SHËNIM I REDAKTORIT -Materiali i mëposhtëm nga Dr.Adem Harxhi është vijim i përgjigjes së pyetjes së një lexueseje nga Pogradeci, teksti i SMS, i së cilës në numrin tonë 06920 61489, ishte: “Jam e martuar dhe kemi 1 vit e gjysmë që tentojmë për një bebe pa pasur rezultat. Nga vizitat mjekësore dalim në rregull. Ciklin e kam të rregullt 29 ditësh. Ju lutem mund të më thoni cilat janë ditët, datat më të favorshme për të mbetur shtatzënë?”
Dje, në Faqet e së Shtunës, doktori zhvilloi pjesën e parë të përgjigjes mbi disa probleme të përgjithshme që influencojnë në ngjizjen. Sot përgjigja vijon me këshillën kryesore të pyetjes..
PËRGJIGJE:
Ti duhet të dish se për të ngjizur një bebe, spermatozoidi dhe veza duhet të takohen në një moment ideal. Ju duhet ta dini kur është koha e përshtatshme.
Kur ju dëshironi dhe përpiqeni të ngjizni një fëmijë, ka shumë rëndësi që ju të përcaktoni kohën e përshtatshme se kur duhet ta bëni këtë. Veza (qoftë ajo perfekte )dhe spermatozoidi ( sa do i përsosur të jetë ai) nuk do të jenë të aftë ta ngjizin një bebe në qoftë se nuk takohen me njeri-tjetrin në momentin e duhur.
Kujdes: Përpara se të ovuloni (nxirrni vezën) bëni seks shpesh- por jo shumë shpesh.
Që të ndodhë ajo që doktorët e quajnë fertilizimi, ju duhet të planifikoni ta bëni interkursën seksuale brenda 24 orëve nga momenti i ovulacionit (koha kur veza e pjekur lëshohet nga ovari). Ja pse mjekët gjinekologë dhe ekspertët e fertilizimit rekomandojnë të bëni interkursë seksuale një ditë po, një ditë jo, veçanërisht javën para ovulacionit. Duke vepruar në këtë mënyrë, ju së paku një herë gjatë periudhës fertile të çdo cikli menstrual, i keni krijuar mundësinë spermatozoideve që të takohen me vezën. Kjo ka rëndësi edhe për faktin se duke ejakuluar një ditë po, një ditë jo, gruaja furnizohet me spermatozoide të “freskët” pa i boshatisur krejt rezervat e burrit.
Mbani mënd: Ejakulacioni i shpeshtë bën që të bjerë shumë numri i spermatozoideve në spermën e ejakuluar dhe shanset për ngjizje pakësohen shumë.
Ja pse ju duhet të dini kohën e ovulacionit dhe duke bërë seks një ditë po, një ditë jo(ndonëse kjo nuk tingëllon mire për disa!) një javë para tij, ju do të gjeni kohën e duhur për takimin vezë-spermatozoid. Kjo do të thotë t’i përqendroni përpjekjet për të ngjizur fëmijën tamam rreth asaj kohe.
Por ka edhe një arsye tjetër të rëndësishme pse ju duhet ta dini kohën ekzakte të ovulacionit. Në qoftë se ju jeni një çift që kërkoni të bëni një djalë ose një vajzë, pra ta zgjidhni vetë gjininë e fëmijës tuaj të ardhëm, ju duhet të dini mirë momentin e ovulacionit dhe në raport me këtë të përcaktoni kohën kur duhet të bëni seks që të bëni një djalë dhe kur duhet për të ngjizur një vajzë.
Sot shkenca i ka rritur shumë mundësitë që prindërit ta zgjedhin gjininë e fëmijës që do të ngjizin. Gjithë puna qëndron tek dijenitë që duhet të keni për këtë.
A ka mundësi që ta përcaktoni kohën e ovulacionit?
Po, ka mundësi dhe mënyrat si bëhet kjo, në mënyrë shumë të përgjithshme,do t’i përshkruaj më poshtë. Hollësi dhe shprehi praktike për këto metoda ju do t’i mësoni duke pyetur dhe biseduar me mjekun tuaj gjinekolog ose maminë tuaj.
1-Bëni kalendarin e ciklit tuaj menstrual.
Një nga keqkuptimet më të mëdha që kanë shumica e njerëzve lidhur me fertilitetin është: çdo grua e nxjerr vezën nga ovari në ditën e 14 të ciklit menstrual. Kjo është e vërtetë vetëm për ato gra që kanë cikël të rregullt 28 ditësh. Në qoftë se keni një cikël shumë të rregullt, më të gjatë ose më të shkurtër se 28 ditë,ju do ta llogarisni ditën e ovulacionit duke zbritur dy javë nga data që ju pritni t’u vinë menstruacionet e radhës. Për shembull: Një grua me cikël të rregullt 30 ditor do të ovulojë probabilisht rreth ditës së 16 të ciklit; një grua me cikël të rregullt 26 ditë, rreth ditës së 12 të ciklit.
2- Regjistro temperaturën e trupit në kohën e zgjimit.
Të matësh temperaturën e trupit përpara se të ngrihesh nga shtrati në mëngjes është një mënyrë tjetër për të përcaktuar ovulacionin. U duhet një termometër special që mat temperaturën bazale të trupit (TBT) në të dhjeta të gradës, këtë e bleni në farmaci. Pasi veza lëshohet nga ovari, TBT rritet disa viza dhe mbetet lehtësisht e ngritur deri përpara se të fillojë periudha tjetër menstruale. Në qoftë se cikli menstrual është i rregullt, duke përcaktuar temperaturën e trupit në kohën e zgjimit për disa cikle ju do të mund të përcaktoni momentin e ovulacionit. Mbani mënd: Në kohën që TBT rritet, ovulacioni ndodhi dhe ka mbetur pak kohë që veza të fekondohet; do të jetë ideale që spermatozoidet të presin në tubat e Fallopit kur veza do të lëshohet nga ovari.
3-Kontrolloni mukusin e qafës së mitrës.
Ndryshimet në mukusin e qafës së mitrës ndihmojnë të përcaktoni fazën fertile pa ndihmën e ndonjë aparati special. Pak ditë pas periodave, mukusi cervikal është ngjitës dhe i trashë; pastaj fillon të hollohet. Në qoftë se ai bëhet rrëshqitës dhe që zgjatet midis dy gishtave – afërsisht si e bardha e vezës- kjo tregon kohën kur gruaja është më fertile.
4-Përdorni një monitor fertilizimi
Kur cikli menstrual nuk është i rregullt, një kit që parathotë ovulacionin mund t’u ndihmojë për të përcaktuar fazën fertile. Shumica e kiteve përdorin urinën e mëngjesit për të matur hormonin e luteinizimit (LH), i cili rritet menjëherë para ovulacionit. Këto kite blihen në farmaci.
Ju duhet të bëni interkursë brenda 24 orëve nga ovulacioni
Një kit tjetër ovulacioniështë ai që përcakton nivelin e estrogjenit në pështymë. Vini pak pështymë në një xham sahati, ose lente gjyslyqesh dhe e shikoni atë nën mikroskop (që e ka vetë kiti ) një figurë në formë degë fieri tregon për fazën fertile të ciklit.
Aparatet më të reja për të dalluar ovulacionin që quhen OV Ëatch, monitorojnë një tjetër lëng trupor: djersën. Ato duken dhe vendosen si orë dore. Paisja përmban sensorë që kontrollojnë rritjen e sasisë së klorurit në djersë. Kjo rritje paraprin një rritje të LH, kështu që ju jeni të paralajmëruar se ovulacioni do të ndodhë në pak ditë.
Përdorni kë të doni, teknologji të ulta ose të larta, të gjitha këto metoda ndihmojnë të identifikoni fazën më fertile në ciklin menstrual.
Shpresoj të kem thënë ato që të duhen.
Paç fat dhe një fëmijë të mbarë. Doktori