Skema e sigurimeve shëndetësore duhet të zbatohet në spitale, por spitali i Durrësit nuk është modeli që duhet të ndjekin spitalet e tjera. Madje në këtë spital jo vetëm që nuk është zbatuar skema e sigurimeve shëndetësore, por projekti pilot që u zbatua në këtë spital është i dështuar. Ky është mendimi i shefave të shërbimeve në Qendrën spitalore Universitare “Nënë Tereza: të cilët shpjegojnë mënyrën se si duhet të zbatohet skema e sigurimeve në sistemin shëndetësor. Kështu një ditë pas deklaratës së ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, se edhe spitalet e tjera do të ndjekin eksperiencën e spitalit të Durrësit profesor Mustafa Xhani, shefi i Urologjisë në QSUT shpjegoi se shembulli i Durrësit nuk ka të bëjë fare me sigurimet shëndetësore, por për të patur një skemë sa më eficiente duhet të ndiqen politika të qarta që kërkojnë mbështetje nga të gjithë.
Sigurimet
“Spitali i Durrësit nuk është i siguruar. Unë e kuptoj sigurinë kur në bazë të pacientit vijnë edhe paratë dhe këto para një pjesë shkojnë tek shteti dhe një pjesë shkon tek personeli shëndetësor”. Kështu u shpreh shefi i shërbimit të Urologjisë dhe ish-ministër i Shëndetësisë, Mustafa Xhani, duke theksuar se sistemi i sigurimeve shëndetësore duhet të zbatohet në gjithë sistemin shëndetësor pasi është e vetmja mënyrë për të nxjerrë këtë sistem nga kriza. “Për mua spitali i Durrësit si projekt pilot e kam thënë që është i dështuar që në kohën kur isha ministër. Ky spital funksionon që një pjesë e buxhetit të ISKSH-së një pjesë i transferohet këtij spitali, pra nuk i transferohet nga Ministria, por ky nuk quhet sigurim pasi po ato janë paratë e shtetit, pohon Xhani duke shtuar se sigurim quhet kur mblidhet nga kontributet e qytetarëve. Sipas tij që nga viti 2001 kur u nis projekti pilot në spitalin e Durrësit e deri më sot ende në këtë spital nuk është dhënë ndonjë rezultat në lidhje me sigurimet.
Ndërkohë edhe shefi i shërbimit të Neurokirurgjisë në QSUT, profesor Mentor Petrela, ka pohuar për gazetën para pak kohësh se shembulli i spitalit të Durrësit nuk është për t’u ndjekur. “Për mua është një farsë dhe jo projekt pilot pasi nuk funksionon kështu. Kjo realizohet duke u ngritur skema e sigurimeve shëndetësore”,- pohon Mustafa Xhani. Ndërkohë edhe shefi i shërbimit të Neurokirurgjisë në QSUT, profesor Mentor Petrela, ka pohuar për gazetën para pak kohësh se shembulli i spitalit të Durrësit nuk është për t’u ndjekur.
Sipas Petrelës duhet të bëhet informatizimi i të dhënave që të funksionojnë sigurimet. Xhani: Duhet angazhim nga të gjitha strukturat
Xhani dhe Petrela: Ja si duhet të funksionojnë sigurimet
Sigurimet shëndetësore në spital nuk është se do nxjerrin sistemin shëndetësor nga kriza nëse nuk bëhet më parë informatizimi. Kështu u shpreh shefi i Neurokirurgjisë, profesor Mentor Petrela, i cili thekson se kjo është treguar edhe me eksperiencën e spitalit të Durrësit. “Fjalët se do të fusin sigurimet në spitale mendoj se janë kot se sigurimet nuk shtojnë lekë. Sigurimet do të aplikohen mirë vetëm nëse do të futet sistemi i informatizimit ku për çdo shërbim që merr pacienti të jetë i regjistruar”, pohon Petrela. Sipas tij edhe eksperienca e Durrësit në të cilën janë futur sigurimet është me fonde të humbura dhe është për t’u riparë. Ndërsa ish kreu i Shëndetësisë, Mustafa Xhani, pohon se sistemi shëndetësor do të funksionojë vetëm duke u ngritur skema e sigurimeve shëndetësore, por kjo duhet të bëhet duke u mbështetur në politika të qarta dhe kërkon angazhimin e të gjitha strukturave. “Qytetarët të detyrohen që të sigurohen për shëndetësinë siç i sigurojnë makinat, por nuk sigurojnë jetën e tyre. Ajo kategori sociale që nuk mund të përballojë këtë sigurim atëherë mund të përballohet nga shteti siç ndodh në gjithë botën”,- pohon Xhani duke shtuar se duhet të vihet me detyrim sigurimi shëndetësor pasi nuk ka gjë më të shtrenjtë se jeta. Ndërkohë ai shpjegon se duhet të stimulohet edhe personeli shëndetësor dhe kjo duke u bazuar në sigurimet. Sipas tij me rroga fikse nuk mund të ecet përpara. “Nuk është normale që të paguhet njësoj si në rastin kur bën një operacion që zgjat 1 orë si kur bën një operacion që zgjat 9 orë. Bota paguan në bazë të akteve që bën. Pra duhet që personeli të ketë rrogë bazë për detyrimet bazë që i jep pacientëve dhe jashtë këtyre detyrimeve personeli duhet stimuluar”,- pohon Mustafa Xhani.
Mustafa Xhani
“Fakti që spitalet nuk janë në Skemën e Sigurimeve Shëndetësore, është handikapi më i madh që po i ndodh sistemit tonë shëndetësor dhe kjo është arsyeja kryesore që pacientët tanë nuk marrin shërbimin që meritojnë dhe spitalet janë në gjendje të mjerueshme”.
Nestor Thereska
“Me këtë përqindje sigurimesh që derdhen aktualisht, nuk mund të mbahet as sistemi parësor dhe as sistemi spitalor. Ka ardhur koha për ata që nuk paguajnë sigurimet, të mos iu rimbursohen shërbimet shëndetësore, në të kundërt, kurrë nuk do të kemi një sistem shëndetësor të shëndoshë dhe në funksion të pacientëve”.
Alketa Koroshi
“Nuk është logjike që të marrin të njëjtin shërbim, si ata që derdhin para çdo muaj për Sigurimet Shëndetësore, si ata që nuk paguajnë fare. Më pak se 30% e popullsisë paguan sigurime shëndetësore, në një kohë që të gjithë kërkojnë shërbim të rimbursuar”.
Arben Baboçi
“Kërkohet medoemos të bëhet një reformë, ku të futen Sigurimet Shëndetësore në spitale. Sigurisht që kjo nuk do ta zgjidhë situatën për 2-3 vjet, por do të fillojë të japë rezultate të paktën pas 5 vitesh”.