për qytetarët »,- thotë Godo, duke pohuar se për këtë me përparësi të veçantë,kanë përfunduar prokurimin për pjesën më të madhe të medikamenteve, po lidhen kontratat dhe së shpejti fillon lëvrimi i kontratave.
----------------------------------------------------
Shefi i Neurokirurgjisë, profesor Petrela tregon sfidat me të cilat duhet të ndeshet Godo. Nuk jam dakord me ndryshimet në administratë
Petrela: Godo po e kalon shëndetësinë në purgator
Shëndetësia duhet të kalojë në purgator. Kjo është barra e rëndë që duhet të mbajë mbi supe Ministria e Shëndetësisë, Anila Godo, për të sjellë ndryshime në sistemin shëndetësor. Kështu u shpreh shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë, Mentor Petrela, në një intervistë për gazetën “Shekulli” i cili dha rekomandimet e tij për hapat që duhen marrë për të ndryshuar situatën tejet të rënduar në sektorin e shëndetësisë. Ndërsa sa i takon ndryshimeve në administratë, Petrela nuk i shikon si pozitive, ndaj i quan ato hapa prapa në shëndetësi.
Ministria e Shëndetësisë sapo priti një ministre të re. A mendoni se kjo do të ndikojë në ndryshimin e situatës dhe cilat janë sfidat me të cilat duhet të përballet Anila Godo?
Anila Godo ka marrë përsipër një barrë të rëndë. Asaj i duhet ta kalojë mjekësinë në purgator. Që ta kalojë në purgator, është një detyrë mjaft e rëndë për të. Kjo do të thotë se kemi një sistem deri diku të korruptuar dhe mbi të gjithë një sektor shumë problematik. Natyrisht që ajo do të ketë sfidat e veta për profilin e kohës që ka si ministre e Shëndetësisë.
Por dy gjëra duket që i ka të qarta, e para, se ajo duhet të mbështetet shumë në edukimin e vazhdueshëm dhe të arrijë të nisë atë që quhet projekti i financimit që është sfidë për të gjithë qeverinë. Ne sot funksionojmë me buxhete të humbura që do të thotë se shëndetësisë i merr X sasi parash dhe se si dalin këto financime nuk dihen.
Gjithë tentativat që janë bërë për informatizimin e sistemit shëndetësor, që do të thotë se çdo i sëmurë me këtë X sëmundje kushton kaq, nuk është realizuar deri më sot dhe pikërisht këtu duhet të fillojë puna. Kjo kërkon një informatizim shumë të mirë dhe një ekspertizë të njerëzve që duan ta bëjnë. Po arriti të bëhet informatizimin është e mundur që të bëhet kostoja dhe që me anë të saj të kalojmë nga buxhete të humbura në sistem të financuar mirë. Ndërsa sfida e dytë e madhe e që duhet të kalojë shëndetësia është edukimi i vazhdueshëm i njerëzve në shëndetësi.
Sa i takon ndryshimeve që po bëhen në administratë, a mendoni se janë pozitive ?
Më ngacmon shumë një thënie e Gandit që thotë se administrata është bazë korrupsioni dhe një administratë që ndryshon është dy herë më shumë e korruptuar. Kjo do të thotë se unë nuk jam aspak dakord me ndryshimet në administratë. Tendenca e administratave sot është se çdo gjë e nisin nga fillimi. Ne kemi disa dokumente bazë që na i kanë prodhuar të huajt dhe ndaj ata nuk vijnë më. Nëse dokumentet strategjike zënë pluhur nëpër dollapët e zyrave nuk do ecet para. Gjëratjanë të shkruara dhe janë shkruar për Shqipërinë. Këtu vijnë drejtues të ri dhe nuk shohin asnjë dokument që kanë lënë paraardhësit e tyre, duke e filluar çdo gjë nga fillimi. Ndaj dhe fillojnë ndryshimet.