Shefat e QSUT-së shprehen se dypunësimi nuk duhet të lejohet sidomos tek mjekët pronarë. Petrela: Problemi merr fund kur ta kërkojë BE-ja
Dypunësimi i mjekëve nuk duhet të lejohet sidomos kur ata janë pronarë të klinikave private. Në fakt, ky është mendimi i disa shefave shërbimi dhe mjekësh të cilët pohuan për “Shekullin” se dypunësimi në shumë raste ka të bëjë me konfliktin e interesave. Ndërkohë, kreu i Shëndetësisë, Anila Godo është treguar më tolerante se dy paraardhësit e saj, Maksim Cikuli dhe Nard Ndoka, sepse para pak ditësh deklaroi se nuk i paragjykon ish-kolegët e saj nëse janë të dypunësuar.
Shefat dhe mjekët
Mendoj se një mjek, dhe sidomos një shef shërbimi, nuk duhet të jetë i dypunësuar. Kështu u shpreh shefi i shërbimit të Nefrologjisë, Nestor Thereska, i cili shpjegon se një shef shërbimi është i angazhuar me punët e pavionit që drejton dhe këtë duhet ta ketë në konsideratë jo vetëm gjatë orarit zyrtar të punës por edhe jashtë tij. “Unë nuk besoj se një shef shërbimi ka kohë që të bëjë një punë të dytë, pasi ai duhet të angazhohet edhe me punë studimore. Flas gjithmonë për dikë që ka vullnet dhe dëshirë t’i kushtohet shërbimit që drejton”,- pohon Thereska duke shtuar se vendet e BE-së nuk e lejojnë dypunësimin dhe ne nuk kemi pse të bëjmë përjashtime.
Ndërsa shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë, profesor Mentor Petrela pohon se zgjidhjen e çështjes së dypunësimit në shëndetësi e sheh vetëm në momentin kur këtë ta kërkojë vetë BE-ja. “Mendoj se kur një mjek të punojë vetëm brenda mureve të spitalit publik, do të aplikohet kur BE-ja të thotë se ky është kusht që duhet të plotësohet kjo pikë dhe kjo them se do të realizohet andej nga viti 2014”,- pohon Petrela duke shtuar se vullnetet politike nuk do të mundin ta realizojnë këtë.
Ndërkohë shefi i shërbimit të Endokrinologjisë, Feçor Agaçi e sheh dypunësimin e mjekëve të gabuar, vetëm nëse ai disponon klinikë të tijën private. “Nëse një X profesor vete dhe punon jashtë orarit në një klinikë private, unë nuk shoh asgjë të keqe. Është tjetër punë kur profesori, shefi apo mjeku ka klinikë private, dhe me këtë unë jam kundër”,- pohon Agaçi duke theksuar se nëse dikush është pronar, duhet të zgjedhë të punojë ose në spitalin shtetëror ose në atë privat. Të njëjtin mendim me të pohon edhe mjeku nefrolog, Alketa Koroshi, i cili pohon se një mjek pronar që punon në shtet, sjell pikërisht atë që quhet konflikt interesash.
“Nëse ky mjek ka klinikë të veten në pronësi, këtu ndryshon puna dhe nuk duhet të lejohen në asnjë mënyrë. E them këtë pasi kjo sjell në mënyrë të pastër konflikt interesash, sepse ky mjek është i interesuar që puna të ecë në klinikën e tij dhe nuk i bëhet aspak vonë nëse nuk funksionon skaneri apo ndonjë aparaturë tjetër në spital, sepse këtë e zgjidh me pacientët në klinikën e tij”,- pohon Koroshi duke shtuar se kjo mund të ndikojë negativisht pikërisht mbi kurrizin e pacientëve.
Nestor Thereska
Unë nuk besoj se një shef shërbimi ka kohë që të bëjë një punë të dytë, pasi ai duhet të angazhohet edhe me punë studimore. Flas gjithmonë për dikë që ka vullnet dhe dëshirë t’i kushtohet shërbimit që drejton. Vendet e BE-se nuk e lejojnë dypunësimin dhe ne nuk kemi pse të bëjmë përjashtime.
Mentor Petrela
Mendoj se kur një mjek të punojë vetëm brenda mureve të spitalit publik, do të aplikohet kur BE-ja të thotë se ky ështëkusht që duhet të plotësohet kjo pikë dhe kjo them se do të realizohet andej nga viti 2014. Vullnetet politike nuk do të mundin ta realizojnë këtë.
Feçor Agaçi
Nëse një X profesor vete dhe punon jashtë orarit në një klinikë private, unë nuk shoh asgjë të keqe. Është tjetër punë kur profesori, shefi apo mjeku ka klinikë private, dhe me këtë unë jam kundër. Pra, nëse dikush është pronar, duhet të zgjedhë të punojë ose në spitalin shtetëror ose në atë privat.
Alketa Koroshi
Nëse ky mjek ka klinikë të veten në pronësi, këtu ndryshon puna dhe nuk duhet të lejohen në asnjë mënyrë. E them këtë pasi kjo sjell në mënyrë të pastër konflikt interesash, sepse ky mjek është i interesuar që puna të ecë në klinikën e tij dhe nuk i bëhet aspak vonë nëse nuk funksionon skaneri apo ndonjë aparaturë tjetër në spital, sepse këtë e zgjidh me pacientët në klinikën e tij.
--------------------------------------------
Godo: Nuk do luftoj dypunësimin
Ndryshe nga ish-ministrat e Shëndetësisë, Maksim Cikuli dhe Nard Ndoka, që iu shpallën luftë të hapur shefave të shërbimeve të dypunësuar, Anila Godo nuk ka ndërmend ta fillojë reformën në shëndetësi duke luftuar dypunësim pasi problemet e shëndetësisë, sipas saj, nuk lidhen me këtë fenomen. Kështu, para pak ditësh, Godo ka deklaruar se ish-kolegët e saj shefa shërbimi janë të dypunësuar, por ajo jo vetëm që nuk i paragjykon, por edhe i justifikon ata. “Jam ndër shefet e pakta të shërbimit që nuk kam qenë e dypunësuar.
Kjo për faktin se shërbimi që mbuloj ka patur shumë probleme dhe se ato 2-3 orë të lira që i kam patur pasditeve, kam preferuar t’i kaloj duke u çlodhur me familjen time”,- pohon Godo duke shtuar se ne nuk jemi vend i pasur dhe nëse dikush pasdite a në mbrëmje, në vend që të shëtiste, zgjedh të punojë për t’u ofruar fëmijëve një jetë më të mirë, nuk ka përse e paragjykon.